Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, e radhiti këtë vit Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Kosova, në këtë listë, lë prapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. “PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Vlerësimi në shkollat e Kosovës është realizuar në muajin prill të vitit të kaluar.
Janë publikuar rezultatet e testimit PISA për vitin 2018, derisa Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh, tri vjet pas testimit të parë.
PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi në listën mes 79 vendeve të botës. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.
Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.
Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa edhe në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.
Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365
. Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.
Për të folur për arritjet e Kosovës në këto testime, Ministria e Arsimit ka njoftuar se përmes një konference për media do të bëjnë publik rezultatet.
Kurse, Dukagjin Pupovci njohësi i arsimit, ka thënë se këto rezultate janë të lidhura me një mori faktorëve duke filluar nga tekstet shkollore e deri tek mos monitorimi i korrikulës së re e cila është duke u implementuar në shkollat në Kosovë.
“Gjatë këtyre viteve nuk ka pasur ndonjë lëvizje serioze drejt përmirësimit të gjendjes në sistemin e arsimit dhe prandaj rezultati që kanë arritur këta fëmijë është pak më i mirë në disa segmente se sa rezultati i gjeneratës paraprake dhe kjo me tepër se ata janë akomoduar më mirë me testin dhe sido që të jetë nuk mund te konsiderohet të kemi përmirësim të rezultatit mirëpo përkundra në disa fusha kemi edhe përkeqshim siç është fusha e shkencës për shembull”.
Krejt kjo, ai thotë se është si pasoj se nuk janë ndërmarr hapa serioz për përmasimin e gjendjes në sistemin e arsimit.
“Për shembull me implementimin e korrikulës së re e cila as nuk është mbështetur as nuk është monitoruar. Tekstet shkollore janë ato të viteve 2000 të cilat në vitin e fundit janë ndryshuar pakëz dhe aty po flitet për shumë gabime”.
Gjithashtu ai këto rezultate të dobëta të nxënësve i lidh edhe më rritjen e pagës se mësimdhënësve.
“Pastaj procesi i licencimit të mësimdhënësve në shkolla ka dështuar krejtësisht, ndërsa pagat janë rritur disa herë pa u ndërlidhur fare me përformancën ndërkohë kjo rritjeje e pagës ka ndikuar në zvogëlimin e buxhetit të shkollave për mjete mësimore të cilat do të ndihmonin në konkretizimin e mësimit”, ka deklaruar ai.
Sipas Pupovcit në përgjithësi nuk janë zbatuar planet e hartuar për përmirësimin e gjendjes në arsim dhe mbi të gjitha nuk është arritur të ndërtohet një sistem i llogaridhënës së mirëfilltë brenda sistemi të arsimit.
Rezultatet e PISA-s 2018, e vendosën Kosovën në vendin e njëjtë sikur të ato të 2015.
Veç dy vende janë më keq se Kosova, por dallimi është që në vitin 2015 ishin 72 vende pjesëmarrëse e tash 79.
/Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.