Sfida kryesore për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare është rritja e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve në tregjet financiare. Ne jemi të ndërgjegjshëm se, nëse qytetarët nuk janë të mbrojtur dhe ka mungesë besimi, atëherë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të këtyre tregjeve
Flet Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi
Zhvillimet dinamike në tregjet që lidhen me sigurimet, fondet e investimeve, pensionet private vullnetare kërkojnë që edhe institucionet mbikëqyrëse të ecin me të njëjtin hap. Nëse ndodh e kundërta, gjasat janë që të kemi tregje që funksionojnë keq ose që mbeten të pazhvilluar. Kjo është edhe arsyeja pse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tashmë ka hyrë në një fazë të re.
Po ndërton një strategji për zhvillimin, duke mos e lënë atë të ecë kuturu, po nxit edukimin financiar të qytetarëve që të përfitojnë më shumë dhe të kenë më pak pasoja negative por, mbi të gjitha, po merr përsipër që problemet e konsumatorit t’i zgjidhë edhe drejtpërdrejt përmes një njësie të specializuar. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i këtij Autoriteti, Ervin Koçi, në një intervistë të dhënë për Monitor, paraqet vizionin dhe sfidat me të cilat përballet sot institucioni që ai drejton në mbikëqyrjen e disa tregjeve.
Ai nënvizon se sot ka disa ngërçe që duhet të korrigjohen, të cilat pengojnë potencialin e zhvillimit siç janë nevoja për rritjen e besimit tek konsumatorët, diversifikimi i më shumë produkteve në treg, ndarja njëherë e mirë nga epoka e detyrimeve të prapambetura që datojnë që nga viti 2002.
Z. Koçi, ju jeni në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që prej prillit të këtij viti. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë sfidat që has sot ky institucion në dinamikën e ndryshimeve në tregje?
Sfida kryesore për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare është rritja e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve në tregjet financiare. Ne jemi të ndërgjegjshëm se, nëse qytetarët nuk janë të mbrojtur dhe ka mungesë besimi, atëherë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të këtyre tregjeve. Synimi ynë është t’u qëndrojmë sa më pranë konsumatorëve dhe investitorëve dhe të garantojmë mbrojtjen e tyre. Gjej mundësinë t’i ftoj qytetarët të raportojnë çdo problematikë apo parregullsi që konstatojnë me policat e sigurimit, ose me çdo rast tjetër që lidhet me fushën e veprimtarisë së Autoritetit.
Këtë ata mund ta bëjnë përmes adresës së email-it që gjendet në faqen zyrtare të Autoritetit, duke u paraqitur personalisht pranë zyrave të institucionit, ose edhe në faqen tonë në Facebook. Autoriteti shqyrton të gjitha rastet ku është cenuar interesi i konsumatorit dhe reagon hap pas hapi për të garantuar mbrojtjen e tij. Gjithashtu në fokus të punës sonë kemi përmirësimin e sistemeve të informacionit, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet apo mashtrimet e mundshme.
Zhvillimi i tregjeve nën mbikëqyrje është një tjetër sfidë, e lidhur ngushtë me besimin e konsumatorëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm për problematikat e funksionimit të tregjeve dhe duhet të pranojmë se tregjet financiare që mbikëqyren dhe rregullohen nga Autoriteti janë në një stad të ulët zhvillimi, të pakrahasueshëm me vendet e rajonit. Për këtë arsye, sfida jonë është zhvillimi i mëtejshëm i këtyre tregjeve, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e përfshirë. Duke qenë se kemi të bëjmë me një treg që mbështetet në pak produkte, një nga sfidat kryesore është diversifikimi i tyre dhe ofrimi i produkteve të ndryshme në varësi të nevojave dhe mundësive të qytetarëve. Në këtë kuadër, një Komitet Këshillimor pranë Autoritetit po punon për hartimin e një strategjie 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje, në mënyrë që ato të kenë impakt sa më të madh në rritjen ekonomike të vendit.
Ndërkohë nga Autoriteti po zbatohet strategjia afatmesme për rritjen e besimit të konsumatorit, ku një pjesë shumë të rëndësishme të saj e zë edukimi financiar. Kjo, për arsyen se ne besojmë që një qytetar i mirinformuar është shumë herë më i ndërgjegjshëm dhe i mbrojtur për çdo veprim që ai kryen në tregjet financiare. Që nga muaji tetor e në vazhdim ne kemi zhvilluar orë të hapura leksionesh me studentët e universiteteve, për të rritur njohuritë e tyre mbi institucionin dhe në veçanti në lidhje me tregjet financiare nën mbikëqyrje. Kjo fushatë informuese dhe edukuese do të vazhdojë me target grup studentët e pedagogët, për t’u zgjeruar më tej me grupe të tjera profesionistësh.
