Paysend, një kompani financiare-teknologjike globale me 7 milionë klientë, njoftoi se kishte hapur Qendrën e re Europiane të Teknologjisë, në Beograd, Serbi.
Qendra e re e teknologjisë do të përqendrohet në zhvillimin e softuerëve dhe produkteve dhe do të përqafojë reputacionin e Serbisë si pika e ardhshme e teknologjisë në Europë, me një komunitet në rritje të markave të reja, firmave të kapitalit sipërmarrës dhe bizneseve financiare-teknologjike që po hapen me shumicë në vend, për të përfituar nga vendndodhja e tij e përshtatshme dhe numri i madh i talenteve të reja në vend, të vlerësuar në nivel ndërkombëtar.
Sektori i teknologjisë është bërë një pjesë kritike e strukturës sociale dhe ekonomike të Serbisë dhe do të jetë vendimtar në zhvillimin e vazhdueshëm dhe rritjen ekonomike të vendit.
Hapja ndaj risive, gatishmëria për të pranuar ide të reja dhe prioritizimi i transformimit dixhital, kanë qenë shtyllat themelore për qeverinë aktuale të Republikës së Serbisë, ku kryeministrja Ana Brnabić, ka marrë rol aktiv në ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me industrinë e informacionit dhe teknologjisë, firmat start-up dhe kompanitë sipërmarrëse në Serbi.
Shkëlqesia e saj, znj. Ana Brnabić, kryeministrja e Republikës së Serbisë, tha: “Dixhitalizimi dhe revolucioni i katërt industrial, kanë ofruar mundësi unike për Serbinë dhe qytetarët e saj, për t’ua kaluar vendeve të tjera, veçanërisht në fushën e teknologjisë, inovacionit, investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe në kërkim-zhvillim.
Aftësia e Serbisë për të tërhequr kompanitë kryesore financiare-teknologjike, si Paysend, është dëshmi e investimeve strategjike që kemi bërë në vitet e fundit, për të zhvilluar dhe për të forcuar teknologjinë dhe ekosistemet në Serbi.
Përveç një qeverie të përkushtuar dhe stabilitetit politik për të mbështetur transformimin dixhital, Serbia zotëron talente të shkëlqyera të formuara në universitete të njohura botërore të teknologjisë, si dhe është një vendndodhje strategjike e përkryer për të mbështetur njëkohësisht operacionet europiane, amerikane dhe aziatike dhe zotëron një treg të pangopur për zhvillimin e teknologjisë, me shumë hapësirë për rritje.
Paysend do të përpiqet të kontribuojë drejtpërdrejt në disa nga nismat inovative të përqendruara në teknologji, që tashmë janë duke u zhvilluar në të gjithë Serbinë, duke përfshirë bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Serbisë për të testuar zgjidhjet dhe produktet e pagesave, si dhe përpjekjet me Nismën e Serbisë Dixhitale, një organizatë jofitimprurëse që organizon evente për studentët, ndihmon në formimin e ligjeve të fushës financiare-teknologjike, si dhe në zhvillimin e ekonomisë dixhitale të Serbisë.
Abdul Abdulkerimov, bashkëthemelues dhe kryetar i Paysend, tha: “Si një firmë financiare-teknologjike globale, zgjedhja e Beogradit si vendndodhje për qendrën kryesore të teknologjisë europiane të Paysend, ishte një vendim i lehtë, duke pasur parasysh infrastrukturën në rritje dhe mbështetjen që po ofron qeveria e Republikës së Serbisë për të nxitur rritjen e teknologjisë dhe bizneset e reja.
Duke punuar në partneritet me qeverinë e Republikës së Serbisë, ne duam të ndihmojmë që Beogradi të bëhet kryeqyteti i ardhshëm financiar-teknologjik i Europës. Ne jemi të kënaqur që jemi vendosur në Beograd dhe do të kontribuojmë në qëllimin e zhvillimit të një ekonomie dixhitale të fortë dhe konkurruese në Serbi”.