Në gjashtë muajt e parë të vitit ekonomia shqiptare “prodhoi” RRETH 200 vende të reja pune në muaj, ose vetëm 1270 të punësuar më shumë. Duke ju referuar të dhënave administrative të punësuarit në sektorin e privat (pa përfshirë të punësuarit në bujqësi dhe në sektorin shtetëror) ishin 1270 më shumë se në fund të vitit, sipas listëpagesave të dorëzuar në administratën tatimore të referuara nga INSTAT.
Sektori privat pa përfshirë bujqësinë numëroi 509,998 të punësuar në tremujorin e dytë nga 508,728 të punësuar në fund të vitit me një rritje 0.21 për qind.
Ndërsa burimi tjetër zyrtar i të dhënave të punësimit, Anketa e Forcave të Punës, tregon se rezultatet e punësimit janë mbresëlënëse. Në krahasim me fundin e vitit punësimi është rritur me 1.3 për qind ose me mbi 15 mijë persona rishtas, ku një pjesë e madhe i takojnë sektorit bujqësor.
Por po të krahasojmë të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës, e cila konsideron si të punësuar personat që marrin pagë në momentin që bëhet anketa me të dhënat administrative që konsiderojnë të punësuar ata që paguajnë sigurime ka një hendek, i cili evidenton punësimin informal në vendin tonë vijon të jetë në nivele të larta.
Banka Botërore, në bashkëpunim me Nismën e Vjenës, në raportin e 2019 për trendet e punësimit në Ballkanin Perëndimor, vuri në dukje se vitet e fundit, numri i përgjithshëm i punonjësve informalë është rritur, veçanërisht në Shqipëri dhe përbën rreth 37% e të punësuarve.
Në periudhën ndërmjet tremujorit të dytë të 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018, numri i të punësuarve informalë u rrit me 10,600 persona në Shqipëri. Në Shqipëri, një në tre persona është duke punuar në të zezë në raport me 1 në 5 persona të Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi.
Vetëpunësimi vazhdon të jetë lloji mbizotërues i punësimit informal, ndërsa nuk paguhet puna familjare.
Raporti evidenton se pothuajse gjysma e atyre që punojnë në të zezë janë të vetëpunësuar.
Puna në të zezë ka pasoja të prekshme në kohë. Raportimi jo i plotë (ose nën-raportimi) i kontributeve të sigurimeve shoqërore sot nënkupton relativisht mbulim të ulët ose përjashtim nga pensionet.
Vetëpunësimi informal dhe puna familjare e papaguar janë më të përhapura në sektorin e bujqësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.