Norma e papunësisë e Serbisë ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në pothuajse 24% dhe ekspertët paralajmërojnë se situata do të bëhet dhe më keq, në rast se ekonomia nuk fillon të rritet ndjeshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Serbe e Statistikave, norma e papunësisë së Serbisë ka arritur 23.7%, që është rreth 4.5% më e lartë se vitin e mëparshëm.
Norma e papunësisë, e cila përfaqëson peshën e të papunëve në popullsinë që është e aftë për punë, ishte 22.8% për meshkujt dhe 24.9% për femrat.
Sipas të dhënave më të fundit, 1,743,411 punonjës nga popullsia e vendit prej 7 milionësh po marrin aktualisht paga, që është një normë historike e ulët e punësimit në Serbi.
Norma e punësimit, përqindja e të punësuarve në popullsinë totale midis moshës 15 vjeç deri në moshën e pensionit, llogaritet në 35.3%.
Miladin Kovacevic, nga Zyra e Statistikave, tha se shifra e zymtë duhet të vërë alarmin në të gjithë Serbinë. “Ne kemi nevojë për një platformë kombëtare për të zgjidhur problemet dhe reformat”, tha ai.
“Zgjedhjet e ardhshme nuk janë justifikim për të mos zbatuar reforma radikale”, theksoi Kovacevic.
“Një rritje në normën e punësimit kërkon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) të rritet me të paktën 4%, që është shumë i vështirë për t’u arritur duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e Eurozonës”,
tha Miroslav Zdravkovic, një analist ekonomik. Në 2011-n, rritja e PBB-së së Serbisë ishte rreth 2%.
Norma e papunësisë në Serbi gjithsesi nuk është më e larta në rajon.
Zdravkovic theksoi se fqinji Maqedoni ka normën më të lartë të papunësisë në rajon, 31.2%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, ku norma është 25%.
Në shtetet fqinjë, që janë anëtarë të BE-së, norma e papunësisë është shumë më e ulët: Bullgaria – 10.9%, Hungaria – 10.7% dhe Rumania – 7.3%.
Rritet tregtia me Rusinë
Eksportet serbe drejt Rusisë u rritën me pothuajse 60% vitin e kaluar, ndërsa importet u shtuan me 17%. Konkretisht, sipas të dhënave nga Dhoma Serbe e Tregtisë (PKS), për 11-mujorin,
eksportet serbe drejt Rusisë u rritën me 57% në 2011-n dhe arritën 754.2 milionë euro.
Sipas PKS, tregtia midis Serbisë dhe Federatës Ruse arriti në total pak mbi 3 miliardë dollarë, me një rritje prej 25% në krahasim me 11-mujorin e vitit 2010.
Eksperti i PKS, Dejan Delic, tha se importet nga Rusia u rritën me rreth 17% dhe kishin një vlerë nominale prej rreth 2.25 miliardë eurosh.
Rusia është partneri i gjashtë i eksporteve i Serbisë, duke përbërë 6.9% të eksporteve totale të Serbisë dhe partneri kryesor importues me peshë 12.6%.
Norma e mbulimit të importeve nga eksportet është rreth 33%, tha Delic.
Eksportet serbe në tregun rus dominohen nga produktet për shtimin e dyshemesë dhe mureve, mollët, bateritë dhe produktet mjekësore.
Energjia në formën e naftës bruto dhe gazit natyror përbën deri në 80% të importeve serbe nga Rusia, të ndjekura nga alumini, propani, nafta dhe cigaret.
Delic theksoi se 99% e produkteve tregtohen pa dogana.
“Ditre Italia”, investim për fabrikë mobiliesh
“Ditre Italia” planifikon të investojë 13.45 milionë në ndërtimin e një fabrike mobiliesh në Vranje të Serbisë. Një memorandum bashkëpunimi u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë dhe i Zhvillimit Rajonal,
Verica Kalanovic, dhe drejtorit të përgjithshëm të “Ditre Italia”, Michele de Marchi. “Ditre Italia” synon të blejë pjesë të pasurisë së “Yumco” dhe të hapë një fabrikë në Vranje, që do të punësojë 411 punonjës.
De Marchi shpjegoi se kompania nuk e kishte zgjedhur Vranjen rastësisht, duke kujtuar se ky do të jetë investimi i tretë dhe më i madhi i “Ditre Italia” në Serbi.
Kompania tashmë vepron në Serbi nën emrin “Top Sofa Srb” dhe do të marrë nxitës prej 5,000 eurosh nga Programi i Promovimit të Investimeve të Serbisë, për çdo vend të ri pune të krijuar.