Banka Europiane e Investimeve (BEI) po vazhdon të ndihmojë në përmirësimin e standardeve mjedisore dhe sociale në Serbi, nëpërmjet një kredie prej 35 milionë eurosh.
Kjo kredi për qytetin e Beogradit do të financojë sistemin e kanalizimeve dhe një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Bashkinë e Palilula, që ndodhet në bregun e majtë të lumit Danub. Projekti do të ndihmojë në sigurimin e kushteve më të mira sanitare dhe të jetesës për afro 170,000 njerëz, do të kontribuojë në uljen e ndotjes së mjedisit dhe do të rrisë mbështetjen e BEI për sektorin e mjedisit, në përputhje me strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Përveç kredisë së BEI-së, ky investim do të përfitojë edhe nga një grant prej 1,1 milionë eurosh ndihmë teknike, e mundësuar nga Iniciativa e Rezistencës Ekonomike për të mbështetur Qytetin e Beogradit në përgatitjen dhe zbatimin më të mirë të këtij projekti.
Pjesa e mbetur prej 52 milionë eurosh në financim do të sigurohet nga buxheti i komunës. Huaja u nënshkrua disa ditë më parë në Luksemburg nga Miguel Morgado, Drejtor i Departamentit të Operacioneve të Huadhënies të BEI në detin Adriatik dhe Goran Vesic, Nënkryetar i Qytetit të Beogradit.
“Ne presim me padurim që ky projekt kompleks të përfundojë ashtu siç është planifikuar, sipas standardeve më të mira europiane, dhe të mbështesim projekte të tjera shumë të nevojshme në sektorin e mjedisit, duke kontribuar në mbrojtje të klimës, si një nga përparësitë kryesore të ditëve të sotme”, u shpreh Miguel Morgado.
Nëpërmjet kreditimeve të saj të fundit dhe sidomos në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Europian, BEI po vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e njerëzve të rajonit, nëpërmjet mbulimit të një game të gjerë sektorësh strategjikë.