Serbi/ Tregtia u vendos në plan të parë gjatë vizitës së Erdogan

Lidhjet ekonomike, turizmin dhe projektet kryesore të infrastrukturës ishin në fokus gjatë vizitës së kësaj jave të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Serbi. Presidenti i Turqisë zhvilloi një vizitë treditore në Serbi, ku lidhjet ekonomike mes dy vendeve, së bashku me tema të tjera, ishin në qendër të vëmendjes. “Turqia është e vetëdijshme se Serbia është një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përveç kësaj, Serbia përfaqëson një treg më të madh ekonomik për Turqinë në krahasim me çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor”, tha për BIRN, Ivan Ejub Kostiç, drejtor i Qendrës Ballkanike për Lindjen e Mesme në Beograd. Në njoftimin nga Zyra e Shtypit e Presidentit turk thuhej se vizita e Presidentit Erdogan vinte menjëherë pas një ftese zyrtare të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Erdogan gjithashtu mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Serbi. Ai gjithashtu vizitoi Novi Pazar, një qytet kryesisht boshnjak (me popullsi myslimane) në Serbinë Jugperëndimore. Rreth 200 biznesmenë, ministra dhe zyrtarë turq e shoqëruan Erdogan-in gjatë vizitës në Serbi.
Në konferencën e shtypit më 26 shtator, Vuçiç tha se Turqia dhe Serbia do të nisin një kapitull të ri pas vizitës së Erdogan-it. “Vëllimi ynë tregtar në vitin 2016 ishte 800 milionë dollarë (682 milionë euro) por ne synojmë që kjo shifër të shkojë afër 1 miliard dollarëve (852 milionë euro) dhe qeveria serbe mirëpret dhe u bën thirrje investitorëve turq që të investojnë në Serbi”, tha më tej Vuçiç.
Turqia dhe Serbia janë afruar shumë me njëra-tjetrën vitet e fundit, duke u përqendruar në tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik sesa në mosmarrëveshjet e vjetra midis dy kombeve. Z. Kostiç shpjegoi se ndërsa politikat e Turqisë ndaj Serbisë ishin kryesisht të orientuara nga ekonomia, por kjo nuk do të thotë që temat fetare dhe ato kulturore nuk ishin të përfshira. “Vëllimi i tregtisë midis dy vendeve, investimet turke në Serbi dhe projekti i tubacionit të gazit turk në Turqi janë pikat ekonomike kryesore të vizitës së Presidentit turk.
Komente