Kriza e Eurozonës, duke pasur ndikim në rritje në Serbi në fushën e kredisë, po shkakton gjithashtu shqetësim në rritje mes publikut nëse duhet të shkëmbejë euron për monedha të tjera.
Ekonomisti 44-vjeçar i shndërruar në administrator fabrike Zharko Jovanoviç është një shembull tipik i ndikimit të krizës së euros në Serbi. Jovanoviç mori një kredi më 2008-n të lëshuar në euro me maturim dhjetëvjeçar.
Megjithatë, interesi mujor që paguan në dinarë sot është 30% më i lartë sesa tre vjet më parë, një gjendje që pritet të përkeqësohet pasi kriza e BE-së zvarritet.
“Paga ime nuk është e lidhur me ndonjë monedhë të huaj; që nga 2008-a ka mbetur e njëjta… Nuk kam frikë se me cilën monedhë do të lidhet kredia, por kam frikë rreth asaj sesa do të rritet në dinarë,
sepse të gjitha monedhat vetëm mund të bëhen më të forta lidhur me dinarin, ndërsa pagat kanë ngrirë dhe nuk kanë mundësi reale të rriten”, tha Jovanoviçi për “SETimes”.
Pavarësisht nga ndryshimet e mundshme në statusin e euros, shumë kredi bankare janë të lidhura me euron dhe diktojnë sasinë e interesit kur llogaritet në dinarë.
Profesori i Akademisë së Bankave të Beogradit dhe bankieri për një kohë të gjatë, Ismail Musabegoviç, tha se, edhe nëse pozita e euros është e sfiduar, interesi do të mbetet i njëjtë, por do të shprehet në monedhë tjetër.
“Shtetasit do të paguajnë ende në dinarë, por të rillogaritur në lidhje me një monedhë tjetër”, tha ai.
Musabegoviçi shpjegoi gjithashtu se shumë ekspertë e konsiderojnë pikën ekzistuese të shkëmbimit të huaj jokushtetuese dhe vuri në dukje se ka një prirje drejt “heqjes së euros”.
Drejtori i Shkencave Ekonomike, Dezhan Erik, tha se monedhat e tjera nuk ofrojnë gjithnjë izolim financiar. Pasojat e krizës së euros po ndihen në një shkallë më të gjerë nga ata që morën kredi të lidhura me frangën zvicerane, tha ai.
“Katër vjet më parë, niveli i interesit për kreditë në euro ishte 5-7%, ndërsa për kreditë në franga zvicerane rreth 3 deri 4% dhe ishte e mundshme të zgjidhje mes dy alternativave.
Për shumë, veçanërisht ata që blinin pronë të patundshme, alternativa e frangës zvicerane ishte ndjeshëm më e favorshme atëherë”. Ndërkohë, euro u dobësua për shkak të krizës ndërsa franga u bë më e fortë.
Për një kredi prej 100,000 eurosh apo 160,000 franga zvicerane, marrësi i kredisë ka ende një kredi prej 160,000 frangash zvicerane (minus atë që ka ripaguar), por gjithashtu 120,000 apo 130,000 euro në franga.
“Përveç kësaj, çmimet e shtëpive kanë rënë deri tani, kështu që apartamenti i tij vlen më pak sesa kur personi mori kredinë”, tha Eriku.