Banka Qendrore e Serbisë, NBS, rishikoi parashikimin për zhvillimin ekonomik të vendit dhe tani pret një rritje prej 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2021, kundrejt një rritjeje prej 6.0% të parashikuar më parë, deklaroi të mërkurën, guvernatorja Jorgovanka Tabakovic.
“Mbështetur në treguesit e gjashtë muajve të parë dhe zhvillimet në sektorët kryesorë të ekonomisë serbe deri në fund të vitit, ne e rishikuam parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2021, nga 6.0% në 6.5%”, tha Tabakovic në prezantimin e raportit të inflacionit të NBS për gushtin 2021, të publikuar në faqen online të bankës.
Niveli i PBB-së para krizës u tejkalua në tremujorin e parë, tre muaj më herët në krahasim me vlerësimet fillestare, dhe rimëkëmbja vazhdoi në tremujorin e dytë, kur ekonomia e Serbisë u zgjerua me 13.4% në bazë vjetore, tha Tabakovic. “Ky rezultat reflekton tendencat e favorshme që nga mesi i vitit 2020”, vuri në dukje ajo.
Në maj, Tabakoviç tha se Banka Qendrore parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit të rritet me të paktën 6% në vitin 2021, i nxitur nga rimëkëmbja e kërkesës së jashtme.
Në qershor, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha se parashikon që PBB-ja e Serbisë të rritet me 6% në vitin 2021, kryesisht falë rimëkëmbjes së konsumit dhe rritjes së investimeve publike.