Si një tjetër objektiv, për të cilin jemi gjithmonë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, do të veçoja rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit. Në mënyrë të vazhdueshme, me asistencën e institucioneve ndërkombëtare, stafi i Autoritetit u nënshtrohet trajnimeve të ndryshme për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale, për të adresuar më mirë zhvillimet dinamike të tregjeve nën mbikëqyrje. Gjithashtu në këtë drejtim, për t’iu përgjigjur më mirë këtyre sfidave, ne tashmë po implementojmë një strukturë të re organizative. Sfidat janë të shumta, por mendoj se këto që përmenda janë thelbësoret dhe më prioritaret për t’u adresuar nga Autoriteti.
Mos ngurroni të ankoheni
Gjej mundësinë t’i ftoj qytetarët të raportojnë çdo problematikë apo parregullsi që konstatojnë me policat e sigurimit, ose me çdo rast tjetër që lidhet me fushën e veprimtarisë së Autoritetit. Autoriteti shqyrton të gjitha rastet ku është cenuar interesi i konsumatorit dhe reagon hap pas hapi për të garantuar mbrojtjen e tij.
Siç edhe ju e përmendët, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndryshuar së fundmi strukturën organizative. Pse u realizua një ndryshim i tillë dhe a mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me këtë?
Për t’iu përshtatur sa më mirë zhvillimeve dinamike të tregjeve dhe për të qëndruar sa më pranë konsumatorit, pas konsultimeve dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, Autoriteti ka tashmë prej pak muajsh një strukturë të re organizative. Mes qëllimeve kryesore të këtij ndryshimi do të veçoja fuqizimin e rolit të Autoritetit në edukimin dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ngritja në nivel drejtorie e strukturës së mbrojtjes së konsumatorit do t’i shërbejë ndjekjes më të mirë të problematikave të qytetarëve në marrjen e shërbimeve në tregun financiar jobankar dhe adresimit të tyre. Ne synojmë të kemi një komunikim të hapur e të drejtpërdrejtë me konsumatorët dhe i ftojmë ata të paraqiten pranë Autoritetit për të marrë asistencën e nevojshme për hapat që duhen ndjekur në lidhje me ankesat për të gjetur zgjidhje të problematikave të tyre.
Që në muajt e parë, ndryshimi i strukturës e ka dhënë impaktin e tij me një rritje të numrit të kërkesave drejtuar Autoritetit për problematika të ndryshme. Një arsye tjetër për riorganizimin e brendshëm është përshtatja e strukturës së Autoritetit me zhvillimet dinamike aktuale dhe të pritshme në tregjet nën mbikëqyrje. Departamentet e ngritura reflektojnë ndarjen sipas tregjeve nën mbikëqyrje.
Si paraqitet tregu i sigurimeve në vend sot? A janë çmimet që aplikohen nga kompanitë reflektim i primit të riskut?
Përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj, më lejoni të përmend që në fillim një ndryshim të rëndësishëm të bërë përmes një vendimi të Bordit të Autoritetit muajin e kaluar, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve. Duke nisur nga data 1 nëntor, raportimi dhe identifikimi i policave kufitare të shitura nga kompanitë e sigurimit bëhet në kohë reale nëpërmjet regjistrit elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik.
Ky hap është ndërmarrë pas disa problematikave të vërejtura me policat kufitare, kryesisht në periudhën e verës me kthimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Sa u përket zhvillimeve dhe prioriteteve për këtë treg, ne synojmë ta bëjmë tregun e sigurimeve në vend të krahasueshëm me vendet e rajonit, për treguesit e madhësisë dhe penetrimit tek konsumatori, duke rritur në të njëjtën kohë besimin e tij.
Nëse shohim shkallën e penetrimit, pra raportin e primeve të shkruara bruto ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitin e kaluar, Shqipëria rezulton e fundit në rajon, me rreth 1.04%, krahasuar me mbi 2% që e kanë të gjitha vendet e Ballkanit, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina.
