Seria A shkon drejt rekordit të shpenzimeve në merkato. Deri tani, kampionati italian ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro në blerje lojtarësh. Rekordi është larg “vetëm” 200 milionë euro.
Siç raporton Corriere dello Sport, duke u mbështetur në të dhënat e Transfermarkt, Seria A është kampionati i tretë në nivel shpenzimesh, me 1,080 miliardë euro, pas Premier League, 1,5 miliardë euro (kjo shifër nuk do të rritet më duke qenë se merkato në Angli është mbyllur) dhe pas Ligës spanjolle (1,2 miliardë euro). Më larg, duke marrë në analizë pesë kampionatet kryesore në Europë, renditet Bundesliga (678 milionë euro) dhe Ligue 1 (434 milionë euro).
Pak më shumë se dy javë nga fundi i merkatos, Seria A pritet të thyejë rekordin prej 1,280 miliardë euro në sezonin e kaluar. Mungojnë veç 200 milionë euro.
Në dy sezonet e fundit, Seria A ka qenë gjithnjë kampionati i dytë në lidhje me shpenzimet, pas Premier League. Si në sezonin 2017/18 (kur u shpenzuan 1,050 miliardë euro) si në sezonin 2018/19 (1,280 miliardë euro), klubet italiane kanë shpenzuar më pak vetëm se ato angleze gjatë merkatos.