Sa vlejnë sponsorët e fanellës në Serinë A? Kësaj pyetje është përpjekur t’i japë përgjigje “La Gazzetta dello Sport”, e cila pas një përpunimi të dhënash arrin në përfundimin se vlera e kontratave sponsorizuese në Serinë A shkon në 116 milionë euro.
Kjo shifër është rritur lehtë krahasuar me 114 milionë vitin e kaluar, duke përfshirë 50 sponsorë në total. Për momentin, janë vetëm 4 klube që nuk kanë një sponsor gjeneral – Genoa, Lazio, Sampdoria e Spal. Klubit të Lazios i është dashur të heqë dorë nga 7 milionë euro nga kompania e basteve online Marathonbet, për shkak se reklamimi i kompanive të basteve ndalohet.
Në vend të parë për vlerën e sponsorëve të fanellës gjejmë gjithnjë Sassuolo, falë kontratës në afat të gjatë me kompaninë Mapei: 18 milionë euro për sponsorizimin e fanellës dhe për dhënien e emrit të stadiumit – Mapei Stadium, si dhe qendrës së re sportive. Sassuolo ndiqet nga klubet e mëdha në kampionat Juventus (17 milionë), Milan e Roma (14 milionë), Inter (10,5 milionë), Napoli (9 milionë).
Kontratat e Juventus dhe Inter përfundojnë në vitin 2021. Bardhezinjtë synojnë shifra të larta falë efektit Ronaldo. Ndërkohë janë duke u zhvilluar bisedime për rinovimin e kontratës me Jeep, por ka edhe kompani të tjera të interesuara. Në anën e pasme të fanellës nuk shfaqet më Cygames, kështu hapësira mbetet e lirë për kontrata më të rëndësishme.
Sa i përket Inter, kompania me seli në Milano, Pirelli, ofron shpërblime të kënaqshme, por zikaltërit kërkojnë më shumë. Për Milanin nuk ndryshon asgjë, kontrata e të cilit me Emirates përfundon më 30 qershor 2020.
Në lidhje me 15 klubet e tjera të Serisë A, e vetmja risi është Fiorentina e cila ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane me seli në Nju Jork, Mediacom, në pronësi të sipërmarrësit italo-amerikan Rocco Commisso. Nga kjo marrëveshje, klubi përfiton 6,5 milionë euro. (në dhjetë ndeshje do të shfaqet edhe sponsori tjetër Val di Fassa). Klubi i Atalantës dhe Torinos fitojnë nga marrëveshjet sponsorizuese 5 milionë euro, kurse Cagliari, 4 milionë.
Renditja e 20 klubeve të Serisë A sipas marrëveshjeve sponsorizuese
1° Sassuolo 18 milionë
Çuditërisht në krye të renditjes së klubeve që fitojnë më shumë para nga kontratat sponsorizuese nuk është një klub i madh, por Sassuolo. Falë marrëveshjes me Mapei, për t’u shfaqur në fanellë, Sassuolo fiton 18 milionë euro.
2° Juventus 17 milionë
Bardhezinjtë fitojnë 17 milionë euro nga Jeep (bonus 1 milion për fitimin e kampionatit, 1 milion për pjesëmarrjen në Champions dhe 1 milion për arritjen në fazën çerekfinale). Kontrata përfundon në vitin 2021 dhe Juventus synon ta rinovojë atë ashtu siç bëri me Adidas (vlera e marrëveshjes sponsorizuese u dyfishua), falë efektit Ronaldo.
3° Milan 14 milionë
Kuqezinjtë fitojnë 14 milionë euro nga Emirates. Marrëveshja nisi në vitin 2010 dhe u rinovua në kohën e Barbara Berlusconi, me një kontratë 5-vjeçare që përfundon në vitin 2020. Një ndër objektivat e drejtuesve të rinj të Milanit është rritja e të ardhurave të klubit, veçanërisht ato tregtare, që pësuan humbje të vlerës së brandit.
3° Roma 14 milionë
Falë marrëveshjeve me Qatar Airways (sponsori kryesor në fanellë) dhe Hyundai (në pjesën e pasme të fanellës), Milan fiton 14 milionë euro në vit. Të dyja marrëveshjet kanë nisur në vitin 2018 dhe përfundojnë në vitin 2021. Nga kompania ajrore, Milan fiton 11 milionë euro në vit, kurse nga kompania automobilistike Hyundai, 3 milionë euro. Milan iu desh të heqë dorë nga kontrata me Betway për fanellën e stërvitjes (4,5 milionë euro në vit) për shkak të ndalimit të reklamimit të kompanive të basteve në fanella.
