Ministrja serbe e Administratës Publike, Kori Udovicki, tha se, për shkak të një faze të re të racionalizimit të sektorit publik, rreth 7.000 punonjës do të dalin në pension këtë vit.
Serbia duhet të përqendrohet në “cilësinë thelbësore” dhe në përmirësimin e strukturës dhe organizimin e sektorit publik, shtoi ajo.
Sipas angazhimeve të bëra ndaj FMN-së, Serbia është e detyruar të hartojë një plan, për të reduktuar punësimin në sektorin publik deri në fund të vitit 2016, përmes një kombinimi të daljes në pension dhe pushimeve nga puna.
FMN-ja ka përfunduar bisedimet teknike me Serbinë për t’i dhënë fund rishikimit të katërt të marrëveshjes aktuale ndërmjet Beogradit dhe Fondit, të enjten.
Udovicki tha se në fazën e parë e më të rëndësishme të racionalizimit, 16.000 punëtorë e kishin lënë tashmë sektorin publik.
“Ne jemi të kënaqur me rezultatet e racionalizimit të sektorit publik deri tani, sepse e tejkaluam shifrën për pushimet nga puna me më shumë se 1.500”, vuri në dukje Udovicki.
Këtë vit, 6.500 vetë e lanë punën në pushtetin lokal, 4.000 prej të cilëve ishin të punësuar në ndërmarrjet publike lokale, shpjegoi ajo.
“Ka një perceptim ‘se shteti është shumë i madh’, dhe se ka shumë të punësuar në kompanitë publike, dhe ne jemi duke punuar për këtë çështje”, tha Udovicki.
Me përjashtim të kompanive publike, sektori publik i Serbisë nuk është, në fakt, aq i madh, krahasuar me standardet europiane, shtoi ajo.
Serbia ka 6.7 punonjës në administratën publike për çdo 100 banorë, ndërsa mesatarja e BE-së është 8.5.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i personelit në kujdesin shëndetësor ka rënë me 4.700 vetë dhe numri në Ministrinë e Brendshme me 1.800 vetë, por ka pasur edhe shkurtime të personelit në arsim, sistemin gjyqësor dhe institucionet e financave.