Ndodh shpesh që në trotuaret e kryeqytetit të shohim turma fermerësh që shesin produktet e tyre. Perime, fruta dhe pak më tutje një tog me plehëra, kjo është panorama e tregtimit të produkteve bujqësore në Shqipëri. Megjithëse shumica e fermerëve shqiptarë tregtojnë produktet e tyre në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, përsëri ata ankohen për mungesë të ndihmës së shtetit, të kredive bankare dhe për konkurrencë të pandershme. Këto janë dhe arsyet kryesore që fermerët shqiptarë mezi mbijetojnë në tregun bujqësor shqiptar. Një problem tepër shqetësues për fermerët shqiptarë janë dhe nënshkrimi i Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë (MTL-ve), pasi të gjithë fermerët shqiptarë nuk ndihen ende gati për të konkurruar në tregjet e rajonit. Sipas specialistëve, fermerët shqiptarë prodhojnë me mjete primitive, kanë produkte me cilësi më të dobët, si dhe kosto më të lartë se konkurrentët europianë. E vetmja zgjidhje që sugjerojnë ekonomistët e agrobiznesit, është bashkimi i tokave dhe prodhimi kolektiv i produkteve bujqësore. Kjo është e vetmja mënyrë për të prodhuar produkte bujqësore me cilësi dhe për të eksportuar dhe në tregjet rajonale. Një fermer i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, pasi nuk i ka mundësitë financiare dhe nuk ka asnjë ndihmë konkrete nga shteti, thotë Agim Rrapaj, kryetar i Shoqatës së Agrobiznesit shqiptar. Për t i sjellë më konkrete problemet e agrobiznesit, Monitor i është drejtuar disa prej tyre.Intervistë me Besim Çollaku, specialist i Planifikimit Bujqësor në Agjencinë e Zhvillimit të Zonave MalorePër të përmirësuar gjendjen ekonomike të fermerëve në zonat malore dhe për t i ndihmuar financiarisht këta të fundit është hartuar një program zhvillimi nga MADA (Agjencia Rajonale e Zhvillimit të Zonave Malore) në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë. Programi ka një shtrirje kohore prej 6 vjetësh. Prioritet i këtij programi janë zhvillimi i sektorve primarë të agrobiznesit si zhvillimi i blegtorisë, i vreshtarisë i fruti- kulturës dhe bimëve mjekësore. Cilat janë problemet që kanë fermerët shqiptarë sot në vend?Përsa i përket problemeve të fermerëve pengesat janë të shumta, por problematika është e njëjtë për gjithë Shqipërinë. Sot, fermerët hasen me vështirësi në gjetjen e tregut, pra kanë pengesa përsa i përket tregtimit të produkteve të tyre, si dhe nuk kanë asnjë ndihmë financiare nga bankat me kushte lehtësuese. Ndërsa një nga problemet thelbësore që kemi evidentuar ne, është dhe diferenca e madhe që ekziston ndërmjet çmimit të shitjes me pakicë dhe atij me shumicë. P.sh., një kg djath kaçkavall me shumicë fermerët e shesin me 500 lekë, ndërsa tregtarët me 700 lekë. Pra, është një diferencë mjaft e madhe. Po, për Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë ç mund të thoni ? Si i kanë pritur fermerët shqiptarë?Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë tashmë janë përcaktuar dhe nuk ka kthim mbrapa, por fermerët shqiptarë janë akoma të papërgatitur për t i pranuar këto marrëveshje dhe për të konkurruar në tregjet europiane. Ndërsa, përsa i përket të ardhmes, janë me leverdi. Fermerët shqiptarë prodhojnë ende me mjete primitive dhe kosto të lartë, pasi ndarja e tokës me copa ka bërë që të jetë e pamundur që një fermer i vetëm të përballojë tregun. E vetmja zgjidhje, që fermerët shqiptarë të konkurrojnë denjësisht në tregjet europiane është bashkimi i tokave dhe puna e përbashkët e tyre.Po konkurrenca, si është në tregun bujqësor shqiptar?Konkurrenca është kaotike, nuk ka rregulla të përcaktuara loje. Fakti është që tregu shqiptar mbushet dhe zbrazet me prodhime të ndryshme shumë shpejt, saqë fermerët nuk arrijnë të orientohen dhe e kanë shumë të vështirë të ambientohen