Referuar të dhënave statistikore për periudhën janar-shtator 2017, vihet re një rritje e të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimit me mbi 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që ka gjithashtu edhe një rritje të dëmeve të paguara me rreth 26%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar pyetjes suaj për çmimet dhe primin e riskut, theksoj se Autoriteti, bazuar në të dhënat e shoqërive të sigurimit, llogarit nivelin e këtij primi për të gjithë tregun në lidhje me produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Por ky prim risku është vetëm një nivel orientues për rrezikun potencial. Ai është baza për llogaritjen e tarifave të primit. Për më tepër, primi i sigurimit, me të cilin shoqëria u shet policat konsumatorëve, merr në shqyrtim edhe elemente të tjerë si viti i prodhimit të mjetit, kostot e marrjes në sigurim, kostot administrative që duhet të mbulohen, si dhe marzhin e fitimit të shoqërisë. Të gjithë elementet e lartpërmendur, si dhe niveli i konkurrencës në treg, diktojnë dhe nivelin e primeve/tarifave të aplikuara nga shoqëritë e sigurimeve. Më lejoni të shtoj këtu se ligji i vitit 2009 e ka liberalizuar tregun, por vetë ligji nuk ka krijuar një bazë të qëndrueshme për mbikëqyrjen rigoroze të tij.
Megjithatë, ndryshimet e parashikuara në projektligjin për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, për të cilin Autoriteti është ende në fazë diskutimi së bashku me aktorët e tjerë të përfshirë, pritet t’i japin zgjidhje problematikave kryesore të vëna re gjatë viteve të fundit në tregun e sigurimeve. Por ne garantojmë se çdo konsumator që përballet me problematikat e këtij tregu do të ketë mbrojtjen dhe reagimin përkatës për çdo kërkesë të tij legjitime.
Rregullimi i tregut të sigurimeve
Ndryshimet e parashikuara në projektligjin për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, për të cilin Autoriteti është ende në fazë diskutimi së bashku me aktorët e tjerë të përfshirë, pritet t’i japin zgjidhje problematikave kryesore të vëna re gjatë viteve të fundit në tregun e sigurimeve
Si paraqitet deri më sot plani i shlyerjes së detyrimeve të vjetra që kompanitë kanë të lidhura me Fondin e Kompensimit. Edhe pse pati një plan 3-vjeçar, ai nuk arriti të jepte zgjidhje finale duke u shtrirë më gjatë në afat? Ku jemi sot?
Autoriteti ka qenë gjatë këtyre muajve shumë i angazhuar që shoqëritë e sigurimit të marrin përgjegjësitë e tyre në lidhje me Fondin e Kompensimit. Janë me qindra qytetarë, të cilët që nga viti 2002 nuk kanë marrë pagesat që u takojnë ligjërisht nga Fondi i Kompensimit. Një situatë e tillë ka ardhur edhe për shkak të legjislacionit ekzistues që nuk i jep Autoritetit forcën e duhur për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje.
Por, me ndryshimet ligjore, administrimi i Byrosë Shqiptare të Sigurimit do të ndryshojë tërësisht. Edhe pse nga shoqëritë e sigurimit për tre vite (2014-2016) janë shlyer rreth 1.2 miliardë lekë, përsëri ngelet një shumë e konsiderueshme për t’u shlyer, (rreth 1.34 miliardë lekë). Për këtë jemi të angazhuar tërësisht që brenda vitit 2018 të realizohen të gjitha pagesat për periudhën 2002-2013, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme radhën e ndodhjes së ngjarjes për realizimin e këtyre pagesave.
Duke filluar nga muaji korrik 2017, është bërë shpërndarja e praktikave të dëmeve për ngjarjet 2002-2008, për të cilat Byroja ka lëshuar autorizimet për pagesë. Në vijim të këtij procesi, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, për praktikat e dëmeve me ngjarje sigurimi në periudhën 2009-2011, ka miratuar së fundmi një shtesë fondi me vlerë 250 milionë lekë. Gjithashtu, jemi në pritje që Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Shqiptare të Sigurimit të shpërndajë dhe të dërgojë menjëherë autorizimet për ndjekjen e procedurës së pagesës pranë shoqërive të sigurimit për praktikat e dëmeve me ngjarje sigurimi më të hershme, gjithnjë duke respektuar radhën e pagesave.
Sigurimi i pronës është në nivele minimale. Ka pasur një ide për sigurimin e detyrueshëm të pronës dhe konkretisht të banesave. Kjo praktikisht është si një taksë e re dhe ndoshta duhet vendim politik që i takon qeverisë, por AMF çfarë mendimi ka mbi këtë ide?
Në sigurimin e pronës bëjnë pjesë sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, dëmtime të tjera në pronë, sigurimi nga vjedhja, sigurimi i agrikulturës dhe blegtorisë, sigurimi i bankave si dhe sigurimet inxhinierike, pra të infrastrukturës rrugore dhe teknologjike. Gjatë periudhës janar-shtator 2017, ka pasur rritje të sigurimit të pronës në shumë nga këto sigurime, por rritjen më të madhe e ka pasur sigurimi i pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës.
