Qeveria serbe miratoi shpenzime shtesë në buxhetin e saj 2020, për herë të dytë këtë vit, për të kompensuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe për të investuar në shëndetësi për të luftuar sëmundjen.
Drafti i buxhetit të rishikuar parashikon një rritje të deficitit në 483 miliardë dinarë (4.87 miliardë dollarë), ose 8.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga të ardhurat prej 1,291.4 miliardë dinarësh.
Në një deklaratë, qeveria tha se planifikon të përdorë fonde për të zbutur efektet e pandemisë së koronavirusit, duke përfshirë blerjen e pajisjeve mjekësore, ndërtimin e spitaleve COVID-19, investime në infrastrukturë dhe subvencione për bizneset dhe bujqësinë.
Rritja e deficitit do të mbulohet kryesisht nga huamarrja brenda dhe jashtë vendit.
Qeveria tha se ekonomia e vendit ballkanik parashikohet të tkurret me 1% këtë vit, më pak se parashikimi i mëparshëm -1.8%. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se ekonomia e Serbisë do të tkurret me 1.5% në vitin 2020 dhe do të kthehet në rritje në vitin 2021.
“Në mungesë të këtyre masave për të mbështetur ekonominë dhe popullsinë, rënia e PBB-së në 2020 do të ishte… rreth 5%”, tha deklarata.
Miratimi i propozimit të qeverisë nga Parlamenti, ku koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe komandon një shumicë dërrmuese, shihet si një formalitet.
Në prill, Parlamenti i Serbisë miratoi një rishikim të planit të shpenzimeve të vitit 2020, duke rritur deficitin në 7%, nga niveli i planifikuar më parë prej 0.3%.
Për të frenuar një rritje të infeksioneve të koronavirusit, qeveria propozoi gjoba prej 5,000 dinarësh për të gjithë ata që nuk mbajnë maska dhe nuk ruajnë distancën fizike.