Serbia ka shtruar tapetin e kuq për Kinën – por me çfarë çmimi?

07/11/2020 10:04 PM 0 komente

Kur pandemia COVID-19 u përhap në fillim të vitit 2020, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi i zemëruar se serbët nuk mund të mbështeteshin më për ndihmë në Bashkimin Europian. “Serbia ka mbështetjen e një aleati të vetëm, – tha Vuçiç, – Republikës Popullore të Kinës”, shkruan Euronews.

Që nga fillimi i nismës “Rruga e Re e Mëndafshit”, Pekini ka investuar në projekte infrastrukturore në dhjetëra vende. Nga miniera në autostrada, nga fabrika në hekurudha, investimet kineze janë kryer me shumicë në Serbi që nga viti 2016.

Prania e Kinës në Serbi nuk është një dukuri e re, lidhjet midis dy kombeve u krijuan fillimisht gjatë kohës së politikanit populist serb, Slobodan Millosheviç, por prania kineze ishte e dukshme vetëm në ngjarje të rralla kulturore dhe në komunitetin e vogël tregtar kinez të vendosur në rrethin e Beogradit të Ri.

Në fillim të këtij viti, Vuçiç i përshkroi marrëdhëniet midis dy kombeve si një “miqësi prej çeliku”, një përshkrim i saktë duke pasur parasysh blerjen e fundit nga Grupi HBIS kinez, të një fabrike çeliku në qytetin Smederevo. Marrëveshja është e dobishme për Kinën, duke qenë se shuma prej 300 milionë eurosh borxh e fabrikës, tashmë është marrë përsipër nga taksapaguesit serbë, në një kohë kur projekti është përshkruar si një “program shpëtimi” për qytetin dhe ekonominë serbe në përgjithësi.

Por qytetarët e Smederevës – dhe qyteteve dhe fshatrave përreth – përjetuan pasoja të papritura.

Aktivisti Vladimir Milic, tha për Euronews se pluhuri i hekurit nga fabrika e çelikut ka veshur gjithçka brenda 10 kilometrave në afërsi të uzinës.

“Ne jemi të dëshpëruar. Njerëzit po kolliten, nuk mund të hapin dritaret, madje edhe bimët janë mbuluar me pluhur. Ne nuk mund t’i shesim produktet tona dhe shumica e njerëzve nuk punojnë në fabrikë”, tha ai. Milic tha se vendasit po përgatiten për të nisur një proces gjyqësor kundër kompanisë, ndërsa janë ngritur kërkesa dhe raporte të shumta në institucionet serbe në lidhje me ndotjen, por asgjë nuk është bërë deri tani.

“Ne kemi protestuar në rrugë, por qeveria dhe kompania vazhdojnë të heshtin. Madje zbuluam se qeveria i dha kompanisë të drejtën për të shfrytëzuar falas portin lokal në lumin Danub, për 50 vitet e ardhshme”, tha ai.

Situata është e ngjashme në qytetin Bor, ku me mijëra banorë dolën në rrugë për të protestuar ndaj ndotjes javën e kaluar, pasi kompania kineze Zijin, bleu një minierë atje në vitin 2018.

Miniera është kompleksi më i madh i minierave të bakrit në rajonin e Ballkanit dhe veprimtaria e saj ka rritur ndotjen. Në shtator, u regjistruan nivele prej 1645 mg SO2 në ajër, më shumë se dhjetëfishi i masës 125 mg të lejuar nga ligji. Aktivistja lokale dhe politikania e opozitës, Irena Zivkoviç, tha se arseniku në ajër ishte 200 herë më i lartë se vitin e kaluar. Ajo gjithashtu tha për Euronews se metalet e rënda ishin shumë më lart se nivelet e lejuara.

“Kur kërkuam të dhënat zyrtare në lidhje me ndikimin në shëndetin publik, se sa njerëz më tepër janë prekur nga sëmundjet e mushkërive apo kanceri, nuk morëm përgjigje nga institucionet”, tha ajo. Zivkovic tha se qeveria lokale e Borit ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve në lidhje me cilësinë e ajrit.