Kjo për shkak se sigurimi i pronës në vendin tonë përgjithësisht është i lidhur me ecurinë e kreditimit nga sistemi bankar, pasi bankat kërkojnë sigurimin e pronës në rastin e dhënies së një kredie. Niveli aktual i njohurive dhe kulturës financiare është ende i tillë që nuk nxit iniciativën për sigurimin vullnetar të pronës. Në anën tjetër, bërja e sigurimit të pronës të detyrueshëm është një vendimmarrje politike, që kërkon një analizë të thellë dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve. Por në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret. Unë e ritheksoj se përpara se të vendoset në ligj një detyrim për qytetarët, duhet që të rritet besimi i tyre, t’u garantohet mbrojtja nga abuzimet dhe të kemi një treg sa më funksional. Shërbimi që ofrohet duhet t’i përgjigjet nivelit të detyrimit që do të paguajë çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë.
Sigurimi i pronës me detyrim?!
Në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret. Unë e ritheksoj se përpara se të vendoset në ligj një detyrim për qytetarët, duhet që të rritet besimi i tyre, t’u garantohet mbrojtja nga abuzimet dhe të kemi një treg sa më funksional.
A mbetet ende në fuqi aplikimi i skemës Bonus-Malus sipas formulës së pak viteve më parë? A ka nevojë për rishikim apo jemi në të njëjtat kushte tregu dhe faktorësh të tre viteve më parë?
Autoriteti ka përfunduar të gjitha zhvillimet teknologjike të nevojshme për zbatimin e sistemit Bonus-Malus. Por zbatimi i plotë dhe detyrues i këtij sistemi duhet të vendoset edhe në forma ligjore.
Për këtë arsye, Autoriteti po bashkëpunon me Ministrinë e Financave që projektligji i ri, ku janë parashikuar dispozita të reja në lidhje me sistemin Bonus-Malus, të cilat mundësojnë dhe rregullojnë tarifimin me fokus rreziku në sigurimin motorik, të kalojë për diskutim dhe miratim sa më shpejt. Tregjet janë dinamike dhe për këtë padyshim që ka nevojë për ndryshime në këtë skemë, zbatimi i së cilës do t’i japë çdo drejtuesi mjeti atë që i takon dhe do të ndikojë në uljen e numrit të aksidenteve.
Fondet e investimeve kanë pasur gjithashtu një rritje të interesit? AMF është edhe pjesë e një projekti për rritjen e kapaciteteve të mbikëqyrjes për këtë aspekt. Si e gjykoni në tërësi këtë treg?
Tregu i Fondeve të Investimeve është tregu që në vitet e fundit ka pasur dinamikën më të lartë të zhvillimit. Synimi kryesor i Autoritetit për tregun e investimeve është konsolidimi i mbikëqyrjes me fokus rrezikun, për një administrim më të mirë të rrezikut. Licencimi i shoqërisë së dytë administruese të aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive gjatë vitit 2016, krijoi premisat për rritjen e konkurrueshmërisë në këtë treg.
Po kështu licencimi nga Bordi i Autoritetit i Bursës së parë me kapital privat në Shqipëri, është një tjetër zhvillim i rëndësishëm në tregun e kapitaleve. Bursa, veçanërisht tregu i kapitaleve është një mekanizëm i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, pasi ndër të tjera, shërben si një formë alternative financimi, në nivel qendror, pse jo edhe lokal. Përfshirja e sa më shumë aktorëve në tregun e titujve krijon mundësi për rritjen e likuiditetit të këtij tregu dhe rrjedhimisht, vlerësim më real të instrumenteve financiarë. Në anën tjetër, duhet të theksoj se Autoriteti do të jetë shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm për të monitoruar çdo veprim të bursës për të ofruar garanci dhe transparencë maksimale për investitorët. Gjithashtu pjesëmarrja në Bursë e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare do të sillte rritje të besimit të investitorëve.
Për të rritur aftësitë dhe kapacitetet mbikëqyrëse në tregun e kapitaleve, Autoriteti po zbaton fazën e dytë të projektit të iniciuar për këtë qëllim, të financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO). Faza aktuale e projektit ka të bëjë me përmirësimin e kuadrit mbikëqyrës, rishikimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ të letrave me vlerë dhe fondeve të investimit në përputhje me parimet e BE-së, sidomos me direktivën MiFID II. Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Direktivat Europiane, do të kenë ndikim edhe në legjislacionin e vendit për letrat me vlerë. Njëkohësisht ne si Autoritet jemi në një proces të vazhdueshëm pune që ligjet dhe rregulloret e titujve të jenë në përputhje me parimet e IOSCO-s (International Organization of Securities Commissions) pasi jemi anëtarë të kësaj organizate.
