Intervistë me Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave
Dixhitalizimi dhe ulja e përdorimit të parasë fizike janë sfidat madhore të sektorit bankar edhe për vitin 2022. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se dixhitalizimi dhe rritja e përdorimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, pa praninë fizike, janë prioritete të bankave.
Sipas tij, sfida më e madhe ngelet bashkëpunimi me Qeverinë për uljen e cash-it në ekonomi dhe krijimi i një kanali alternativ të kryerjes së pagesës, përveç cash-it. Shoqata e Bankave kërkon që çdo njësi biznesi ta ketë detyrim që, përveç cash-it, të ofrojë edhe një opsion tjetër të pagesës.
Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar në vitin 2021? Cilat ishin zhvillimet më domethënëse në ecurinë e sektorit?
Viti 2021 për sektorin bankar mund të përshkruhet si viti i kthimit në normalitet të veprimtarisë. Kur them këtë, kam parasysh angazhimin e plotë të të gjitha kapaciteteve, orarin e punës, rrjetin bankar, kontaktin me klientët, prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, si dhe rolin ndërmjetësues në ekonomi.
Ky ripozicionim drejt normalitetit, në ndryshim nga viti 2020, ishte sfidë në vetvete për të kapur ritmin e objektivave dhe shërbimin ndaj ekonomisë. Sipas të dhënave operacionale, viti 2021 pritet të jetë një vit më i suksesshëm edhe me periudhën para pandemisë.
Sektori paraqitet i qëndrueshëm, garanci e stabilitetit financiar të vendit, i mbikapitalizuar, likuid, me rritje të depozitave dhe kredisë, dhe me normë të kthimit mbi kapitalin dyshifrore. Sektori ka vazhduar me përmirësimin e treguesit të NPL-ve (kredive me probleme) dhe përmirësimin e raportit “Lek/Monedhë e huaj” për kredinë në favor të Lekut. Po kështu, u miratua kuadri rregullues për transfertat në Euro brenda vendit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, kërkesë e Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Ndërkohë, bankat, sipas planeve të tyre të biznesit, kanë vazhduar investimet në teknologji, duke ofruar produkte dhe shërbime të reja. Dixhitalizimi është prioritet i bankave. Rritja e përdorimit të shërbimeve dhe produkteve bankare pa praninë fizike është sfida në vazhdimësi.
Treguesit janë përmirësuar ndjeshëm nga periudha e mbylljes gjatë pandemisë dhe konstatojmë gjithnjë e më shumë numrin në rritje të klientëve për përdorimin e kanaleve alternative për kryerjen e shërbimeve. Slogani “Banka në dorën tuaj” është duke u plotësuar dhe kjo është një arritje e industrisë, edhe pse grupmosha të ndryshme kanë qasje të ndryshme.
Industria bankare është e vendosur të ecë në këtë rrugë për të ulur cash-in në ekonomi dhe për të bërë zero diferencën e vendndodhjes fizike dhe marrjes së shërbimit bankar. Zbatimi i ligjit për shërbimet e pagesave do të ndihmojë edhe më shumë në detyrimet e aktorëve të tregut për të realizuar këtë përmbysje madhore në sistemin tonë financiar.
Prirje më e theksuar e vërejtur është lëvizja e kreditimit dhe kontributit të industrisë bankare drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe mbrojtjes së ambientit dhe klimës. Bankat janë pjesë e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të miratuar nga OKB dhe i kanë reflektuar këto objektiva në produktet dhe shërbimet e tyre.
Nuk ka aktivitet tregtar në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm! Nga ana tjetër, zhvillimi i aktivitetit tregtar nuk është i ndarë nga përgjegjësia sociale korporative, për të cilat bankat janë aktive, me shumë kontribute pranë komunitetit.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e sektorit bankar në vitin 2022 dhe cilat do të jenë sfidat kryesore?