5° Inter 10,5 milionë
Zikaltërit fitojnë 10,5 milionë euro në vit nga marrëveshja sponsorizuese me Pirellin, e cila jep shpërblime të larta në varësi të ecurisë sportive. Kontrata me partnerin historik përfundon në vitin 2021 dhe familja Zhang po punon për të shfrytëzuar në mënyrën më të mirë rritjen, veçanërisht në Azi të klubit të Inter. Pirelli ka ekskluzivitetin e së gjithë fanellës, kështu që deri më tani ka qenë e pamundur për të përfshirë sponsorë të tjerë.
6° Napoli 9 milionë
Klubi i Napolit fiton në total 9 milionë euro nga sponsori kryesor Lete, bashkësponsori MSC Crociere dhe Kimbo, në pjesën e pasme të fanellës.
7° Fiorentina 6,5 milionë
Fiorentina fiton në total 6,5 milionë euro nga sponsori kryesor Mediacom, Prima.it në pjesën e pasme të fanellës dhe Estra, sponsori i mëngës.
8° Atalanta 5 milionë
Zikaltërit fitojnë në total 5 milionë euro nga Radici (sponsori kryesor), UPower (bashkësponsor), Gewiss (sponsori në pjesën e pasme të fanellës) e Automha (sponsori i mëngës). Falë pjesëmarrjes në Champions, vlera tregtare e fanellës është rritur me sponsorin kryesor nga 1,5 në 2 milionë euro.
8° Torino 5 milionë
Klubi i Torinos fiton 5 milionë euro në total nga Suzuki (sponsori kryesor), Beretta (bashkësponsor), EdiliziAcrobatica (sponsori në pjesën e pasme të fanellës), N.38 Wüber (sponsori i mëngës).
10° Cagliari 4 milionë
Cagliari fiton 4 milionë euro në total nga Regione Sardegna (sponsori kryesor), Ichnusa (bashkësponsor), Nieddittas (sponsori në pjesën e pasme të fanellës) e Arborea (sponsori i mëngës). Segmenti komercial i Cagliari-t është rritur shumë në sezonet e fundit falë strategjive të marketingut territorial.
11° Udinese 2,5 milionë
Udinese fiton 2,5 milionë euro nga sponsori kryesor Dacia, bashkësponsori Vortice dhe nga Bluenergy që shfaqet në pjesën e pasme të fanellës. Fitimet mbeten të pandryshuara krahasuar me sezonin e kaluar.
12° Bologna 2,2 milionë
Klubi i Bolonjës fiton 2,2 milionë euro plus bonus nga Liu Jo (sponsori kryesor), Illumia (sponsori në pjesën e pasme të fanellës) e Lavoropiù (sponsori i mëngës).
13° Brescia 2 milionë
Brescia fiton 2 milionë euro nga marrëveshjet sponsorizuese me Ubi Banca (sponsori kryesor) e Omr (sponsori në pjesën e pasme të fanellës). Omr drejtohet nga Marco Bonometti, i cili e shpëtoi klubin nga falimenti në vitin 2014.
14° Parma 1,8 milionë
Klubi i Parmës për momentin fiton 1,8 milionë euro nga Cetilar (sponsori kryesor), Viva la Mamma (sponsori në pjesën e pasme të fanellës) dhe Canovi (sponsori i mëngës). Vlera është 0,5 milion më shumë krahasuar me sezonin e kaluar.
15° Lecce 1,5 milionë
Klubi i Lecce-s fiton 1,5 milionë da Moby (sponsor kryesor), Maffei (bashkësponsor), Labconsulenze (sponsor në pjesën e pasme të fanellës) e Banca Popolare Pugliese (sponsor i mëngës).
16° Verona 1 milion
Klubi i Veronës fiton në total 1 milion euro nga Sinergy (sponsori kryesor), Air Dolomiti (bashkësponsor), Sartori (bashkësponsor i fanellës së tretë) dhe Trivellato (sponsor i mëngës).
17° Genoa 0,7 milion
Klubi i Genoas nuk ka një sponsor kryesor. Falë marrëveshjes me Zentiva dhe me LeasePlan, në pjesën e pasme të fanellës, klubi fiton rreth 700 mijë euro.
17° Spal 0,7 milion
19° Sampdoria 0,5 milion
Sampdoria nuk ka një sponsor kryesor. Nga Invent (bashkësponsor) dhe Ibsa (në pjesën e pasme të fanellës), fiton 500 mijë euro.
20° Lazio 0 milion
Lazio nuk ka ende një sponsor në fanellë. Për shkak të ndalimit të reklamave të basteve, klubit iu desh të hiqte dorë nga marrëveshja sponsorizuese me Marathonbet, prej 7 milionë eurosh.
Burimi: Gazzetta dello Sport