Teksa Serbia po përgatitet që të zhvillojë zgjedhjet gjatë vitit të ardhshëm, retorika e partive politike vihet në qendër të diskutimeve. Sipas një interviste të Kryeministres së vendit, Ana Brnabić dhënë për EURACTIV.com, të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje, në mënyrë të tillë që t’i japin njerëzve mundësi të shumta zgjedhjesh. Ana Brnabić është në postin e Kryeministres së Serbisë që nga viti 2017.
Serbia është një komb në tranzicion. Vitet e fundit, vendi ka miratuar disa vendime të shëndosha fiskale, të cilat kanë stabilizuar ekonominë, kanë siguruar reduktim të niveleve të borxhit, duke i mundësuar kështu këtij shteti që të investojë në një të ardhme më të mirë.
“Kjo është përkthyer në punë më të mira, arsim më të mirë, kujdes shëndetësor më cilësor, paga më të larta, rritje të pensioneve dhe standardeve të jetesës. Puna vazhdon, por ne jemi në rrugën e duhur. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është qëllimi ynë strategjik. Nën drejtimin tim, gjithmonë do të ketë një vendosmëri të palëkundur për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse të nevojshme për anëtarësimin në BE. Çdo vit, progresi që ne po bëjmë është gjithnjë e më i madh, sidomos në drejtim të kapitujve të pranimit në BE, dhe deri më tani kemi hapur 18 kapituj. Ka ende shumë për të bërë, por gjithashtu ne kemi arritur shumë gjatë dy viteve të fundit. Reformat e zbatuara me mbështetjen e BE-së dhe të FMN-së tashmë janë duke dhënë rezultate, edhe pse ne vazhdojmë të trajtojmë çështjet që kanë mbetur nga qeveritë e mëparshme. Serbia ishte vetëm një hap larg falimentimit. Qindra mijëra njerëz kishin humbur punët e tyre”, u shpreh znj. Brnabić.
Sipas Verica Barac, Presidente e Këshillit Anti-Korrupsion të Serbisë, “media ishte nën kthetrat” e Dragan Djilas dhe njerëzve të tjerë në pushtet. Ky ishte përshkrimi që jepej për Serbinë e vjetër, deri në momentin që z. Djilas dhe anëtarë të tjerë të Aleancës së Serbisë u larguan nga pushteti.
“Por, Serbia nuk është më ai vend. Pagat janë më të larta, shkalla e papunësisë ka rënë në vlera njëshifrore dhe tani është në një minimum historik krahasuar me mbi 25% që ishte në vitin 2012. Sipas Financial Times, Serbia kryesoi Indeksin e Performancës së IHD-ve të Greenfield 2019.
Ne u renditëm në vend të parë në studimin vjetor të fDi Intelligence, një sektor i të dhënave në Financial Times. Në vitin 2012, Serbia u rendit e 92-ta në listën e Doing Business të Bankës Botërore. Ndërsa këtë vit ne u renditëm në vend të 44 të Doing Business të BB-së dhe synojmë që të renditemi në 10 vendet e para gjatë dy viteve të ardhshme.
Liria e medias është gjithashtu pjesë e këtij diskutimi. Ne duam të kemi media të lira dhe të ndershme në Serbi. Në fakt, na duhet një e tillë,” u shpreh znj. Brnabić.
Qeveria nuk i trembet pyetjeve të vështira, ne jemi të përgjegjshëm dhe transparentë, dhe unë e di fare mirë që kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e demokracisë sonë.
Angazhimi ynë për një mjedis të lirë mediatik tregohet gjithashtu përmes negociatave me Euronews për të hapur një zyrë të kësaj agjencie edhe në Serbi.
Kopertina e revistës javore NIN ku shfaqet një foto e Presidetit Vučić i vënë në shënjestrimin e një snajper, është vetëm një shembull i qartë i atmosferës së mediave. Sulmi ndaj Milan Jovanović është ndjekur penalisht dhe gjyqi ka filluar. Unë jam takuar personalisht me Milan Jovanović për të dërguar një mesazh të qartë se liria e medias dhe liria e fjalës janë vlera të padiskutueshme.
Kryministrja vazhdoi më tej duke thënë se ajo do të qëndrojë gjithmonë në anën e çdo gazetari që sulmohet sepse po bën thjesht punën e tij, në të njejtën mënyrë siç unë ofrova edhe mbështetjen time për një prej transmetuesve tanë shtetëror, RTS, në momentin kur selia e tyre u sulmua në fillim të këtij viti.
Sipas mendimit tim, ky proces i reformës dhe përgatitjet në të gjitha aspektet e shoqërisë serbe janë më të rëndësishme sesa data e mundshme e anëtarësimit tonë në BE. Ne nuk do të nxitojmë të bashkohemi me këtë bllok derisa të jemi vërtet gati dhe të ndihemi mbi të gjitha të fortë si komb. Unë dua që BE-ja dhe qytetarët tanë ta shohin me besim të ardhmen brenda bllokut.
Ne po shkojmë drejt një viti zgjedhor dhe është mëse normale që retorika e partive politike të vihet në qendër të diskutimeve. Ka edhe nga ata që nuk janë dakord me ambiciet e Serbisë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe të cilët kanë plotësisht të drejtë të shprehin haptazi mendimet e tyre, por jo që të mundohen që ta kërcënojnë këtë proces.
Raporti vjetor i Progresit në BE mbi përgatitjet e pranimit të Serbisë u prit mjaft mirë në Beograd. Partneriteti që kemi me Komisionin bazohet në respekt dhe ndershmëri të ndërsjellë. Ne kemi nevojë që ata të vazhdojnë të ofrojnë të njëjtën mbështetje në mënyrë të tillë që ne të vazhdojmë në rrugën tonë drejt progresit të mëtejshëm.
“Në një periudhë zgjedhore, tensionet mund të jenë padyshim të larta. Në emër të qeverisë dhe qytetarëve tanë, unë kërkoj që të gjithë të sillemi në mënyrë sa më të qytetëruar, ashtu siç në fakt e meriton edhe një proces i vërtetë demokratik.
Ne nuk duhet kurrsesi t’i rrisim ato tensione. Kjo është edhe arsyeja se nëse ne do të duam të kemi një proces zgjedhor sa më të drejtë dhe demokratik, atëherë të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të paraqesin vizionin dhe programin e tyre.
Ata që pretendojnë se janë të përjashtuar nga ky proces, po përpiqen të mashtrojnë, më duhet ta theksoj edhe një herë një fakt të tillë.
E vërteta është se ata e kanë përjashtuar veten, pavarësisht përpjekjeve tona më të mira për të përmbushur dëshirat e partive opozitare. Progresi që Serbia ka bërë nuk mund të dëmtohet kurrsesi prej tyre”, përfundoi Kryeministrja serbe Ana Brnabić.