Banka Europiane e Investimeve (BEI) vazhdon të mbështesë zhvillimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pastër dhe atyre të kanalizimeve në Serbi, nëpërmjet një granti të ri prej 10 milionë eurosh. Granti për bashkitë lokale në Serbi do të përmirësojë sistemin e ujit të pastër për rreth 600,000 banorë dhe do të kontribuojë në zvogëlimin e ndotjes së tij në të gjithë vendin.
Granti është një donacion i tetë shteteve anëtare të BE-së dhe njëkohësisht më i madhi i ndarë në Ballkanin Perëndimor dhe aktiviteti i parë i mbështetur në Serbi. Aktiviteti është pjesë e një investimi prej 80 milionë eurosh në sistemin e furnizimit me ujë të pastër dhe atë të kanalizimeve në Serbisë, financuar edhe nga një hua prej 40 milionë eurosh e nënshkruar në maj 2019, ndërsa pjesa e mbetur e investimit do të sigurohet nga buxheti qendror dhe ai lokal. Partnerët serbë nga bashkitë e ndryshme do të kontribuojnë në këtë projekt nëpërmjet zhvillimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm. Zbatimi i projekteve është planifikuar të ndodhë ndërmjet 2019-2024.
Granti për investimet u nënshkrua nga menaxherja e Bankës Europiane të Investimeve për Serbinë, Anna Solecki dhe drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Investimeve Publike, Marko Blagojeviç. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ambasadori i BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, shefja Rajonale e Zyrës së Bankës Europiane të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Dubravka Nègre dhe ambasadorët e Italisë dhe Polonisë, Carlo Lo Cascio dhe Andrzej Kindziuk, morën gjithashtu pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç tha: “Ne po vazhdojmë të përmirësojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve të Serbisë. Duke rritur dhe duke përmirësuar sistemin e furnizimit në vend, ne do të kemi cilësi më të mirë të ujit të pijshëm dhe një sistem më efikas. Një falënderim i madh shkon për BEI-në, sepse ajo dëshmoi edhe një herë se ishte një ndër partnerët më të besueshëm të Serbisë në disa prej projekteve të saj më të rëndësishme, ku mund të përmendim: Qendrën Klinike në Nish, Korridori 10 dhe Parqet Teknologjike dhe Shkencore”.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Serbi, Sem Fabrizi theksoi: “Ky kontribut i rëndësishëm i BE-së, në grantin dhe huanë preferenciale, thekson edhe një herë faktin se pranimi në BE është i përqendruar në projekte shumë konkrete. Furnizimi efikas me ujë dhe sistemi i kanalizimeve të reja do t’ua lehtësojë jetën gjysmë milion njerëzish dhe do të përkthehet edhe në rezultate të dukshme të angazhimit të Serbisë në drejtim të reformave dhe përpjekjeve që ajo po bën për t’u pranuar në BE.
Aderimi në BE është një proces i gjatë, por rritja e mirëqenies së qytetarëve do të ketë sigurisht ndikim pozitiv në këtë drejtim. Në çdo rast, mjedisi është një pikë e rëndësishme. Mesazhi kryesor i fushatës sonë “EUzaTebe” është që të evidentojë çdo gjë që BE-ja po bën për secilin qytetar në Serbi”.
Drejtori i Bankës Europiane të Investimeve për Kroacinë, Italinë, Maltën dhe Ballkanin Perëndimor, Miguel Morgado u shpreh: “Ashtu si Banka e Bashkimit Europian, Banka Europiane e Investimeve ka investuar në Ballkanin Perëndimor për më shumë se 40 vjet, duke sjellë me vete ekspertizën dhe angazhimin e saj, instrumentet e financimit dhe për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Vetëm në 10 vitet e fundit, BEI siguroi më shumë se 8 miliardë euro për të financuar projekte të ndryshme në rajon, ku pothuajse gjysma e kësaj shume është investuar në Serbi. Granti do të ndihmojë që investimet në Republikën e Serbisë të jenë më të përballueshme dhe mbi të gjitha, më të qëndrueshme, tha në fund z. Morgado.