Pavarësisht deklaratave pompoze të presidentit Aleksandar Vuçiç për qëndrueshmërinë ekonomike të Serbisë pas Covid-19, të mbështetur edhe nga ministri i Financave, situata tregon më shumë se një dobësi.
Ekonomia serbe është “më e mira në Europë”. Parashikimet ekonomike që shoqërojnë fazën e dytë të luftës kundër pandemisë (dhe që paralajmërojnë një krizë të menjëhershme globale) duket se e kanë nxjerrë Serbinë në krye të botës. Ky të paktën është interpretimi i Aleksandër Vuçiç. Në një konferencë për shtyp në fillim të majit, presidenti serb njoftoi se “këtë vit, ne do të jemi vendi i parë europian për sa i përket shkallës së rritjes dhe një nga më të mirët në botë”. “Serbia duhet të mësohet të jetë më e mira në Europë”, përsëriti ministri i Financave dhe ish-kryebashkiaku i Beogradit Siniša Mali. Nuk është nevoja të themi se këto nuk janë të vërteta, shkruan Giovanni Vale Zagreb.
Një artikull i fundit nga Ballkan Insight i vendos deklarata të tilla në perspektivën e duhur, duke intervistuar disa ekonomistë serbë. Megjithëse është e vërtetë se Serbia do të regjistrojë një ulje të PBB-së me “vetëm” 3-4% në vitin 2020 (në varësi të studimit) krahasuar me 7–9% në vendet e tjera (përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë), kjo fitore relative ende fsheh dobësi (përveç faktit më të dukshëm se krahasimi i përqindjeve nuk është domosdoshmërisht një ide e mirë). Ndikimi i karantinës në ekonominë e një vendi varet nga shumë faktorë, përfshirë rëndësinë e turizmit dhe shërbimeve, zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare dhe nivelin e lidhjes së një vendi me ekonomitë e tjera. Cili është konteksti në Serbi?
Para së gjithash, një premisë. Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Beograd përfundoi më 28 shkurt 2020, kur koronavirusi ishte tashmë një problem global, por jo zyrtarisht një pandemi (e tillë u shpall më 12 mars). Pavarësisht kësaj, raporti i FMN-së konfirmoi “perspektivën pozitive makroekonomike për Serbinë në vitin 2020, duke parashikuar një rritje të PBB-së prej 4%”, në vazhdën e “performancës së fuqishme të vitit 2019, me një rritje të vlerësuar prej 4.2%”. Disa javë më vonë, kjo analizë është e pavlerë. Kjo do të thotë se të gjitha parashikimet (madje edhe ato të përmendura më poshtë) duhen parë me sy kritik.
Ekonomia serbe duket se është mjaft e diferencuar, d.m.th, pa praninë e një sektori përgjegjës për një pjesë të madhe të prodhimit të brendshëm bruto. Ndërsektori i PBB-së i paraqitur nga zyra e statistikave në Beograd tregon kontributin e sektorëve të ndryshëm. Në një PBB prej rreth 51 miliardë dollarësh (40 herë më e ulët se ajo e Italisë, me përqindje), industria e automobilave dhe çelikut përbën një të pestën e PBB-së së bashku me prodhimin e energjisë elektrike (kryesisht qymyrguri). Bujqësia dhe ndërtimi përfaqësojnë secili nga 6%, ndërsa aktivitetet tregtare prodhojnë 17% të PBB-së, pak më shumë sesa sektori publik dhe ai mbrojtës, që kap vlerën 11%.
Kjo “bazë e gjerë” që mbështet ekonominë serbe është pa dyshim një pikë e fortë, siç u vu në dukje edhe nga Komisioni Europian në raportin tremujor vjeshtën e kaluar. Në dallim nga vende si Kroacia apo Greqia, të cilat varen shumë nga turizmi (i cili përbën të paktën një të pestën e PBB-së), Serbia do të jetë më fleksibël ndaj pasojave të pandemisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se vendi nuk varet nga pjesa tjetër e botës, përkundrazi. “Për shkak të hapjes së saj në tregti, ekonomia serbe do të goditet fort nga tkurrja e kërkesës së jashtme të shkaktuar nga COVID-19”, thekson raporti i fundit i Komisionit Europian për pranverën e vitit 2020.
