Kursimet buxhetore të qeverisë serbe gjatë tremujorit të parë të 2017 arritën vlerën 480 milionë euro (515.95 milionë dollarë). Sipas Aleksandar Vuçiçit, vetëm 10% e asaj shume do të përdoret në industrinë e mbrojtjes.
Ai tha gjithashtu se nga eksportet e armëve dhe pajisjeve ushtarake pritet që këtë vit të gjenerohen rreth 550 milionë euro, në krahasim me 449 milionë euro të vitit të kaluar.
Ne kemi rënë dakord të investojmë shuma të mëdha parash në këtë industri, sepse duke qenë se kemi një treg të sigurt për më shumë se një dekadë, atëherë edhe ne duhet të investojmë në prodhim, u shpreh Vuçiç në një konferencë për shtyp pas takimit me drejtues të lartë të këtij sektori.
Duke u bazuar edhe tek rritja e kërkesës në tregun global të armëve, ai tha se fondet do të përdoreshin për të zhvilluar fabrika të reja dhe për të përmirësuar ato ekzistuese. Serbia eksporton armë të vogla, sisteme artilerish, raketa, municione dhe pajisje të ndryshme në rreth 173 kompani të licencuara në dhjetëra vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin, Kanadanë, Mianmarin dhe Arabinë Saudite.
Në shkurt, asistenti i ministrit të Mbrojtjes, Nenad Miloradoviç tha se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një prej tregjeve më të rëndësishme, shtet me të cilin Serbia ka aktualisht shumë kontrata aktive, vlera e të cilave shkon deri në 220 milionë dollarë.
Kursimet në buxhet janë akumuluar nga reformat strukturore dhe mbledhja e saktë e taksave.
Deficiti buxhetor i Serbisë pritet të jetë rreth 1.2% e PBB-së gjatë këtij viti, nga 2.1% e PBB-së që ishte në fund të 2016, ndërsa rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3%.
Vuçiç u shpreh se Beogradi ka marrë së fundmi nga Rusia, gjashtë avionë MiG-29, 30 tanke të blinduar dhe nëntë helikopterë nga Airbus.
Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2017 përbën 1.39% të PBB-së, ose rreth 503 milionë dollarë. Vendi është ushtarakisht neutral dhe përpiqet që të mbajë të qëndrueshme marrëdhënien e tij si me NATO-n ashtu edhe me dhe Rusinë, aleancën e tij tradicionale sllave dhe ortodokse.