Nga Gordana Filipovic*
Sfida e ministrit serb të Punës, Zoran Djordjevic është të ndalë rënien e numrit të popullsisë, e cila është tkurrur me më shumë se 5% gjatë dekadës së fundit.
Z. Djordjevic po përballet me pengesa të njëjta si ato në çdo vend tjetër të Rajonit të Ballkanit, si nivelet relativisht të ulëta të pagave, papunësia e lartë dhe vende pune të paguara më mirë në shtetet fqinje të Bashkimit Europian, shkruhet në bloomberg.com.
Ai ka punësuar një ekip ekonomistësh dhe statisticienësh, të cilët drejtohen nga një ekspert i çështjeve të emigracionit, për të trajtuar një nga problemet më të mëdha ekonomike dhe demografike në Europë.
Nëse do të ketë sukses, plani do të ndikojë në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së Serbisë, do të rrisë investimet e huaja në vend dhe ndoshta do të realizojë edhe planin e Presidentit Aleksandar Vuçiç për ta bërë Serbinë pjesë të BE-së në dekadën e ardhshme, deklaroi Zyra e Shtypit e Ministrisë së Punës.
“Këto janë armët që ne mund të përdorim”, tha ish-ekzekutivi financiar dhe dikur ministër i Mbrojtjes, 49-vjeçari, Djordjevic. Në kohën kur ne do të bashkohemi me BE-në, duam që Serbia të jetë një prej shteteve që të renditen diku në mes, ndërsa emigrimi të jetë një çështje që do të ndodhë në vende të tjera. Serbia nuk është e vetme në këtë drejtim. Shqipëria fqinje, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po kërkojnë gjithashtu të bëhen pjesë e BE-së.
Kroacia dhe Bullgaria fqinje, të cilat janë tashmë anëtare të BE-së, një status ky që në fakt ndihmoi në intensifikimin e eksodit të qytetarëve të tyre. Bullgaria, e cila po vuan nga niveli shumë i ulët i lindshmërisë, po përballet edhe me një rënie të lartë të numrit të popullsisë së saj.
Sergei Guriev, kryeekonomist në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u shpreh se Rajonin e Ballkanit e pret një situatë shumë e vështirë, e cila është përkeqësuar edhe nga niveli i ulët i standardeve të jetesës. Shteti i Serbisë është ende në anën e shteteve të dobëta, dhe kur Serbia të arrijë nivelin e sotëm të Gjeorgjisë, Turqisë ose Hungarisë, zhvillimi i mëtejshëm do të ulë emigrimin, përfundoi z. Guriev.
“Kampion i botës”
Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, rreth 60% e 415,000 serbëve që u larguan nga shteti i tyre gjatë periudhës 2007-2016, emigruan në Gjermani. Niveli i papunësisë tejkaloi 11% në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, rritja ekonomike vjetore prej 3.5% në tremujorin e katërt është një shifër më e lartë në krahasim me atë të 2017, si dhe investimet direkte prej 1.4 miliardë eurosh (1.6 miliardë dollarësh) nga mesi i vitit të kaluar duket se po ecin në rrugën e duhur për të shënuar më shumë rritje.
Plani i Djordjevic është që të ndalojë largimin e punëtorëve nga Serbia dhe të ndërtojë më shumë fabrika, një strategji kjo që ka ndikuar pozitivisht dhe ka ndihmuar shtete si Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Polonia. Në të njëjtën kohë, ministri serb i Punës tha se vendi nuk duhet t’u kushtojë rëndësi krijimit të një modeli bazuar në punën e lirë, por edhe në atë të profesionistëve të kualifikuar. “Ideja jonë është që Serbia të jetë ndryshe”, tha ë fund ministri Djordjevic.
* Gordana Filipoviç, gazetare e Bloomberg-ut në Serbi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.