Kohëve të fundit është vënë re një rritje e kërkesës për licencim të disa kompanive që më herët kanë pasur aktivitet call center. Si e shpjegoni këtë tendencë dhe si i kontrolloni kompanitë e tjera të palicencuara që ushtrojnë aktivitet Forex që po shtohen dita-ditës?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, bazuar në ligjin përkatës, kryen licencimin e brokerave që veprojnë në tregun e titujve. Gjatë këtij viti, ka pasur kërkesa për të ushtruar veprimtarinë e brokerimit në tregtimin e titujve të paraqitura nga disa kompani, të cilat duke parë zhvillimet që do të ndodhin në tregun e kapitaleve në vendin tonë, po përgatiten për të operuar në këto tregje.
Objektivi i punës së Autoritetit është mbikëqyrja dhe rregullimi i subjekteve të licencuara. Në rastet e konstatimit të veprimtarive të palicencuara, janë bërë njoftimet në organet kompetente dhe institucionet e tjera publike për ndjekjen e veprimtarisë së tyre.
Duke shfrytëzuar këtë intervistë, dëshiroj t’u tërheq edhe një herë vëmendjen investitorëve potencialë apo qytetarëve që të konsultojnë herë pas here faqen zyrtare online të Autoritetit për të marrë gjithë informacionin e nevojshëm dhe për t’u siguruar për investimin e tyre. Ata mund të informohen aty në lidhje me listën e subjekteve të licencuara që veprojnë në tregun e kapitaleve, shoqëritë e brokerimit apo brokerat fizikë, nëpërmjet të cilëve mund të investohet në tregun e letrave me vlerë. Investitorët duhet të jenë në dijeni se investimi në tregun e kapitalit është një aktivitet i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare. Këto forma investimi mbartin me vete, krahas avantazheve të fitimit, edhe rrezikun e humbjes, prandaj investitorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për to dhe të marrin përgjegjësinë e investimeve.
Kujdes!
Investitorët duhet të jenë në dijeni se investimi në tregun e kapitalit është një aktivitet i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare. Këto forma investimi mbartin me vete, krahas avantazheve të fitimit, edhe rrezikun e humbjes, prandaj investitorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për to dhe të marrin përgjegjësinë e investimeve
Tregu i pensioneve vullnetare ka ardhur në një rritje graduale edhe pse me hapa modestë por të qëndrueshëm? Ai mbetet gjithsesi një treg i vogël. Çfarë incentivash mund të jepen për të rritur numrin e kontribuuesve në këto skema?
Aktualisht tregu i pensioneve private vullnetare është tregu me zhvillimin më modest ndër tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Edhe sipas të dhënave më të fundit të publikuara për periudhën e 9-mujorit ka pasur rritje të aseteve dhe numrit të anëtarëve të tre fondeve të pensioneve në vend, numër ky që është rritur në mbi 20 mijë anëtarë. Kjo rritje, ndonëse e vogël, është provë për tendencën e qëndrueshme pozitive, që ka ky treg.
Potencialet për zhvillim që ka ky treg janë vënë në dukje edhe nga rekomandimet e projektit që Autoriteti përfundoi në vitin 2016 me asistencën e Bankës Botërore. Aktualisht, ne kemi një manual të mbikëqyrjes së pensioneve private me bazë rrezikun, i cili ka filluar të vihet në zbatim në mbikëqyrjen e shoqërive administruese të fondeve të pensionit. Duke qenë se kemi të bëjmë me një treg ende të brishtë, nevojitet më shumë ndërgjegjësim dhe përpjekje të përbashkëta të disa aktorëve, përfshirë këtu edhe mediat, në aspektin e informimit, promovimit dhe zgjerimit të këtyre fondeve.
Në anën tjetër, ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me nivelin e përgjithshëm ekonomik të vendit, nivelin e pagave mesatare, informacionin dhe kulturën financiare për pjesëmarrje në tregje të tilla, që ndikojnë në përshpejtimin e zgjerimit të këtij tregu. Autoriteti në bashkëpunim me Ministrinë e Financave është duke përgatitur një projektligj të ri që ndër të tjera do të krijojë më shumë hapësirë për zhvillimin e këtij tregu. Gjithashtu, janë planifikuar aktivitete për të rritur informacionin financiar tek publiku i gjerë. Përmes edukimit të konsumatorit synohet të realizohet edhe zgjerimi i mëtejshëm i këtyre tregjeve, por mbi të gjitha mbrojtja e qytetarëve dhe respektimi i të gjitha të drejtave të tyre, sipas ligjeve në fuqi.
Intervistoi: Nertila Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.