“Sezoni i suksesshëm, kemi nënshkruar kontrata të reja 3-vjeçare me nordikët”

14/09/2019 10:09 PM 0 komente

Rrahman Kasa, Menaxher pranë “Happy Tours”

 

Ankthi që pushtoi tur-operatorët në fillim të verës, për shkak të trazirave politike e protestave në vend, ka mbetur tashmë pas. Ata vlerësojnë se edhe këtë herë, turizmi ia doli t’i mbijetonte “furtunave” që shkaktohen herë pas here dhe 2019 mund të cilësohet një tjetër vit i suksesshëm. Gjithsesi, rritja në raport me vitin e shkuar do të jetë në nivel modest.

Rrahman Kasa, menaxher pranë “Happy Tours”, shprehet se nordikët që patën rezerva lidhur me vijimin e kontratave tashmë e kanë kaluar këtë pjesë dhe kanë nënshkruar të rejat me afat 3-vjeçar me disa hotele në zonën e Golemit.

Në gjithë sezonin veror, gushti sipas Kasës ka vlerësimin më negativ nga turistët e huaj që vijnë në mënyrë të organizuar. Kjo lidhet me ngarkesën që ka ky muaj, problematikat në shërbim, pasi nuk ka staf të kualifikuar, apo ambientet e ndotura rreth hoteleve.

 

Tani jemi në shtator dhe thuajse në fund të sezonit turistik veror. A mund të bëjmë një bilanc paraprak? Si ishte ky sezon në raport me vitin e shkuar?

Ne si tur-operatorë mundohemi ta shohim me optimizëm sepse pavarësisht ngadalësimit në muajt e parë, muajt e verës kanë vijuar me të njëjtat ritme, ndoshta dhe disi më mirë se viti i shkuar. Prurjet janë të kënaqshme dhe ne e vlerësojmë një sezon të mbarë.

Sigurisht ka pluset dhe minuset e veta, por në përgjithësi, situata shfaqet e mirë. Është ende herët, sepse ne vazhdojmë të kemi flukse. Por, në një bilanc paraprak, mendojmë se këtë vit do të jemi pak më mirë se viti i shkuar në shifra.

Aktualisht jemi në sezon të plotë dhe nuk kemi reduktim, kjo pritet të vijë pas 15 shtatorit kur ka një lloj rënie, por mendojmë që turistët e fundit do t’i kemi deri nga java e parë e tetorit. Këtë vit kemi sërish një zgjatje të sezonit, kuptohet është me disa ditë apo gati një javë më shumë, që është diçka pozitive edhe kjo. Nordikët kanë gjashtë avionë charter në javë me kapacitet të plotë. Ndërkohë është reduktuar pak numri i polakëve, çekëve dhe sllovakëve. Në total janë rreth 500 avionë charter për gjithë sezonin turistik në Shqipëri.

Si kanë qenë përshtypjet e dhëna nga turistët këtë herë lidhur me qëndrimin në Shqipëri?

Ne bashkëpunojmë me agjencitë e huaja dhe normalisht ato funksionojnë në bazë të një sistemi vlerësimi për çdo hotel ku kanë qëndruar pushuesit. Mbledhin përshtypjet jave pas jave dhe në fund të çdo muaji, japin përmbledhjen sesi ka qenë muaji në tërësi. Mund të them se relativisht, përshtypjet e të huajve për Shqipërinë janë më mirë sesa vjet si destinacion.

Me rënie është vetëm gushti dhe kjo ndoshta lidhet pak me faktin që ka shumë ngarkesë, flukse turistësh, jo vetëm ai i organizuar dhe normalisht kjo reflektohet në një shërbim më të dobët. Ka një vlerësim të mirë për hotelet, por jo dhe aq të mirë për ambientin jashtë tyre. Trafiku konsiderohet problematik dhe zona e Golemit, ku është i përqendruar kryesisht aktiviteti ynë, ngarkohet shumë me trafik. Kësaj i shtojmë edhe dyndjen që shkaktohet nga emigrantët, këtu ndërthuren disa faktorë që ulin vlerësimin e destinacionit.

Cilat janë pikat e dobëta dhe ato të forta që u shfaqën gjatë këtij viti në sektor?

