Serbia është dakordësuar për një kontratë të re 3-vjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia, deklaroi presidenti serb Aleksandër Vuçiç pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin gjatë ditës së dielë.
“Nuk mund të flas për çmimin tani, të gjitha detajet do të merren vesh me Gazprom”.
Vuçiç tha se Serbia kishte rënë dakord me Putinin që çmimi i gazit do të varet nga lëvizjet e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, por nuk dha më shumë detaje.
Kontrata aktuale 10-vjeçare e Serbisë për furnizimin me gaz me Gazprom skadon më 31 maj.
Serbia, e cila synon t’i bashkohet Bashkimit Europian, kohët e fundit është vënë nën presion nga vendet perëndimore për t’iu bashkuar politikës së jashtme të bllokut për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë.
Në vitin 2008 Serbia vuri sektorët e saj të gazit dhe naftës në duart e kompanive ruse. Gazprom Neft dhe Gazprom së bashku mbajnë shumicën e aksioneve në kompaninë e vetme të naftës në vend, ndërsa Gazprom është aksioneri i shumicës në objektin e vetëm të depozitimit të gazit në Serbi./ Reuters