Investimet e Huaja Direkte
Jo vetëm që importet dhe eksportet do të jenë të kufizuara në vitin 2020, por klima e pasigurisë mund të ndikojë gjithashtu në një motor tjetër të rritjes së Serbisë: Investimet e Huaja Direkte, flamurin e politikës ekonomike të Vuçiç. Në vitin 2019, Beogradi lavdëroi vendin si “kampioni botëror i investimeve të huaja”. Qeveria citoi më pas raportin vjetor nga “fDi Intelligence”, një agjenci këshillimi që është pjesë e ekipit editorial të Financial Times. Raporti i vitit 2019 e vendosi me të vërtetë Serbinë në krye të një renditjeje botërore, duke e detyruar Ballkan Insight të kontrollojë sërish faktet.
Pa hyrë në meritat e këtij studimi dhe kundër-analizës nga Ballkan Insight, këtu është e rëndësishme të theksohet se vitet e fundit, Serbia ka qenë në gjendje të tërheqë një numër në rritje të IHD-ve, apo Investimeve të Huaja Direkte. Nga mulliri i çelikut Smederevo i blerë nga kinezët në vitin 2016, në aeroportin e Beogradit, i besuar kompanisë franceze Vinci në vitin 2018, së bashku me ndryshimin e pronësisë së disa bankave, shumë aktorë ekonomikë të Serbisë janë përfshirë në investime të huaja që kanë ndryshuar pronësinë ose menaxhimin e tyre. Nga pikëpamja nominale, këto kapitale sigurisht që kontribuojnë në nxitjen e rritjes së ekonomisë serbe, por a është kontributi i tyre afatgjatë me të vërtetë pozitiv?
Nuk ka mungesë kritikash ndaj politikës tërheqëse të IHD-ve në Serbi dhe gjetkë. Një studim i fundit nga Fondacioni Rosa Luxemburg në Beograd, kritikon kostot sociale të operacionit, duke theksuar se qeveria serbe shet punë të brendshme me kosto të ulët në këmbim të investimeve që përfundimisht sjellin fitime jashtë kufijve kombëtarë. Por nuk është nevoja të jeni një marksist për të dyshuar në shëndetin e rritjes ekonomike të Serbisë vitet e fundit. Për shembull, Eurostat ka vënë në dukje se në vitin 2017, 20% më i pasur i popullatës serbe, fitoi 9.4 herë më shumë sesa 20% më i varfër, duke e bërë Serbinë vendin me nivelin më të lartë të pabarazisë ekonomike nga vendet e studiuara (BE-28 plus vendet kandidate).
Shkurt pra, shifrat e rritjes fshehin fakte kontradiktore.
E ardhmja e afërt
Çfarë do të ndodhë në Serbi tani? Organizatat ndërkombëtare bien dakord në parashikimin se në vitin 2020 do të ketë një recesion prej rreth -4%, i ndjekur nga një rritje prej 6% në vitin 2021. “Recesioni më i mirë në Europë”, do të thoshte Vuçiç (duke u mburrur për faktin se vetë Komisioni Europian flet për “pasiguri të lartë” kur përshkruan të ardhmen ekonomike të Serbisë).
Megjithatë, sipas këtij skenari, qeveria pritet të marrë më shumë hua (me kamata më të larta interesi, thotë e përditshmja serbe Danas), pasi do të duhet të kompensojë për mungesën e përkohshme të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe uljen e investimeve, ndërsa varfëria mund të rritet, paralajmëron Banka Botërore.
Në planin afatgjatë, situata është e ndryshme. Privatizimet dhe Investimet e Huaja Direkte i kanë dhënë mundësi politikanit të fortë të Beogradit të presë shirita përurimi dhe të festojë sinergji ndërkombëtare në vitet e fundit, por, si në vendet e tjera të rajonit, një prirje më diskrete (por e vazhdueshme), duket se tregon një të ardhme më pak tërheqëse. Ajo mbizotërohet nga emigracioni, i shoqëruar nga mungesa e imigracionit dhe një shkallë e ulët e lindjeve. Sipas vlerësimeve nga zyra e statistikave në Beograd, brenda disa vitesh, Serbia do të ketë të njëjtin numër banorësh, si në vitin 1950. Dhe në tridhjetë vjet, vendi do të ketë 5.7 milionë banorë, ose gati një çerek më pak se niveli i regjistruar në vitin 1989.
Duket e pamundur, e megjithatë serbët po braktisin vendin që “duhet të mësohet të jetë më i miri në Europë”