me këtë lloj tregu. Meqenëse tregu është i pastabilizuar, ka momente që një kërkesë e madhe për produkte bujqësore nuk përballohet dhe anasjelltas. Pra, ne vuajmë nga periodiciteti i prodhimit dhe kjo është edhe sëmundja e agrobujqësisë shqiptare.Lëndën e parë nuk e sigurojmë dot në vendFlet Klement Piro, administrator shitjesh në fabrikën e verës Meshini Këlcyrë, PërmetFabrika Meshini prodhon verë dhe e shet pas një viti, pasi vera merr formën e duhur. Kjo është dhe pika jonë e suksesit, pasi prodhojmë verë dhe e hedhim në treg të vjetëruar, brenda gjithë normave dhe parametrave teknologjikë që kërkon tregu. Aktualisht, verën e tregtojmë në të gjithë Shqipërinë dhe kemi formuar një klientelë të përhershme. Në Tiranë dhe Durrës kemi 80 lokale, që i furnizojmë me verë. Vera që ne prodhojmë, ka ecur mirë dhe është shitur pothuajse e gjitha. Një shishe verë kushton nga 250 lekë në 450 lekë, megjithëse çmimi i verës varion nga cilësia e verës. Prodhojmë rreth 2 ton verë Merlot në vit, e cila është me një firmë të veçantë mbi shishe, që e bën dhe më të besueshëm mallin. Klienti është mbret. Ai zgjedh, provon. Kështu, nuk na është dashur të bëjmë promocion të produkteve tona. Përsa i përket problemeve që ka industria e verës në tërësi, mendoj se janë të mëdha. Tregu shqiptar dhe fermerët në vend nuk na furnizojnë dot me lëndë të parë, d.m.th. rrush. Mungesa e lëndës së parë ka qenë një problem, të cilin e kemi zgjidhur duke mbjellë dhe shfrytëzuar vreshtat tona, pasi rrushi i importit nuk ka pasur cilësitë e nevojshme që kërkon prodhimi i verës Merlot. Aktualisht, rrushin ua paguajmë fermerëve të zonës së Përmetit më përpara prej rreth 5 muajsh, me qëllim që ta kemi të garantuar lëndën e parë në vend. Një problem tjetër që ne na shqetëson në industrinë e verës, është konkurrenca e pandershme në tregun e verës dhe të pijeve në tërësi. Ka fshatarë që prodhojnë verë të bërë vetë dhe e shesin jashtë kushteve dhe standardeve higjieno-sanitare, që kërkon tregu. Kjo lloj vere e markës BMV (e bërë vetë) hidhet në treg me një çmim shumë më të mirë se produktet tona edhe pse është me një cilësi shumë të dobët. Mirëpo konsumatori shqiptar i prirur për të blerë produkte me çmime të ulëta blen verën e bërë vetë. Këto produkte prishin gjithë ekuilibrin e tregut, duke humbur jo vetëm ne si prodhues, konsumatori, por edhe shteti. Ky i fundit duhet të bëjë kontrolle me qëllim që ta shmangë këtë lloj evazioni nga prodhuesit e vegjël në treg. Ne kemi eksportuar dhe në Itali e Greqi dhe na duken tregje me leverdi të madhe. Ndërsa përsa i përket marrëdhënieve të tregtisë së lirë, ne na kanë dëmtuar. Kosovarët tregtojnë verë me çmime shumë më të lira se ne dhe nuk kemi leverdi të tregtojmë në Kosovë. Tregtarët e verës kosovarë na kanë dëmtuar se shesin verë me çmime më të ulëta e cilësi më të dobët.Kërkojmë kredi nga bankatFlet Baftaj Mulaj, fabrika e përpunimit të qumështit Mulaj PërmetProblemi më i madh në industrinë e bulmetit mbetet kreditimi nga bankat. Unë kam tre baxho që prodhoj djadhë, ku janë të punësuar rreth 8 persona dhe prodhoj 3-4 ton djath në muaj. Për ndërtimin e baxhove të djathit kam investuar rreth 10 milion lekë. Por, kjo nuk mjafton pasi fermerët dhe prodhuesit e djathit në vend vuajnë nga mungesa e kreditimit. Ne kërkojmë ndihmë financiare nga shteti dhe bankat me kushte të favorshme, pasi kushtet e kredisë që na ofrojnë bankat, janë të papërballueshme nga ne. Banka jep kredi me 15% interes në vit dhe kërkon ta shlyejmë kredinë para daljes së prodhimit, gjë, që është e papërballueshme nga ne si fermerë, sepse nuk i kemi kapacitetet për ta paguar kredinë menjëherë dhe pa shitur prodhimin. Problem tjetër është konkurrenca në sektorin ku unë punoj, e cila është e pandershme dhe është një