Qeveria e Serbisë, punëdhënësit dhe sindikata të ndryshme janë duke negociuar për një nivel të ri page minimale, por rritja e propozuar është cilësuar si “fyerje” nga një sindikatë e pavarur.
Dy vjet pas rritjes së nivelit të pagës minimale, qeveria, sindikata dhe punëmarrës të ndryshëm kanë nisur negociatat e rritjes mbi bazën e orëve të punës.
Të tria palët, sindikatat, qeveria dhe punëmarrësit, jemi duke negociuar dhe së shpejti do të bëjmë të ditur propozimin final të pagës – tha kryetari i Shoqatës Serbe të Punëdhënësve, Srdjan Drobnjakovic, për BIRN.
Paga minimale mujore në Serbi është 21,050 dinarë (174 euro), ndër më të ulëtat në Ballkan dhe në Europë.
Që nga janari i 2016-s, paga minimale mujore ndryshoi gjerësisht në Europë, duke filluar nga 215 euro në Bullgari në 1.923 euro në Luksemburg.
Ndërkohë që shumë sindikata serbe janë duke marrë pjesë në bisedime, Unioni Sloga, i cili përfaqëson mijëra punëtorë nga sektorë të ndryshëm, nuk është bërë pjesë. Sloga thotë se bisedimet për rritjen e pagës minimale janë fyese.
“Qeveria e ka marrë tashmë vendimin për rritjen e pagës minimale. Këto bisedime janë thjesht një farsë. Rritja e pagës është një lëvizje politike, jo ekonomike”, tha Zeljo Veselinovic, kryetar i Sloga-s. Ai tha se paga minimale mujore, e cila është 170 euro, duhet të rritet në 227 euro, dhe jo 182 euro siç po sugjerohet në këto takime.
Ministri i Punës, Aleksandar Vulin, tha se qeveria është duke bërë më të mirën për të rritur pagën minimale në Serbi.