Flet Fatos Çerenishti, Administrator FAFA Group
Shqipëria, prej disa vitesh, e çelte sezonin turistik në maj dhe e mbyllte në fund të shtatorit apo fillim të tetorit dhe kjo falë turizmit të organizuar. Për shkak të pandemisë dhe kufizimeve, një pjesë e mirë e grupeve që e vizitonin vendin tonë jashtë muajve të pikut munguan.
Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group” shprehet se në kushtet aktuale, turizmi në maj-qershor shihet si një turizëm fundjavash me turistët shqipfolës, kurse piku pritet të jetë në muajt korrik-gusht.
Punonjësit e turizmit janë vaksinuar në funksion të sezonit të ri dhe rritjes së sigurisë. Si ka ndikuar kjo në sektor?
Punonjësit janë vaksinuar, por ka edhe nga ata që nuk e kanë pasur me shumë dëshirë, ndoshta për shkak të teorive që qarkullojnë. Gjithsesi kjo është diçka pozitive, agjencitë turistike me të cilat ne bashkëpunojmë ndër vite e kanë vlerësuar këtë, pasi u premtuam që do ta kryenim këtë detyrë dhe e kemi realizuar.
Në lidhje me llojin e vaksinave të administruara nga Shqipëria, ku pjesa më e madhe është ajo kineze, a ka ndonjë lloj hezitimi nga agjencitë?
Partnerët ndërkombëtarë janë mjaftuar me faktin që po aplikohet vaksinimi dhe nuk hyjnë në detaje se cilën nga vaksinat kemi përdorur, duke mos krijuar probleme. Më shumë, në këtë rast, vlen imazhi që krijohet për një sektor që është vaksinuar dhe do të ofrojë shërbim më të sigurt.
Turizmi i organizuar mbetet larg shifrave dhe traditës së krijuar për zonën e Golemit në vitet e fundit. Po ai individual, si shfaqet? Cilët po e vizitojnë Durrësin?
Në fundjavë, këto kohë, kemi qenë mirë. Flasim sa herë edhe moti ka qenë i mirë, se në fakt fundjavat në prill dhe maj jo të gjitha kanë pasur kohë të mirë. Kosova na ka vizituar më shumë dhe duhet thënë që është fat i madh që i kemi dhe na duan e vizitojnë. Sa më shumë i njohim turistët e Kosovës, aq më shumë po shtojmë respektin për ta. Ndër vite ishte zbehur lidhja në dimensionin turistik që tani e kemi gjetur sërish. Pavarësisht pranisë së tyre, koha e qëndrimit nuk është e gjatë.
Qëndrojnë një ose dy net dhe kjo për ne, si struktura, është shumë pak për të bërë diferencë. Ne jemi orientuar drejt paketave 1-2-ditore. Kemi krijuar edhe paketa treditore në disa raste, por nuk para ecën. Tregu i Kosovës na ndihmon, por nëse e shohim si sektor, nuk mund të plotësojë të gjithë nevojën e turizmit në Shqipëri. Është pozitive, por nuk na ndryshon. Shqipëria ka 100 mijë shtretër dhe për të plotësuar për të gjithë sezonin këtë nivel, tregu i Kosovës është i vogël.
Po me nordikët, polakët, që kanë qenë një grup i rëndësishëm i viteve të fundit?
Me nordikët jemi në kontakt, por i kemi kthyer kontratat në allotment (paguan sa shfrytëzon). Ata sërish varen nga situata, pasi nuk e dinë si do të shkojë pandemia. Me nordikët do të ishim të lumtur, edhe sikur të vinin 2-3 javë këtë sezon, sepse nuk duam që t’i humbasim si turistë, duam ta mbajmë lidhjen që kemi pasur.
Polakët themi se do të vijnë më shumë sesa vjet. Presim rajonin të jetë më aktiv. Italianët kanë pasur interes, por janë turistë të vështirë, siç jemi dhe ne shqiptarët që zgjedhim t’i bëjmë pushimet në korrik-gusht. Pjesa e turistëve të tjerë e shtrijnë sezonin edhe në muajt të tjerë jashtë këtyre dhe kjo është shumë e favorshme për ne. Tregu gjerman mbetet skeptik.
Vitin e shkuar, ju nuk operuat me të gjithë strukturat që kishit si grup, për shkak të situatës së pandemisë. Si e shihni këtë vit, a do punoni me kapacitet të plotë? Po numri i punonjësve sa është?
Puna në fundjava na ka krijuar fare pak lehtësi financiare, por ende vazhdojmë të operojmë në minus. Kemi rreth 100 punonjës dhe në fundjavë, edhe më shumë. Pavarësisht situatës së vështirë, jemi përgatitur që këtë vit, ndoshta të kemi më shumë kapacitet.
Për momentin do të punojmë me dy strukturat e mëdha, por nëse shohim që situata është më e mirë, mund të kthehemi në normalitetin e katër strukturave akomoduese. Prilli dhe maji tashmë janë të mbyllur dhe qershori do të shënojë atë nisjen me pak më shumë fluks. Sezoni veror, edhe këtë vit, pritet të jetë në korrik dhe gusht, njësoj si vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.