Pikat e dobëta mbeten ato që ne kemi thënë shumë herë. E para, mungesa e stafit profesional sa i përket shërbimit në disa hotele. Një pjesë hotelesh nuk gjejnë dot staf dhe, rrjedhimisht kanë dhe vlerësimin më të ulët nga klientët. Tek disa hotele të tjera shihet problematike dyndja e të jashtmëve, e cila krijohen mbingarkesë me njerëz te plazhi dhe kjo shkon zinxhir te shërbimi. Pikë e dobët jashtë hotelit është infrastruktura, shitësit ambulantë. Trafiku në gusht tepër i ngarkuar, ka raste që autobusët me turistë na kanë mbetur 2-3 orë të bllokuar. Sikurse ka vlerësime që na ulin pikë, ka edhe nga ato që janë vlerësuar pozitivisht. Për shembull, ushqimi në përgjithësi ka pasur vlerësim të mirë me një notë mesatare 8-9.

Ju si tur-operatorë patët në fillim të sezonit një lloj frike për shkak edhe të trazirave e protestave se ndoshta agjencitë partnere nuk do të rinovonin kontratat për vitin e ardhshëm. Duke qenë se jemi para një sezoni që ju e konsideroni pozitiv, a janë mbyllur kontratat e reja?

Kemi bërë dhe kontratat e tjera dhe tendenca është e mirë. Partnerët nordikë kanë vendosur vijimin e bashkëpunimit. Kishin pikëpyetjet e tyre në fillim të sezonit dhe nëse vlerësimi do të ulej për Shqipërinë si destinacion, do të rishikonin kontratat. Megjithatë tashmë kanë vendosur për mbajtjen e Shqipërisë dhe kjo është e konsoliduar. Me mjaft hotele kemi bërë kontrata trevjeçare. Shpresojmë që të mos na ndodhë ndonjë e papritur, sepse ne jemi vend çudirash. Pikërisht në kulmin e sezonit turistik na ndodhin gjëra që nuk e ndihmojnë imazhin tonë.

Nëse do të shmangen këto mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Kontratat e reja janë nënshkruar vetëm për bregdetin e Durrësit dhe Kavajës dhe numri është pak a shumë në të njëjtat nivele siç e kemi tani pra gjashtë charter ose maksimumi nëse ka rritje të kërkesës mund të shkojë në 7 chartera në javë. Çmimet të paktën sipas agjencive nordike janë të mira dhe Shqipëria njihet si destinacion i lirë.

Nga turistët që frekuentojnë Shqipërinë, kush shpenzon më shumë, kush preferon të eksplorojë? Cilat janë paketat më të preferuara?

Nordikët janë ata që duan të provojnë kryesisht restorante. Ata janë shumë përzgjedhës në shije. Por duke qenë se tek ne nuk funksionon pjesa e review dhe nuk dinë cili ka standarde e cili jo, hyjnë aty ku shohin reklama. Kjo në disa raste ka bërë që të jenë të pakënaqur por për restorante e pije shpenzojnë më shumë nordikët. Polakët, nga ana tjetër, bëjnë ekskursione dhe preferojnë të blejnë paketa që i mundësojnë ato. Janë një grup turistësh aktivë dhe gjatë qëndrimit mesatarisht blejnë një ekskursion për person. Pas polakëve vijnë nordikët. Edhe këtë vit, nga paketat që ne kemi ofruar, Ohri është më interesanti.

Kishim në disa fundjava 450 persona në Ohër, pasi qyteti është i organizuar në një program shumë të mirë vizitor dhe kushton 40-45 euro si paketë. Nga destinacionet afër preferohet shumë Tirana dhe Kruja. Tirana, sepse është kryeqyteti dhe ka një lloj kurioziteti për të, Kruja sepse është shumë tipike. Interes ka edhe për Beratin. Këtë vit kemi futur si destinacion edhe Komanin dhe guidën për te Lumi i Shalës. Kuptohet ka pak rezerva për rrugën, pasi ajo ka kushte skandaloze.

Ndoshta duhet të bëhet diçka për ta rregulluar, sepse interesi është në rritje por kur turistët mbërrijnë në destinacion mbeten të mahnitur. U duket një lloj Bali. Aktivitete të tjera që po gjallërohen, por për të cilat nuk ka kërkesë masive janë agroturizmet dhe ne mundohemi që të përzgjedhim vende afër me qëndrimin e turistëve. Për shembull, organizojmë natën shqiptare folk në Hamallaj.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of