Serbia përsëri i bën thirrje Kosovës për heqjen e taksës 100% 

26/08/2019 1:00 PM 0 komente

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, në fjalimin e saj gjatë ditës së sotme ka thënë se marrëdhëniet ekonomike mes Maqedonisë dhe Serbisë janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Bërnabiq e cila gjendet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tha se Kosova, duke iu referuar si “Prishtina”, duhet të rishqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat nga Serbia.  Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

 

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e cila gjendet në Republikën e Maqedonisë së Veriut i ka bërë thirrje Kosovës që ta heqë takën 100% që i është vendosur Serbisë gjatë vitit të kaluar. 

Ajo ka thënë se Kosova, duke iu referuar si “Prishtina”, duhet të rishqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat nga Serbia. 

“Shumë më mirë është të bashkëpunojmë se sa të bllokojmë. Prishtina duhet ta shqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat serbe”, tha Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë gjatë ceremonisë së fillimit të menaxhimit të përbashkët kufitar “One stop Shop”

Ajo tutje ka bërë me dije se marrëdhëniet ekonomike mes Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të mira. 

“Marrëdhëniet ekonomike, mes Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Ndërkohë që projekti i sotëm vetëm se do të thelloj edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik, që është shumë i rëndësishëm për raportet ekonomike mes dy vendeve”. 

Javë më parë ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq  ka treguar se gjatë tetë muajve, aq sa është në fuqi taksa e vendosur nga autoritetet kosovare për mallrat nga Serbia, 260 milionë euro më pak mallra janë vendosur në Kosovë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Këto janë humbje të drejtpërdrejta financiare, por dëmi afatgjatë do të jetë edhe më i madh, pasi biznesmenët tanë mund të humbasin përgjithmonë atë treg,” theksoi Ljajiq.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar gjatë tërë kohës të thotë se taksa nuk do të hiet derisa Serbia ta njohë Kosovën.  

“Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e të shtet-bërjes, nuk është votë”. 

Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.

Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.

Ndryshe, para disa ditësh Kosova vendosi masë reciprociteti Maqedonisë së Veriut, për disa produkte, pasi ky vend ndali importin e disa produkteve nga Kosova.

Autoritetet në Kosovë vendosën një masë për dy produkte ushqimore. Ndaluan importimin e mjaltit natyral dhe patateve për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe prodhimeve vendore.

Kjo masë kishte ardhur si masë reciprociteti e Kosovës, pasoi pengesat tarifore të vendosura nga Maqedonia e Veriut ndaj rasadit të peshkut që eksportohet nga Kosova në shtetin fqinjë. Kosova për këtë ka bërë ankesë edhe në organizatën e tregtisë së lirë CEFTA.

 Kurse ministri i Tregtisë, Endrit Shala, pas një takimi që ka pasur me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se Republika e Kosovës deri në fund të kësaj jave mund të heqë barrierat e vendosura ndaj Maqedonisë së Veriut.

 “Jemi dakorduar që deri në fund të javës agjencioni ynë t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj agjencioni i Maqedonisë së Veriut ta heqë atë barrierë ndaj Republikës së Kosovës. Parimisht u dakorduam për këta hapa. Në rastin kur të përfundohet kjo do të eliminohet masa nga ne si Ministri e Tregtisë po edhe barriera që po iu shfaqet biznese tona në Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Shala. 

Kurse ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se Maqedonia e Veriut nuk e ka vendosur këtë masë vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj vendeve tjera fqinje.

“Maqedonia e ka vendosur këtë masë ndaj të gjithë shteteve që nuk e implementojnë monitorimin aktiv sa i përket produkteve të peshkut. Që nga viti i kaluar ne si qeveri i kemi njoftuar institucionet përkatëse si Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjën për këtë program me të vetmin qëllim që t’i eksportojmë produktet tona në BE”. 

Kontesti tregtar me Prishtinën filloi kur Maqedonia e Veriut ndaloi importin e peshkut dhe ikrave me arsyetimin se Agjencia kosovare e ushqimit nuk është e akredituar sipas standardeve evropiane. Më pas, Kosova reagoi duke vendosur bllokim për import të patates dhe mjaltit. /Monitor.al/. 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of