Zgjedhjet e parakohshme i shokuan të gjithë – përfshirë këtu edhe kabinetin e Theresa May. Një shumicë më e madhe do të përmirësonte pozitën e qeverisë në vend dhe veçanërisht jashtë tij
Një gjë është e sigurt në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme britanike: Theresa May nuk i thirri ato për arsyet që mund të pretendohen, shkruan The Economist. Gjatë deklaratës së saj për shtyp në 10 Downing Street, ajo u shpreh se nuk kishte zgjidhje tjetër, por të kryente një sondazh sepse sipas saj, i gjithë vendi po bashkohej me përjashtim të Westministers.
Në fakt, vendi ndahet në dy kampe – më shumë se 40% e britanikëve mendojnë ende se Brexit ishte një gabim – ndërsa partia më e madhe opozitare, Partia Laburiste, u shpreh se edhe ajo njësoj si partia e znj. May do të pranonte “vullnetin e popullit”, gjë të cilën e ka pranuar edhe gjatë referendumit. Arsyeja që ajo thirri zgjedhjet e parakohshme është e thjeshtë: ajo mendon se mund të fitojë me një diferencë shumë të thellë ndaj kandidatit tjetër.
Jeremy Corbyn, i cili është një ndërthurje midis ekstremizmit ideologjik dhe paaftësisë politike, ka bërë që Partia e tij politike Laburiste, të humbë shumë pikë në popull.
Kjo parti është kryesisht e ndarë midis klasës punëtore pro-Brexit dhe metropolitanëve anti-Brexit.
Në sondazhet e këtij muaji, konservatorët udhëheqin sondazhet e opinionit me 20 pikë kundrejt laburistëve. Vetëm 14% e britanikëve shprehen se do të votojnë për z. Corbyn si kryeministër dhe jo për znj. May. Kryesimi i Partisë Konservatore në mesin e votuesve të klasës punëtore “C2DE” është pothuajse po aq i madh sa edhe ai në mesin e votuesve të klasës së pasur ABC1.
Mesazhi i demokratëve liberalë është shumë i fortë: Ne jemi partia me 48%, që votoi anti-Brexit, por pika jonë e dobët është lideri i partisë sonë, udhëheqësi i dobët dhe jo shumë i njohur nga njerëzit, Tim Farron. Partia e Pavarur e Mbretërisë së Bashkuar është shkatërruar. Nacionalistët skocezë kanë arritur kulmin, duke fituar 56 nga 59 zonat e Skocisë në zgjedhjet e fundit dhe tani po vuajnë si pasojë e zhgënjimeve të pashmangshme në lidhje me drejtimin e vendit.
Më 19 prill, Times citoi të dhënat e sondazheve paraprake, sipas të cilave znj. May mund të fitonte zgjedhjet me një shumicë prej më shumë se 100 vendesh.
Kjo do t’ia rriste asaj mundësinë për të negociuar sa më lirshëm në lidhje me Brexit. Kjo do t’i jepte asaj lirinë për të arritur në kompromise me Bashkimin Europian.
Fitorja do ta rriste autoritetin e saj edhe në drejtime të tjera.
Fitorja do t’i jepte znj. May një mandat tërësisht të sajin dhe do ta çlironte nga kufizimet e paraardhësit të saj, ish-kryeministrit, David Cameron, si pasojë e të cilave ajo është detyruar të tërheqë rritjen e taksës së propozuar. Ndërkohë të gjithë deputetët konservatorë, të cilët luftuan në këto zgjedhje, duke pasur në krye gjeneralen May, do të zotohen që edhe në të ardhmen ta mbështesin atë dhe të mos e zhgënjejnë.
Kjo fitore është shumë e rëndësishme, sepse ajo do të zgjasë kohën e saj në 10 Downing Street deri në vitin 2022. Komanda e lartë e konservatorëve është shumë e shqetësuar, sepse si pasojë e Aktit Parlamentar Afatgjatë, sipas të cilit zgjedhjet e përgjithshme mbahen një herë në pesë vjet, pra në vitin 2020.
Një gjë e tillë i jep BE-së levën komanduese në lidhje me negociatat, ku sipas saj, znj. May duhet të kishte nxituar për të arritur një marrëveshje përpara se të fillonte cikli pesëvjeçar zgjedhor.
