“Sektori në 2018, në vendnumëro, këtë vit tendencë e lehtë në rënie”

08/01/2019 1:46 PM 0 komente

Flet Skënder Pashaj, administrator i Fital

Për kompaninë e këpucëve FITAL, 2018 mund të thuhet se ishte një vit i mirë, por tendenca për sektorin nuk mund të cilësohet e tillë. Administratori Skënder Pashaj shprehet se ka një seri faktorësh që nuk japin optimizëm për sektorin.

Së pari, është ambienti i jashtëm, i përkufizuar nga kriza dhe rënia e konsumit.

Së dyti, rënia e fortë e euros në raport me lekun dhe mungesa e amortizatorëve realë në mbështetje të sektorit. Me këto kushte, edhe pse ende në fillim të vitit, Pashaj shprehet se ndoshta sektori do të jetë në të njëjtat nivele si viti 2018, ose me një tendencë të lehtë në rënie.

Si e vlerësoni vitin 2018 sa i përket ecurisë së sektorit?

Nga ajo që shohim, mendoj se është njëlloj si viti 2017, domethënë janë të njëjtat numra, me pak ndryshim dhe kur them ndryshim, kam parasysh që është pak më poshtë. Gjithsesi, nuk mund të them që ka ndonjë diferencë të madhe.

Cilat kanë qenë problematikat apo tendencat që keni vënë re në sektor gjatë 2018 dhe që nuk kanë pasur ndikim pozitiv?

Së pari, është ai që kemi folur edhe më parë dhe që lidhet me kursin e këmbimit. Ka një rënie të vazhdueshme të monedhës euro kundrejt lekut, që te ne automatikisht përkthehet në rritje të kostos së punës. Dikur, euro ishte 140 lekë, sot është 122 lekë. Ne punonjësit i paguajmë në lekë, shpenzimet i kemi në lekë, që do të thotë që na ndikon negativisht. Problemi i dytë lidhet me rimbursimin e TVSH-së që mbetet i pazgjidhur. Kjo është kthyer në një problem të madh për gjithë sektorin dhe nuk ka vullnet për ta zgjidhur. Ne e kemi kërkuar vazhdimisht që të merren masa për të respektuar afatet ligjore, por s’ka ndodhur asgjë, vazhdon njëlloj me vonesa.

Po lidhur me krahun e punës, a keni pasur probleme për të gjetur punonjës?

Jo, deri më tani nuk e kemi pasur këtë problem.

Po vitin 2019, si e prisni për nga ecuria e aktivitetit?

Është pak shpejt të themi sesi do të vijnë gjërat, plus që sot problemi nuk duhet parë vetëm brenda kornizave të vendit tonë, në krizë është bota dhe ka një rënie të përgjithshme të konsumit. Mund të ketë pak luhatje me rënie në raport me vitin e kaluar, por mbetet për t’u parë.

A ka nevojë sot sektori për masa stimuluese, në kushtet kur hasen vështirësi?

Në fakt, duke pasur parasysh goditjen nga kursi apo rënien e konsumit, sigurisht që duhet të merren masa për të amortizuar këtë pjesë. Vit pas viti, kushtet për sektorin janë vështirësuar, ndaj masat mbështetëse duhet të jenë një opsion që duhen marrë parasysh si amortizatorë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of