Punimet janë në listë për të filluar në korrik në seksionin serb të tubacionit të gazit South Stream, ka pohuar kreu i Divizionit Ndërkombëtar të Gazprom, Aleksander Siromatin. Gjatë një fjalimi të mbajtur në një konferencë mbi rolin e Serbisë në tregun e energjisë së Ballkanit, Siromatin tha se së shpejti do të nënshkruhet kontrata e kredisë së Gazprom ndaj Srbijagas për shtrimin e tubacionit.
Me një kosto prej rreth 2 miliardë euro, South Stream është një nga investimet më të mëdha të bëra në Serbi gjatë dekadave të fundit. Në konferencë u theksua se ky projekt do t’i vlejë ekonomisë së vendit si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte, duke inkurajuar investimet dhe krijimin e vendeve të punës.