Nënkryetarja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për operacionet në Ballkanin Perëndimor, zhvilloi një takim online me kryeministren serbe Ana Brnabić, për të diskutuar mbi planet e investimeve të Bankës Europiane të Investimeve (BEI) për Serbinë. BEI ritheksoi angazhimin për të ndihmuar rajonin në rimëkëmbjen ndaj COVID-19 dhe për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat dhe transformimin e rajonit në një ekonomi më ekologjike dhe të dixhitalizuar.
BEI shprehu mbështetjen për hartimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në Serbi, për investime në projekte të gjelbra dhe dixhitale dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. BEI do të vazhdojë të investojë në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), transportin dhe infrastrukturën e menaxhimit të ujërave të ndotura, si dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimin në të gjithë vendin.
Vetëm në 10 vitet e fundit, BEI ka investuar mbi 8 miliardë euro në rajon për modernizimin e infrastrukturës vitale dhe zhvillimin e sektorit privat. Dixhitalizimi do të vazhdojë të jetë përparësi kryesore e BEI-t pasi përmirëson aftësinë konkurruese të ekonomisë dhe i ndihmon organet publike në ndërtimin e rezistencës gjatë emergjencave në mënyrë më efektive.
Për transformimin dixhital, BEI ofroi 65 milionë euro në vitin 2020 për përdorimin e pajisjeve të IT-së dhe internetit me shpejtësi të lartë në shkollat serbe. BEI do të nxisë edhe kalimin në një furnizim më të pastër, më të larmishëm të energjisë së rinovueshme në rajon, duke zhvilluar projekte të reja të eficencës së energjisë.
Nënkryetarja Lilyana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet e BEI-së në Serbi, tha: “Kriza COVID-19 solli sfida të jashtëzakonshme që kërkojnë një transformim afatgjatë në një ekonomi më të gjelbër dhe më të dixhitalizuar, inovative dhe elastike. Si një partner i vjetër për Serbinë dhe rajonin, BEI do të vazhdojë të ofrojë ndihmë financiare dhe teknike në lehtësimin e këtij tranzicioni që do të nxisë konkurrencën, produktivitetin dhe rritjen, si dhe integrimin me tregun rajonal. Serbia do të zërë vendin e duhur brenda zinxhirëve të BE-së dhe do të tërheqë investime që do të gjenerojnë mundësi të reja punësimi, inovacion dhe prosperitet ekonomik”.
Kryeministrja e Republikës së Serbisë Ana Brnabić deklaroi: “Bashkëpunimi i suksesshëm i Serbisë dhe BEI-t për projektet e mëparshme ka dhënë rezultat gjatë pandemisë. Ka qenë i dukshëm kryesisht në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe gatishmërinë e spitaleve dhe qendrave mjekësore në Republikën e Serbisë, për t’iu përgjigjur pandemisë.
Përveç kësaj, ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj BEI-t për investimet në qendrat e teknologjisë shkencore në Serbi që na mbështesin në ndërtimin e ekonomisë së bazuar në inovacione, dhe për të gjitha projektet e tjera siç janë shkollat e lidhura online, të cilat kanë kontribuar dukshëm në rezultatet e mira ekonomike në vitin 2020”.
Pas paketës financiare prej 1.7 miliardë eurosh të BEI-t, të miratuar në maj për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të zbusin efektet negative të krizës COVID-19, banka e BE-së ka mobilizuar mbi 1 miliard euro për rajonin në vitin 2020. Fondet janë alokuar për mbështetjen e ekonomive lokale, kujdesin shëndetësor dhe sektorë të tjerë të infrastrukturës, për të adresuar deficitet më urgjente dhe për të ndihmuar në ndërtimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ndaj emergjencave. Fonde të konsiderueshme iu dhanë NVM-ve për të ndihmuar në ruajtjen e likuiditetit, vazhdimësisë së biznesit dhe punësimit.