Viti 2022 pritet të jetë vazhdimësi e vitit 2021. Përvoja e grumbulluar do të jetë bazë për më shumë dhe më mirë. Duke filluar që me nisjen e vitit, në treg do të ofrohet kryerja e pagesave në Euro, brenda vendit, me një kosto të reduktuar, brenda ditës.
Në varësi nga ecuria e ekonomisë dhe projektet publike, bankat janë gati që me likuiditetin që kanë, të mbështesin çdo kërkesë që plotëson kriteret e analizës së riskut, shtuar këtu edhe riskun mjedisor. Mbështetja financiare e zhvillimit të ekonomisë është jetike për veprimtarinë bankare.
Edhe pse viti 2022 do ta gjejë industrinë edhe më të konsoliduar, me 11 banka, tregu nuk do të ndiejë asnjë mungesë. Klientët, të çfarëdo origjine, shërbehen nga çdo bankë me të gjithë diapazonin e produkteve dhe shërbimeve.
Ne dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim më dobiprurës me institucionet shtetërore. Për shembull, dëshirojmë që bankat të përdorin të dhënat që janë në portalin e shërbimeve qeveritare e-Albania. Po kështu, me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me përmbaruesit e për të ardhur tek ajo që është sfida jonë më e madhe, bashkëpunimi me Qeverinë për uljen e cash-it në ekonomi dhe krijimin e një kanali alternativ të kryerjes së pagesës, përveç cash-it.
Një mangësi e infrastrukturës sonë sot është fakti se, nëse nuk ke cash me vete, edhe pse ke një kartë debiti ose krediti, mund të mbetesh në pamundësi pagese! Ne duam që çdo njësi biznesi ta ketë detyrim që, përveç cash-it, të ofrojë edhe një opsion tjetër të pagesës. Në diskutim është projektligji për llogarinë bazë, i cili me siguri do të miratohet në vitin që vjen dhe bankat do të kenë detyrime për zbatim.
Nga pikëpamja operacionale, mbetet për t’u konsoliduar fiskalizimi për rolin që bankat kanë në raportim të pagesave të fiskalizuara. Po kështu, zbatimi korrekt i regjistrit të llogarive. Vigjilenca ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është një betejë që më mirë se kushdo në ekonominë tonë, e kanë fituar bankat.
Ndryshimet e kryera së fundmi do të jenë për zbatim. Veprimtaria bankare është në zhvillim, në një stad të ri epokal zhvillimi dhe sfidat janë ndonjëherë të paparashikueshme. Por, një sektor i shëndetshëm dhe i fuqishëm është gati të përballet dhe t’i përballojë.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2022 dhe çfarë ndikimi prisni nga ekonomia reale në aktivitetin e sektorit bankar?
Ekonomia jonë duket që e kapërceu hendekun e krijuar nga pandemia. Masat kufizuese janë më relaksuese, vaksinimi ka kontribuar në zbutjen e presionit ndaj sistemit shëndetësor, është rikthyer turizmi, shërbimet tregtare, është rritur eksporti, rindërtimi i zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ka ndihmuar për gjallërim të disa sektorëve të ekonomisë, disa projekte publike kanë krijuar kërkesë në rritje, etj. Sfidë mbetet për të parë efektin që do të ketë rritja e inflacionit dhe efekti i tij kohor.
Stabiliteti i ekonomisë është i rëndësishëm për veprimtarinë bankare, sepse është i lidhur me vlerësimin e riskut. Ne shpresojmë që të vazhdojë kjo situatë gjallërimi dhe më tej me përfundimin e disa projekteve dhe me çeljen e projekteve të reja, ku kërkesa të rritet dhe cilësia e kërkesës të përmirësohet.
Veçanërisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme presim shumë që formalizimi i tyre të shtojë kërkesën cilësore. Duhet kuptuar që pa formalizim dhe pasqyra financiare të sakta, bankat nuk mund të mbështesin financiarisht kërkesën për kredi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.