Ndodhet në Sicili, zona arkeologjike më e madhe në Europë. Po flasim për qytetin e vjetër grek të Selinunte, në bregdetin perëndimor, në pjesën jugore të krahinës së Trapanit.
Këtu takohen miti, legjenda dhe historia duke iu dhuruar një udhëtim emocionues. Parku shtrihet në një hapësirë rreth 270 hektarë dhe përfshin 7 tempuj, disa prej të cilëve të ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, kisha, varre të vjetra, Cave di Cusa (sit arkeologjik sicilian, në territorin Campobello di Mazara, në jugperëndim të Castelvetrano, në krahinën Trapani, 13 km në verilindje të rrënojave të Selinunte) dhe vende të ndryshme me interes.
Për ta vizituar këtë zonë nevojiten të paktën katër orë dhe ju mund të zgjidhni midis disa itinerareve, nga ata më të shkurtër tek ata më të plotë, ku do të zbuloni më shumë se 2500 vjet histori..
Vizita më e shpejtë, e cila zgjat 40 minuta, përfshin një ndalesë të vetme – Collina Orientale (Kodrën Lindore) me Tempujt E, F, G, në zonën menjëherë përpara hyrjes kryesore të Parkut Arkeologjik. Pavarësisht se është një vizitë shumë e shkurtër ju mund të vizitoni Tempullin E (atë në gjendjen më të mirë të ruajtur) që ndodhet në kodrën në lindje të akropolit të qytetit dhe Tempullin G, me rrënojat e disa prej tempujve të qytetit grek, i cili mund të ketë qenë më i madhi në të gjithë zonën arkeologjike.
Ata që dëshirojnë të vizitojnë të katër zonat kryesore me interes të Parkut Arkeologjik, mund të zgjedhin itinerarin më të gjatë, i cili zgjat katër orë, në një rrugëtim prej 5 kilometrash. Është e rëndësishme që ju të keni me vete ujë, kapele dhe kremin kundër diellit dhe të jeni i përgatitur për një udhëtim që kërkon angazhim.
Vizita nis nga hyrja e Kodrës Lindore, duke vazhduar më pas në Tempujt E, F, dhe G. Nga këtu ju do të filloni ngjitjen drejt Akropolit, me Tempujt A dhe O, C e D, dhe gërmimet e fundit të Tempullit R, për të arritur tek Santuario della Malophoros në Collina della Gaggera (Kodra Gaggera) vendi i parë i kultit në zonë. Rrugëtimi përfundon me Collina della Manuzza (Kodrën Manuzza), ku mund të admironi rrënojat e zonës së banuar Selinunte, me planimetritë urbane ende të dukshme.
E themeluar në vitin 650 para Krishtit, Selinunte ndodhet mbi dy kodra të bashkuara nga një rrip i ngushtë toke që vështron Mesdheun, mes dy lumenjve atëherë të lundrueshëm Selinos (sot Modione) në perëndim dhe Cottone në lindje. Falë pozicionit strategjik, kështjella tërheqëse është e lidhur me atraksionet e afërta turistike dhe lehtësisht e arritshme me makinë nga qytetet kryesore të Sicilisë perëndimorë.