Që nga nisja e veprimtarisë në vitin 2018, gjykatat serbe e kanë gjobitur Zijin tri herë për ndotje. Por në përputhje me ligjin vendor, gjobat për këtë akt nuk mund të kalojnë shifrën 26,000 €. As Zijin dhe as Grupi HBIS nuk iu përgjigjën kërkesave të Euronews për komente mbi këtë çështje. Qeveria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve nga Euronews.

Kritikët kanë frikë se teksa Serbia po bëhet një fushë prove dhe model për investimet kineze në vendet më të varfra europiane, pasuritë shtetërore shiten me kosto shëndetësore për qytetarët vendas dhe mbrojtjet e lehta mjedisore shpërfillen pa pasoja.

Ata thonë se Serbia ka nevojë të dëshpëruar për investime dhe qeveria tashmë ka treguar gatishmëri për të anashkaluar protokollin rregullator normal, në mënyrë që të shesë shpejt asetet e pasigurta, duke përfshirë shitjen e pjesës bregdetare në Beograd tek një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, bashkëpunimi i biznesit midis dy kombeve ka përparuar paralelisht me sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak. Para se të kritikohej nga Uashingtoni, Serbia ishte gati për të blerë sistemin e raketave FK-3 të Kinës, duke u bërë vendi i parë jashtë Kinës që do të përdorte sistemin.

 

Huawei

Por Serbia tashmë ka blerë dronë kinezë CH-92A dhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha se Kina i ka dhuruar vendit pajisje ushtarake.

Në këmbim, Kina ka marrë mbështetje politike nga Beogradi, duke përfshirë mbështetjen e Serbisë për politikën e Pekinit ndaj komunitetit mysliman Ujgur. Serbia është kombi i vetëm europian që mbështet pretendimet e Pekinit se po “lufton terrorizmin dhe ekstremizmin” në Kinën Veriperëndimore.

“Është e qartë se Kina po depërton në Europë përmes Ballkanit dhe veçanërisht Serbisë”, tha Vuk Vuksanoviç, një bashkëpunëtor në LSE IDEAS, grupi strategjik i politikës së jashtme të Shkollës së Ekonomisë në Londër.

Vuksanoviç tha se statusi i Serbisë, si një kandidate e Bashkimit Europian, por jo ende një anëtare, e bën atë të pëlqyeshme për Pekinin, i cili dëshiron një terren në Europë pa barrën rregullatore që vjen nga anëtarësimi zyrtar i bllokut.

Përveç Serbisë, Pekini ka edhe mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Greqisë dhe Hungarisë, të cilët gjithashtu kanë shfaqur një politikë miqësore ndaj Kinës, duke e mbështetur atë në Parlamentin Europian.

Por Vuksanoviç pret që konflikti mbi gjigantin kinez të telekomunikacionit Huawei, do ta bëjë më të vështirë përpjekjen e Serbisë për të qenë njëkohësisht pranë Kinës dhe SHBA-së. Beogradi është afruar gjithnjë e më tepër me SHBA-në nën drejtimin e presidentit Donald Trump, por Shtëpia e Bardhë nuk ka gjasa ta presë mirë mungesën e bashkëpunimit serb në luftën kundër Huawei.

Së fundmi, Huawei instaloi pothuajse 1.000 kamera me definicion të lartë, të cilat përdorin softuer për njohjen e fytyrës dhe targave, por edhe sisteme të menaxhimit të videove, në 60 zona kryesore të Beogradit. Janë hartuar gjithashtu plane për të ndërtuar një qendër të dhënash në qytetin Kragujevac në bashkëpunim me Huawei.

“Do të jetë një dilemë e vështirë. Beogradi mund të blejë kohë, por kur Uashingtoni të godasë Huawei, Serbia duhet të vendosë se cilën anë do të mbajë. Dhe kjo do të ndodhë”, tha ai.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of