Flet Emil Jaho, administrator DEA sh.p.k
DEA sh.p.k. operon prej vitesh në treg me një shtrirje në një pjesë të mirë të Shqipërisë, duke ruajtur një rritje graduale por nga shtatori i vitit të kaluar, punët duket se nuk po ecin dhe aq mirë në treg në përgjithësi.
Emil Jaho, administrator i kompanisë konfirmon ka një barrë të shtuar mbi këtë biznes, të paktën në aspektin e taksave, ndërkohë që investimet nga ana e kompanisë nuk kanë munguar, por kthimi i tyre është bërë gjithmonë e më i vështirë.
Sa vite keni që operoni në treg, çfarë shpërndarje kanë produktet e kompanisë?
Ne kemi të paktën 25 vjet që punojmë në tregun shqiptar. Kemi një shtrirje mesatare në gjithë Shqipërinë, duke lidhur kontaktet me rrjete të ndryshme të shpërndarjes. Prodhojmë lëngje frutash në paketime të ndryshme, përfshirë 2 litra, por edhe pije me gaz.
Si paraqitet situata lidhur me prodhimin, shitjet?
Po sipas mundësive që ofron tregu, ne kemi regjistruar rritje graduale vit pas viti, por nga shtatori i vitit të kaluar ka një rënie që ka vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti. Situata përkoi me nismën e antiinformalitetit që mori qeveria, pasi rënia ishte e menjëhershme, mesa duket nga klima e krijuar nga gjobat e vendosura. Kjo na krijoi probleme me pikat e vogla të shitjes të cilat u shkatërruan, duke na lënë në dorë të marketeve. Këta të fundit duan të negociojnë duke të mbajtur për një kohë të gjatë paratë një herë në disa muaj.
Po në aspektin e taksave, sa i favorizuar është ky lloj biznesi ose si paraqitet niveli i tyre në këndvështrimin tuaj?
Situata është vështirësuar. Rasti më i fundit i rritjes së taksës ka ndodhur para 6 muajsh dhe lidhet me lëndën e parë. Ne marrim në Europë lëngun e frutave apo purenë dhe më herët paguanim 20% të vlerës së saj. Tani kjo është rritur duke shkuar në 30%. Për të mos folur pastaj për kostot e tjera që kemi që lidhen me transportin taksat e tjera. Ne jemi sot një biznes në vështirësi. Kemi fitime minimale, veç për mbijetesë dhe nuk jemi trajtuar ndonjëherë me ndonjë paketë të veçantë, si sektor i veçantë prodhues.
Sa investim keni bërë në fabrikë dhe sa të punësuar keni në total?
Aktualisht kam të punësuar 50 punëtorë, që i përkasin kryesisht 5-6 familjeve. Sa u përket investimeve, vetëm i vjetshmi është diku tek 500-600 mijë euro. Investimin e bëra me kredi, nuk është se kam përfituar gjë nga grantet apo ndonjë subvencion. Linjën teknologjike e mora në Kinë dhe për të hyrë në këto skemat e granteve, duhet që linjën ta kesh marrë nga Europa. Gjithsesi nuk kam më plane për investime, sepse është bërë shumë e vështirë që të marrësh pas atë që ke dhënë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.