Sipas anketës më të re të Eurobarometrit, të kryer në qershor të këtij viti dhe të publikuar këtë muaj, Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, shtetasit e të cilit kanë më shumë besim në qeverinë vendase (41%) sesa në atë të Bashkimit Europian (33%).
Në Maqedoninë e Veriut, këto shifra janë përkatësisht 57% për BE-në dhe 33% për qeverinë kombëtare, në Shqipëri 69% me 40% ndërsa në Mal të Zi, rezultati është 47% me 43%. Anketa nuk është kryer ende në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Serbia është i vetmi vend i anketuar i Ballkanit Perëndimor me një nivel më të lartë mosbesimi sesa besimi në Bashkimin Europian, me një diferencë të konsiderueshme ndërmjet të dyjave.
Edhe vetë brenda BE-së, niveli i mosbesimit është më i lartë se niveli i besimit, me një raport prej 46% me 44%.
Kur flitet për imazhin që BE-ja ka në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është përsëri në krye të listës, me 81% të qytetarëve të saj që kanë një imazh “shumë pozitiv” ose “pozitiv”, ndërsa vetëm 3% e qytetarëve shqiptarë kanë besim “negativ” ose “shumë negativ” ndaj saj.
Në Serbi, përqindja e qytetarëve që kanë një imazh pozitiv për BE-në është më pak se gjysma e asaj që është në Shqipëri, me rreth 37%. Por gjithsesi kjo përqindje është më e lartë në krahasim me numrin e atyre që kanë një imazh negativ ndaj BE-së, me vetëm 27%.
Në Mal të Zi, raporti është 63% me 13% në favor të një imazhi pozitiv të BE-së, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, raporti është 56% me 17% sërish në favor të imazhit pozitiv të BE-së.
Mali i Zi është i vetmi vend i anketuar në të cilin popullsia vendase është e ndarë në dy kampe me përqindje thuajse të barabartë ndërmjet njëri-tjetrit, ku 48% e vlerësojnë ekonominë vendase si “të mirë”, ndërsa 47% e vlerësojnë atë si “të keqe”.
Edhe raporti në BE është pothuajse i njëjtë, ku 49% e qytetarëve të BE-së janë të kënaqur me ecurinë ekonomike të vendit, ndërsa 47% e tyre nuk janë.
Nga ana tjetër, më shumë se 60% e qytetarëve në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi shprehen se ekonomia e vendit të tyre është “e keqe”, ndërsa në Serbi shifra të tilla janë edhe më të larta, duke shkuar në 67%.
“Situata ekonomike” dhe “papunësia” janë dy ndër çështjet më të rëndësishme për qytetarët e rajonit të Ballkanit, madje shumë më të rëndësishme sesa për qytetarët e BE-së.
Një çështje tjetër ku theksohet më shumë diferenca ndërmjet Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është mjedisi dhe klima, të cilat shihen me interes për 20% të qytetarëve të BE-së, ndërsa në Rajonin e Ballkanit përqindjen më të lartë e ka Shqipëria me 7%.
Sipas rezultateve të një sondazhi të kryer së fundmi, më shumë se gjysma e qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë shumë të lidhur me Bashkimin Europian, ku përqindja në të tre shtetet e lartpërmendura është midis 54 dhe 57%. Serbia, përsëri, po tregon më pak përkushtim ndaj BE-së, me vetëm 22% të qytetarëve të saj që shprehen se ndihen të lidhur me BE-në. Për shumicën e qytetarëve të anketuar në të gjithë rajonin, BE personalisht do të thotë “liri për të udhëtuar, për të studiuar dhe për të punuar kudo në BE”, si dhe “prosperitet ekonomik” dhe “mbrojtje sociale”. Kategoritë në të cilat qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë shumë pak lidhje me BE-në, janë ato të “krimit të organizuar”, “burokracive” dhe “nivelit të lartë të papunësisë”.