Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar
Vera e këtij viti rezultoi më mirë sesa pritshmërirë e tur-operatorëve. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se tregje të tilla si polakët, bjellorusët dhe ukrainasit ishin me rritje, duke gjallëruar kështu turizmin e organizuar.
Peshën kryesore, gjithsesi, sipas tij e ka mbajtur turizmi patriotik. Viti 2022 pritet të jetë më i relaksuar në kufizime dhe tashmë janë nënshkruar kontratat me garanci me tregje të njohura si polakët apo çekët, ndërkohë që me shumë mundësi do të rikthehen edhe nordikët.
Si ka qenë sezoni turistik këtë verë në raport me pritshmëritë që kishit ju dhe cilët kanë qenë tregjet më aktivë me turistë?
Ky vit ishte më mirë sesa pritshmëritë tona sa i takon turizmit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti. Bie në sy tregu polak që në numra ka qenë mirë. Edhe tregu çek ka pasur ritme të kënaqshme. Tregu rus ishte i pranishëm në numra të vegjël, por ky është një sinjal i mirë në tërësi, ndërkohë që Bjellorusia dhe Ukraina ishin shumë mirë në shifra në vazhdim edhe të vitit të shkuar.
Nordikët, sikurse e dini, nuk erdhën edhe këtë vit për shkak të pandemisë. Ne ndërkohë kemi qenë në kontakt me agjencitë e huaja dhe mund të them se për vitin tjetër, kemi bërë kontratat edhe me këtë grup turistësh. Munguan në tërësi tregjet që po krijonin një traditë në turizmin e organizuar, ku përveç nordikëve, edhe gjermanët apo zviceranët në vitin 2019 shënuan trend rritës. Në vitin 2021 ka pasur turistët nga këto vende por në numër shumë të reduktuar.
Cilët kanë qenë tregjet e reja që kanë rënë në sy gjatë këtij sezoni?
Risi kanë qenë tregjet nga Lindja e Mesme kryesisht nga Emiratet e Bashkuara, India dhe vende të tjera, për shkak të linjave direkte të fluturimit që nisën të operonin nga këto vende. Shumë pak ka pasur turistë të organizuar nga kjo kategori, pasi pjesa më e madhe ka ardhur meqë kishte linjë direkte dhe kanë bërë rezervimet individualisht përmes Booking. Por ka pasur edhe linja që kanë shfrytëzuar Shqipërinë si transit për të shkuar më pas klandestin në vendet e Europës dhe ky ka qenë një problem më vete. Kush e mban peshën kryesore të turistëve edhe këtë vit.
Të dhënat e INSTAT nxjerrin Kosovën si grupi që “shpëtoi” edhe këtë vit turizmin vendas?
Vendin e parë pa dyshim e zë turizmi patriotik, me shqiptarët e Kosovës së pari dhe ata nga Maqedonia e Veriut së dyti. Duhet thënë që rajoni në tërësi ka shfaqur interes për Shqipërinë dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe serbët, numri i të cilësive shënoi rritje të dukshme në raport me një vit më parë. Sigurisht dominojnë turistët që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, me autobusë apo avion, por pa pasur agjenci që i koordinon.
Turizmi është i lidhur edhe me aspekte të tjera plotësues siç janë turet kulturore, vizitat në muze, guidat e veçanta. A kanë pasur interes turistët në vitin 2021?
Sezoni veror ka qenë mbi pritshmëritë tona kur flasim për hotelet pasi shumica e kapaciteteve akomoduese e vijës bregdetare ka qenë e rezervuar. Në kontekstin e turizmit të organizuar, turizmi kulturor nuk ka pasur ecuri të mirë sepse grupet që preferonin udhëtime apo guida të integruara brenda pushimeve të tyre kanë qenë të paktë. Destinacionet më të kërkuara mbetën Tirana e disa qytete të tjerë të veçantë si Berati apo Kruja. Ndërkohë rritje ka përjetuar rritje turizmi malor. Ka pasur një rigjallërim sidomos në dy muajt e verës dhe kampione në këtë pjesë ishin Thethi dhe Valbona.
Sezoni që lamë pas u përkufizua në disa zona edhe nga probleme të ndryshme që lidheshin me menaxhimin problematik të mbetjeve siç ishte Durrësi apo me trafikun e rënduar shumica e bregdetit. Si mendoni se e kanë ndikuar këto aspekte turizmin?
