Sektori i shërbimeve është i vetmi sektor i ekonomisë në të cilin ka bilanc pozitiv sa i përket shkëmbimeve tregtare.
Kështu u tha në prezantimin e projektit të financuar nga BE “Asistencë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit – Direktivës së Shërbimeve të BE “, i cili si qëllim ka arritjen e përparimit në Tregun e brendshëm në Shërbime të integruara, e që do të ndihmojë realizimin e potencialit të konsiderueshëm sa i përket rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës në sektorin e shërbimeve në Europë.
Christof Stock, shef i zyrës së BE-së në Kosovë tha se BE-ja do ta mbështesë Kosovën që me sukses t’i zbatojë të gjitha dispozitat e MSA-së. Ndërsa tha se sektori i ndërtimit në Kosovë, është një prej sektorëve kryesor dhe ofrimi i shërbimeve, sa më të mira në këtë sektor do të jetë një kontribut në përfitimet reciproke për Kosovën dhe BE-në.
Ndërsa tha se reformat do të jenë të rëndësishme jo vetëm për shkak të MSA-së por dhe do ta mbështesin sektorin e shërbimeve në Kosovë, sepse ka rregulla të qarta, transparente dhe kjo është e rëndësishme për definimin e shërbimeve, që jepen si dhe kushteve për ata që i ofrojnë këto shërbime dhe në mbrojtjen e konsumatorit.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se sektori i shërbimeve është i vetmi sektor me një bilanc tregtar pozitiv. Ndërsa kërkoi mbështetjen e BE-së për liberalizimin e vizave, pasi që pengesa në lëvizjen e lirë sipas saj po pengon dhe shkëmbimet tregtare.
Ndërsa zëvendësministri i Integrimeve Evropiane Ramadan Ilazi tha se ky është një projekt i rëndësishëm në fushën e shërbimeve./KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.