Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe donatorët, do të rrisin mbështetjen e tyre për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në Serbi, duke ofruar financime të reja për Erste Bank, e cila do të japë fonde për bizneset vendase të dëmtuara nga pandemia COVID-19.
Fondet do t’u mundësojnë NVM-ve të investojnë në teknologjitë e gjelbra me performancë më të mirë dhe të përmirësojnë standardet dhe proceset e punës. Investime të tilla synojnë t’i afrojnë NVM-të vendase me standardet e Bashkimit Europian dhe ato ndërkombëtare, duke rritur konkurrencën e tyre si në tregun vendas, ashtu edhe atë të jashtëm.
NVM-të do të përfitojnë gjithashtu nga grante deri në 15% të shumës së kredisë. Grantet financohen nga Luksemburgu, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Fondit të Ndikimit të Biznesit të Vogël dhe pritet të marrin pjesë edhe donatorë të tjerë.
Programi do të ndihmojë edhe zgjerimin e ekonomisë së gjelbër, duke promovuar investime në përmirësimin e efikasitetit të energjisë. Rreth 70% e financimit të programit do të ndahet për investime në teknologjitë e kursimit të energjisë dhe të gjelbër, ndërsa pjesa tjetër do të mbështesë investimet në automatizim, rritjen e produktivitetit, cilësinë e produktit dhe sigurinë.
Jasna Terzić, CEO i Erste Bank Serbia, tha: “Erste Bank, si një nga bankat kryesore në financimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në Serbi, ka punuar për shumë vite, për të krijuar një mjedis që promovon menaxhimin më efikas të burimeve dhe të energjisë, me synimin për të jetuar në një mjedis më të shëndetshëm dhe më të mirë.