nga shqetësimet tona kryesore. Ne paguajmë taksa e tatime konform rregullave, ndërsa fshatarët ambulantë nuk paguajnë asgjë dhe na konkurrojnë me çmime të ulëta dhe cilësi shumë të dobët. Këtu duhet të ndërhyjë shteti me organet kompetente për t i eliminuar këto abuzime në treg. Ka mjaft ambulantë që prodhojnë djathë dhe bulmet jashtë kushteve higjieno-sanitare. Aktualisht, tregtoj prodhime bulmeti në të gjithë zonën e Përmetit, por synimi ynë është tregu kosovar. Nëse arrijmë të shkojmë deri në Kosovë, mendoj se do të fitojmë mjaft. Ndihma zeroFlet Ymerli Luli, përfaqësues i punishtes së verës Luli PogradecNe kemi punishte artizanale të prodhimit të verës ku prodhojmë deri në 15 ton verë në vit. Punishten e kemi hapur që në vitin 1993 dhe çdo investim e kemi përballuar me forcat tona. Lëndën e parë rreth 30 ton rrush në vit e prodhojmë nga ferma jonë, ndërsa pjesën tjetër të rrushit e blejmë nga vreshtarët e zonës. Problem në industrinë e verës është konkurrenca e pandershme. Na dëmton shumë vera ambulante që prodhohet nga fermerët pa licencë. Këta të fundit prodhojnë me cilësi të dobët dhe shesin me çmim të ulët, duke na konkurruar në mënyrë të padrejtë. Aktualisht, ne tregtojmë verë në të gjithë vendin. Përsa i përket tregut kosovar për ne si prodhues vere nuk është me leverdi, pasi në Kosovë prodhohet verë industriale dhe me kosto më të ulët. Ndërsa ne prodhojmë verë cilësore dhe me kosto më të lartë. Pra, nuk kemi leverdi të tregtojmë në Kosovë. Problem për ne si prodhues vere janë taksat e tatimet, pasi vetëm një pullë fiskale kushton 30 lekë, pa llogaritur ambalazhin e prodhimin. Problem tjetër është dhe kreditimi nga bankat, të cilat na kanë ofruar ndihmë, por kërkojnë si garanci hipotekën e një pasurie të paluajtshme në qytet, ndërkohë që ne i kemi shtëpitë e pasuritë në fshat. Kështu që ndihma nga bankat për fermerët shqiptarë është zero. As shteti, as bankat nuk na kanë dhënë ndonjë ndihmë konkrete. Megjithëse synimi ynë është tregu europian dhe shteti duhet të na ndihmojë që prodhimet shqiptare, që janë shumë cilësore, të tregtohen dhe në tregjet europiane se na mbytën mallrat e importit. Synojmë eksportinFlet Yqmet Mino, përfaqësues i firmës së prodhimit të drurit Mino Këlcyrë, PërmetAktualisht, fabrika të këtij lloji janë vetëm dy në Shqipëri. Në punishten Mino prodhohen fuçi druri për verë, konjak, raki e djath. Kam rreth 10 vjet që prodhoj voza të tilla me garanci 1-vjeçare. Tregtoj në të gjithë Shqipërinë dhe punoj me porosi për klientë të veçantë. Interes të veçantë për prodhimet e artizanatit prej druri ka pasur nga tregtarët grekë dhe italianë. Por nuk eksportoj dot, sepse nuk kam mundësi financaire dhe as mbështetje nga shteti. Një problem tjetër në industrinë e përpunimit të drurit sot në vend është mungesa e lëndës së parë, drurit, i cili sigurohet me pakicë në vend, pasi nuk ka me shumicë. Rathët e vozave i importojmë nga Greqia dhe te ne mbërrijnë dorë e tretë apo e katërt. Na kushton mjaft lënda e parë dhe çmimet i mbajmë minimale, pasi fshatarët nuk i përballojnë dot. Mundësitë për eksport janë të mëdha, pasi tregu grek dhe ai italian janë me leverdi për industrinë e drurit, sidomos për artizanatin shqiptar. Por ne nuk kemi viza për të tregtuar në këto vende. Unë kam aplikuar disa herë për vizë në Ambasadën Greke, por nuk kam marrë dot vizë. Problem tjetër për ne është edhe kreditimi. Ne investojmë shumë pak, pasi nuk kemi mundësi. As bankat, as shteti nuk na ndihmojnë me kredi. Kam investuar në fabrikë rreth 3 milion lekë me forcat e mia dhe me mund të madh. Ne kërkojmë kredi me kushte të favorshme dhe jo të humbasim nga kreditë që japin bankat sot, pasi kushtet që na vendosin, janë të papërballueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.