Zyrtarët e Afrikës së Jugut kanë sekuestruar një superjaht dhe dy shtëpi luksoze në pronësi të zëvendëspresidentit të Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Nguema Obiang.
Gjykata urdhëroi sekuestrimin pasi biznesmeni vendas Daniel Janse van Rensburg fitoi një padi kundër Obiang për arrestim dhe torturë të paligjshme.
Ai ka kërkuar kompensim prej rreth 2.2 milionë dollarë.
Ai thotë se u ndalua në mënyrë të paligjshme në Guinenë Ekuatoriale për rreth 500 ditë, pasi një marrëveshje biznesi shkoi keq.
Zëvendëspresidenti, djali i sundimtarit më jetëgjatë në botë, nuk ka komentuar ende për këtë rast.
Ai dhe presidenti Teodoro Obiang Nguema Mbasogo janë akuzuar prej kohësh se e shohin vendin e pasur me naftë, si çifligun e tyre personal dhe për keqpërdorim të pasurisë dhe burimeve.
Ky është i fundit në një varg vendimesh të lëshuara kundër tij nga gjykatat në mbarë botën.
Ndërkohë, pritet që pasuritë e sekuestruara të nxirren në ankand.
Z. Van Rensburg ka zhvilluar një betejë të gjatë ligjore kundër zëvendëspresidentit në gjykatat e Afrikës së Jugut. Vitin e kaluar ai botoi një libër se si një udhëtim pune në Guinenë Ekuatoriale në 2013 “u shndërrua në një udhëtim në thellësitë e ferrit” i ndjekur me një burgim të tmerrshëm në burgun famëkeq të Plazhit të Zi.
Biznesmeni kishte krijuar një linjë ajrore në Guinenë Ekuatoriale me një politikan vendas, i cili u tërhoq nga sipërmarrja në minutën e fundit dhe kërkoi një rimbursim financiar.
Mosmarrëveshja bëri që politikani t’i telefononte zëvendëspresidentit Obiang dhe “brenda 10 minutash” një njësi elitare e forcave të sigurisë “mori Danielin dhe e hodhi në burgun e Black Beach”, citohet të ketë thënë avokati.
Obiang shihet gjerësisht si i përgatitur nga babai i tij, i cili ka qenë në pushtet për 43 vjet, për ta pasuar atë.
Muajin e kaluar, ai urdhëroi arrestimin e gjysmëvëllait të tij për shitjen e një avioni.
Gjysmëvëllai i tij pretendohej se kishte futur në xhep të ardhurat e shitjes. Ai nuk i ka komentuar publikisht këto akuza.
Zëvendëspresidenti, i njohur për stilin e tij luksoz të jetesës, ka pasur gjithashtu problem me drejtësinë.
Në vitin 2014, autoritetet amerikane sekuestruan një rezidencë prej 30 milionë dollarësh në Malibu dhe pasuri të tjera, përfshirë një makinë Ferrari, duke thënë se ato ishin blerë me të ardhura nga korrupsioni.
Dy vjet më vonë, prokurorët zviceranë sekuestruan 11 makina luksoze që i përkisnin atij. Makinat, mes tyre Bugatti, Lamborghini, Ferrari, Bentleys dhe Rolls Royce, u shitën në një ankand për rreth 27 milionë dollarë.
Ai gjithashtu u gjobit dhe iu dha një dënim me kusht nga një gjykatë franceze në vitin 2021 për përdorimin e parave publike për të financuar një mënyrë jetese luksoze në kontinentin europian.
Zëvendëspresidenti e mohoi keqbërjen.
Në të njëjtin vit, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione “anti-korrupsion” ndaj tij.
Zyrtarët thanë se ai kishte një koleksion me relike të Michael Jackson, duke përfshirë një dorezë të mbuluar me kristal prej 275,000 dollarësh, të cilën këngëtari i ndjerë e kishte veshur në turneun e tij Bad, në vitet ‘80.
Mbretëria e Bashkuar tha se sanksionet e reja kishin në shënjestër individët që “kishin mbushur xhepat e tyre në kurriz të qytetarëve të tyre”./BBC