Serbia shpalli një tender për privatizimin e kompanisë bujqësore Poljoprivredna Korporacija Beograd (PKB) me një çmim fillestar prej 104.6 milionë eurosh (121.2 milionë dollarësh), deklaroi Ministria e Ekonomisë, shkruan SeeNews.
Tenderi është i hapur për personat juridikë që kryesisht veprojnë në sektorin e bujqësisë dhe tregtinë e produkteve bujqësore, sqaron njoftimi i publikuar në faqen online të Ministrisë së Ekonomisë. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 10 shtator e këtij viti.
Filialet PKB-së, EKO-LAB, PKB Agroekonomik dhe Veterinarska Stanica PKB gjithashtu janë në shitje si pjesë e këtij tenderi. Njoftimi, për një shitje të mundshme të PKB-së është publikuar muajin e kaluar edhe nga përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Serbi, Sebastian Sosa.
Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme për të gjetur një investitor strategjik për kompaninë, qeveria vendosi të shpallë një tender për shitjen e PKB-së ose të fillojë procedurat e falimentimit për të mundësuar burime nga buxheti që mund të përdoren për qëllime të tjera, shtoi z. Sosa.
Në shkurt të vitit 2017, ministri serb i Ekonomisë, Goran Knezheviç, tha se qeveria kishte për qëllim të shiste PKB-në deri në fund të vitit 2017. Në fillim të këtij viti, mediat vendase njoftuan se dy kompani serbe, MK Group dhe kompania e përpunimit të mishit, Industrija Mesa Matijevic, po tregonin interes në blerjen e PKB-së.