Në sajë të një politike eficiente për tërheqjen e investimeve të huaja, Serbia arriti një nivel rekord në rajon gjatë vitit të kaluar. Qeveria ndihmon kompanitë e huaja me krijimin e vendeve të punës
Projekt investimi nga “Michelin”
Ministrja serbe e Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal, Nebojsa Ciric, ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për zbatimin e një projekti investimi të kompanisë “Michelin in Pirot”,
në bazë të të cilit prodhuesi francez i gomave do të investojë 170 milionë euro për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në “Pirot” gjatë katër viteve të ardhshme.
Presidenti aktual serb, Boris Tadiç, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në fabrikën “Tigar Tyres”, tha se përpjekjet e qeverisë gjatë katër viteve të fundit kanë filluar të japin efekte,
siç duket qartë nga interesi në rritje i investitorëve të huaj për të zgjeruar prodhimin në Serbi.
“Fabrika të reja po hapen, po nënshkruhen memorandume mirëkuptimi dhe kontrata të reja. Është një gjë e mirë që ne po vjelim frytet e katër viteve punë, por është edhe më e rëndësishme
që ne kemi ngritur një metodologji që do të vazhdojë të japë rezultate në të ardhmen”, tha Tadiç.
Ai vuri në dukje se në sajë të një politike eficiente për tërheqjen e investimeve, Serbia kishte një nivel rekord investimesh në rajon gjatë vitit të kaluar.
“Kjo nuk është më një kompani partnere, është kompania juaj, për shkak se ‘Michelin’ është bërë një firmë serbe. Ju keni avancuar me prodhimin, duke zbatuar rregullat mjedisore dhe ne premtojmë që ta sjellim ‘Pirotin’
afër korridoreve rrugore europiane, që do të ketë një efekt pozitiv në prodhimin tuaj”, tha Tadiç për investitorët francezë.
Sipas tij, “Tigar Tyres” dhe “Pirot” janë një shembull pozitiv se si një menaxhim i mirë mund të krijojë një të ardhme të sigurt për njerëzit e një rajoni të veçantë.
Shteti ndihmon “Gosa” të hapë vende të reja pune në Zabari
Zëvendëskryeministrja për Zhvillimin Ekonomik dhe Rajonal, Verica Kalanovic, u dorëzoi pak ditë më parë në Zabari përfaqësuesve të kompanisë “FSO Gosa” kontratën për realizimin e një projekti investimi,
i cili do të mundësojë krijimin e 52 vendeve të reja të punës.
Në bazë të projektit të mbështetjes së investimeve, Ministria miratoi 208,000 euro për “Gosa”-n, ose 4,000 euro për çdo punonjës të ri.
Kalanovic tha se “Gosa” do të investojë rreth 750,000 euro në zgjerimin e prodhimit në fabrikën e Zabari-t dhe vuri në dukje se kjo kompani ka aktualisht 257 punonjës dhe eksporton produktet e saj në të gjitha tregjet kryesore në Europë,
kryesisht në Gjermani.
Ajo theksoi se projekti i mbështetjes së investimeve është nxitësi më i mirë për krijimin e vendeve të punës dhe shtoi se gjatë dy viteve të fundit, “Gosa” e kishte përdorur këtë program për të hapur 107 vende të reja pune dhe për investime.
Për këtë qëllim, kompania ka marrë 1.7 milionë euro subvencione, specifikoi Kalanovic.
“Gorenje” do të ndërtojë një tjetër fabrikë në Valjevo
Zëvendëskryeministrja për Zhvillimin Ekonomik dhe Rajonal, Verica Kalanovic, tha se qeveria serbe po shikon një marrëveshje, që i mundëson kompanisë sllovene “Gorenje”, të ndërtojë një tjetër fabrikë në Valjevo.
Kalanovic i tha agjencisë “Tanjug” se “Gorenje” në 16 muajt e ardhshëm do të ndërtojë një tjetër fabrikë në Valjevo, në një sipërfaqe prej 30,000 metrash katrorë dhe shtoi se vlera e investimit është 20 milionë euro.
Zëvendëskryeministrja theksoi se qyteti do të bëhet në këtë mënyrë një lider në prodhimin e kondicionerëve jo vetëm në Serbi por gjithashtu dhe jashtë vendit, duke shtuar se “Gorenje” planifikon të marrë në punë 400 punonjës të rinj në tre vitet e ardhshme.
Republika e Serbisë ka detyrimin për të mbuluar investimin me 20% të vlerës totale dhe të sigurojë infrastrukturën e biznesit dhe qyteti i Valjevos do të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e projektit brenda 30 ditëve, shtoi Kalanovic.
MBARON SHKRIMI