Dihet që kjo ka ndikim negativ. Disa nga partnerët tanë tradicionalë e anuluan Shëngjinin që më parë operonin me kontrata me garanci sepse për të shkuar nga Rinasi në Shëngjin ka pasur raste që transferta ka zgjatur 4 orë. Nuk ka asnjë turist që e toleron diçka të tillë dhe trafiku është një problem shumë i madh në verë. Trafiku bëhet i frikshëm pasi përveç makinave që janë në vend shtohen edhe makinat e emigrantëve që kthehen. Duhet të marrim në konsideratë këtu edhe grupin e turistëve të huaj që vijnë me makinat e tyre. Kjo krijon mbingarkesë në rrugë.
Sa u takon mbetjeve, e kam ngritur zërin edhe për këtë çështje pasi ishte një problem shumë i madh që krijoi ndikim shumë negativ. Turistët bënin foto të asaj që shihnin dhe këto foto filluan të bënin xhiron e botës në rrjetet sociale duke përcjellë një mesazh shumë të shëmtuar për Shqipërinë si destinacion turistik. Ajo problematikë mund të ishte shmangur dhe të mos degradonte deri në atë pikë që kishte pas asgjë më shumë se interesa ekonomike dhe klienteliste.
Tashmë kemi një qeveri të re të sapokrijuar nga mazhoranca, për të cilën ky është mandati i tretë qeverisës. Cilat janë ato pika që lidhen me turizmin që duhet të mbahen parasysh nga qeveria?
Qeveria e re apo çdo qeveri e autoritet përgjegjës duhet të kuptojnë dhe të reflektojnë që sektori i turizmit është e ardhmja. Duhet të bëjnë një menaxhim më të mirë të situatës dhe aspekteve që lidhen me turizmin nga infrastruktura, tek menaxhimi i mbetjeve dhe plazheve.
Duhet të orientojnë më shumë fonde për zgjidhjen e problematikave të turizmit para nisjes së sezonit dhe paralelisht duhet të punojnë fort me marketimin e vendit. Në gjykimin tim, më shumë sesa çështje fondesh është çështje vullneti ai që na mban peng. Nuk duhen shumë para për të bërë më të thjeshtë e më të lehtë jetën e turistëve, por koordinim më i mirë mes të gjitha hallkave. Të monitorohet në mënyrë më të rreptë pjesa e sektorit që të funksionojnë brenda normave, kuadrit ligjor dhe konkurrencës së ndershme.
Ndarja e plazheve të bëhet me kontrata 5-vjeçare pasi personi që i merr ato nuk ka interes të investojë kur kontratat janë afatshkurtra. Janë kosto që i rëndojnë dhe nuk kanë logjikë ekonomike. Ndarja duhet të bëhet që në muajt e parë të vitit pasi vonesat që krijohen në fillim të sezonit nuk na shërbejnë pozitivisht. Rinovimi të bëhet vetëm për ato subjekte që kanë respektuar kontratën, kriteret dhe investimin e premtuar.
A janë mbyllur kontratat për vitin e ardhshëm dhe cilat janë tregjet që do të presim?
Kontratat janë mbyllur gjatë korrikut dhe gushtit për vitin që vjen dhe polakët janë të parët që i kanë rinovuar. Agjencitë tona partnere kanë bërë vërejtjet e tyre për sa i takon sezonit që lamë pas, por më së shumti kanë qenë të kënaqur, gjë ka bërë që të rritet volumi që përfshijnë kontratat.
Përveç polakëve janë mbyllur edhe kontratat me çekët, ukrainasit, rusët me të cilët jemi në diskutime për rritje të numrit, si dhe izraelitët dhe nordikët që gjithashtu kanë mbyllur kontratat për vitin tjetër. Mendoj që tregu gjerman dhe zviceran do të rikthehen me numra më të lartë.
Nëse pandemia do të na lejojë, diçka që unë besoj se do të ndodhë, viti 2022 do të jetë një vit normaliteti në turizëm me shifra të kënaqshme por ajo që kemi mësuar është që pandemia është e paparashikueshme ndaj na mbetet vetëm të shpresojmë që të mos kemi të papritura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.