Serbia ka paguar më shumë se 1.6 milionë euro në periudhën 2014 – 2018 për ndalimin ose dënimin e padrejtë të shtetasve të saj, shkruajnë Milica Stojanovic dhe Ivana Jeremic për BIRN.
Më 9 qershor të 2011, dy policë trokitën në derën e një apartamenti në qytetin e Suboticës në Serbinë e Veriut, ku një djalë i ri në të njëzetat jetonte së bashku me nënën e tij.
Ky djalë i ri, të cilin BIRN për arsye sigurie do ta quajë Dejan, u dërgua në stacionin më të afërt të policisë dhe më pas, para një gjyqtari iu tha se po akuzohej për shpërndarje të lëndës narkotike të marijuanës.
Dejani u urdhërua të qëndronte në paraburgim për 30 ditë, një masë që zbatohet nëse gjyqtarët mendojnë se i akuzuari mund të përbëjë rrezik, mund të arratiset nga vendi, mund të kërcënojë dëshmitarët apo mund të prishë qetësinë publike.
Në korrik, Dejanit iu zgjat paraburgimi edhe me 60 ditë dhe pasi kreu edhe këto 60 ditë, atij iu zgjat edhe me 90 ditë të tjera. Kur Dejan u lirua në nëntor të 2012, kishte kaluar rreth 513 ditë në paraburgim.
Tri ditë pas lirimit të tij, Dejani u shpall fajtor dhe u dënua me tre vjet burg. Ai apeloi dhe u lirua më në fund në janar të vitit 2016. Por koha që ai kaloi pas hekurave u shndërrua në pengesën më të madhe për të gjetur punë. Ende pa i mbushur të 30-at, Dejan plotësoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kompensim nga Ministria e Drejtësisë, por nuk mori përgjigje brenda afatit të caktuar. Ai hapi një gjyq kundër shtetit serb për dënim, për shkelje të ligjit dhe në 2017 arriti që të marrë një dëmshpërblim prej 21,000 eurosh.
“Edhe pse sot, ai është një qytetar i lirë, ka ende trauma nga koha kur ishte pas hekurave. Vuan nga pagjumësia, zgjohet në mes të natës nga makthet me frikën se është në paraburgim”. Historia e Dejanit, e shkruar nga BIRN, bazuar në dokumentet gjyqësore të lëshuara nëpërmjet bërjes së një kërkese për Lirinë e Informacionit, është vetëm një nga 4,376 rastet që serbët kanë kërkuar kompensim nga Ministria e Drejtësisë për ndalim ose dënim të paligjshëm, në periudhën 2014 – 2018.
Ministria u dha të drejtë 293 rasteve, duke paguar rreth 456,000 euro. Sipas të dhënave të ofruara nga gjykatat, gjatë së njëjtës periudhë, shteti serb ka paguar 1.22 milionë euro shtesë për paditë e fituara nga shtetas të ndryshëm, si në rastin e Dejanit. Sipas kërkimeve të kryera nga BIRN, shifra totale që shteti serb ka paguar nga paratë e taksapaguesve, për të kompensuar të gjitha rastet e ndalimeve apo dënimeve të paligjshme, ka shkuar në 1.68 milionë nga 2014 në 2018. Sipas BIRN, mendohet se kjo shifër është më e lartë.
Organizatat e të drejtave të njeriut dhe ekspertët ligjorë thonë se numri i këtyre rasteve është i lartë, duke treguar një tendencë shqetësuese të paraburgimit të paligjshëm. Sipas tyre, prokurorët dhe gjyqtarët veprojnë në këtë mënyrë për të krijuar terror në popull dhe për të plotësuar kërkesat e politikanëve të korruptuar. Këto veprime janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe mbi të gjitha, shkelin edhe të drejtat e qytetarëve.
“Ekziston një mendim i gabuar në Serbi se, nëse dikush nuk do të dënohet, atëherë do të thotë se këtë gjë mund ta bëjnë pa kurrfarë frike edhe shumë të tjerë, sepse tek e fundit, nuk do t’i gjejë asgjë”, shprehet Omer Hadziomeroviç, nënkryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Serbisë. Këtu, askush nuk e nis fjalinë me “për këtë çështje do të merren masat e duhura”. Por ajo fillon: “me siguri që do të ketë arrestime, sepse nëse nuk ka arrestime, asgjë nuk mund të zgjidhet”, thotë në fund z. Hadziomerovic.
Në Raportin e Praktikave të të Drejtave të Njeriut 2018, të Departamentit amerikan të Shtetit, citohet se problemi i paraburgimit të zgjatur në Serbi është përmirësuar në dekadën e fundit, por megjithatë përbën një problem shumë të madh në vend. Për shkak të procedurave joefikase gjyqësore, shumë raste kalojnë një periudhë të gjatë në paraburgim përpara se të gjykohen.
Dejan, emri të cilin BIRN zgjodhi për të quajtur djalin që ishte pjesë e një ndalimi për një kohë të gjatë në paraburgim, refuzoi nëpërmjet avokatit të japë komente për këtë histori.