Sezoni bujqësor në përfundim, por çmimet e ushqimeve më të ulëta, inflacioni i shtatorit 1.6%

09/10/2017 1:56 PM 0 komente

Megjithëse sezoni i prodhimeve bujqësore është drejt fundit, çmimet e produkteve nuk po rriten. INSTAT raportoi sot se rritja mesatare e çmimeve në muajin shtator ishte vetëm 1.6 për qind. Nga të dhënat shihet se, ky nivel është ndikuar nga një rritje më e moderuar e grupit “Ushqime dhe pije alkoolikë”.

Pesha e këtij grupi në inflacion gjatë vitit të kaluar ka qenë rreth 1.7 për qind, por këtë vit ka qenë më i ulët, përkatësisht në shtator 1,34 pikë përqindje. Prodhimi vendas arriti të furnizojë normalisht tregjet duke i mbajtur edhe çmimet relativisht të ulta, në kontradikte me zhvillimet e këtij viti në bujqësi, kur qeveria ka raportuar se gjysma e prodhimit bujqësor është dëmtuar nga vera shumë e thatë.

INSTAT raporton se, ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,34 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar +0,04 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,02 dhe çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,05 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shtator 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,5 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 %, “Shërbimi arsimor” me 1,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,8 %,“Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 10,8 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 10,3 %, “peshk” me 5,0 %, “qumësht, djath e vezë” me 2,0 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,7 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,7 %.

Ndryshimi mujor i indeksit është +0,4 %. Krahasuar me muajin Gusht 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Veshje dhe këpucë” me 2,4 %, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 2,2 %, “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,5 %, etj. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Shëndeti” dhe “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1 % secili.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of