Por pse një vendim i tillë, për zgjedhje të parakohshme, duket se e zuri Britaninë në befasi?
Anëtarët e kabinetit u shprehën se u shokuan kur u vunë në dijeni të pretendimit të znj. May vetëm disa minuta përpara se ajo ta informonte vendin. Por kjo çështje kishte muaj të tërë që të diskutohej brenda qarqeve të Partisë Konservatore.
Në mars të këtij viti, William Hague, një ish-udhëheqës i kësaj partisë, nëpërmjet publikimit të një artikulli në një gazetë, i bëri thirrje popullit britanik për zgjedhje të parakohshme, një sprovë kjo për të testuar reagimin e tyre.
Entuziazmi i tyre u ndërpre menjëherë, sepse sipas një sondazhi të kryer nga lideri shpirtëror i konservatorëve, Lynton Crosby, partia do të humbiste vendet në jug kundrejt liberalëve demokratë.
Por ka edhe disa arsye të tjera se përse zgjedhjet e përkohshme të përgjithshme nuk duhet të zhvillohen. E para dhe më e rëndësishmja është se znj. May ka deklaruar se ato nuk do të mbaheshin. E dyta është se pritja deri në vitin 2020 do të sjellë me vete edhe avantazhe të tjera të mëdha si: mundësia për të mbajtur në detyrë z. Corbyn për një periudhë më të gjatë dhe mundësia për të fituar 20 vende më shumë si pasojë e ndryshimit të kufijve.
Konservatorët janë gjithashtu të shqetësuar se tejkalimi i Aktit Parlamentar Afatgjatë, sipas të cilit zgjedhjet e përgjithshme duhet të zhvillohen çdo pesë vjet, kërkon aprovimin nga dy të tretat e anëtarëve të Parlamentit. Një shqetësim tjetër lidhet edhe me lodhjen zgjedhore. Një popull i cili ishte mësuar të votojë një herë në pesë vjet mund të ndihet shumë i lodhur, sepse nëse zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 qershor, gjatë vetëm dy viteve të fundit, ata kanë shkuar në qendrat zgjedhore rreth tre herë.
Të gjitha zgjedhjet e parakohshme janë të rrezikshme. Vetëm shtypit do t’i interesonte një dramë e tillë. Megjithatë, konservatorët duken si qen gjahu në pritje të kapjes së presë së tyre, ndërsa laburistët si dhelpra të frikësuara. Rreth gjashtë anëtarë të Partisë Laburiste kanë deklaruar se ata nuk do t’i luftojnë zgjedhjet dhe se ka shumë mundësi që të largohen nga lideri i tyre.
Konservatorët do të paraqesin zgjedhjet e parakohshme si një mundësi zgjedhjeje dhe zgjidhjeje. Këto zgjedhje do të jenë edhe mundësia për t’i dhënë znj. May autoritetin e shumëdëshiruar për të negociuar në Bruksel.
Pra beteja do të jetë midis znj. May dhe z. Corbyn. Deri më tani konservatorët janë treguar shumë dashamirës përkundrejt liderit të Partisë Laburiste, por gjatë shtatë javëve të ardhshme ata shprehen se do të publikojnë të gjitha informacionet që kanë për lidhjet miqësore të z. Corbyn me IRA-n, Hamasin, Hugo Chavez-in dhe disa të tjerë, të cilët nuk shihen aspak me sy të mirë në Anglinë e mesme.
Shtypi pro-Brexit është duke i inkurajuar konservatorët nëpërmjet artikujve të ndryshëm, ku njëri prej titujve kryesorë në Daily Mail ishte “Shtypini sabotuesit”, i publikuar menjëherë pasi znj. May deklaroi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Edhe paundi britanik arriti nivelin më të lartë në gjashtë muajt e fundit.
Ajo është gjithashtu po aq e interesuar që të arrijë të negociojë edhe me 30-40 anëtarët e partisë së saj, të cilët kanë përdorur një shumicë të vogël konservatorësh për të ushtruar presion të panevojshëm dhe ndikim të keq në politikën britanike. Sabotuesit që përfunduan duke u shtypur, mund të mos jenë të vetmit të cilëve i referohet Daily Mail, por mund të ketë edhe të tjerë.