Kompania me bazë në Dubai, një prej kompanive lider në drejtim të transportit detar të mallrave dhe një prej operatorëve kryesorë në drejtim të ofrimit të shërbimeve të ndryshme portuale, deklaroi se nënshkroi një Partneritet Publik-Privat me qeverinë serbe për të operuar në Portin e Novi Sadit. Sipas këtij partneriteti, kompania me seli në Dubai do të vazhdojë të ketë të drejtat ekskluzive për të drejtuar të gjitha operacionet në bregdet, kontrollimin e kontejnerëve, ngarkesave cargo, etj., deklaroi zëdhënësi për shtyp i kësaj kompanie.
Porti i Novi Sadit është në pronësi të shtetit serb, me sipërfaqe 24 hektarë në lumin e Danubit. Xhiroja vjetore është rreth 1 milion ton mallra në vit, kalata ka gjatësi 500 metra. Plani i ri i zhvillimit do të përfshijë ndërtimin e një muri të ri vertikal të kalatës, me lartësi 189 metra, zëvendësimin me pajisje të reja të makinerive ekzistuese, si dhe instalimin e një sistemi operativ në terminal.
Në partneritet me Ministrinë Serbe të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, kompania P&O Ports do të studiojë mundësinë e ndërtimit të terminalit të kontejnerëve.
Kjo lëvizje është pjesë e një plani afatgjatë investimi për të përmirësuar pajisjet dhe shërbimet, si dhe për të mbështetur strategjinë e qeverisë serbe për të krijuar një terminal të transportit intermodal dhe një qendre logjistike. Partneriteti i jep kompanisë P&O Ports të drejtën për të vepruar në portin serb për 25 vitet e para pas nënshkrimit të marrëveshjes, me mundësi rinovimi edhe për 25 vite të tjera pas përfundimit të kontratës së parë, tha Dragan Stevanoviç, ministri i Ekonomisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes me CEO-n e kompanisë P&O Ports, z. Rado Antolovic.
Arritja e mbajtjes së të drejtave së pronësisë mbi kapitalin dhe asetet e operatorit të portit të Novi Sadit u bë pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi vitin e kaluar ndërmjet zëvendëskryeministres Zorana Mihajlovic dhe kryetarit të P&O Ports, Sultan Ahmed Bin Sulayem. Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, Bin Sulayem tha se “Porti i Novi Sadit mundëson lidhje me kompaninë rumune DP World Constanza, por edhe me kompani në vende të tjera, duke mundësuar marrjen në kohën e caktuar dhe mbi të gjitha ruajtjen brenda të gjitha parametrave të mallrave që shpërndahen në tregjet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas Bin Sulayem, nënshkrimi i këtij Partneriteti është një tjetër shembull që tregon strategjinë e kompanisë P&O Ports për të ofruar shërbime të mëtejshme në të gjithë zinxhirin e furnizimit global, duke qenë sa më efikas ndaj klientëve dhe rrjedhimisht, duke mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të kombeve.