Këtë mbrëmje, në orën 20:45, në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos do të luhet ndeshja e shumëpritur Itali-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi (ndeshja e 5-të për të dy skuadrat në grupin G).
Kjo përballje ka një ndjesi të veçantë, pasi në drejtimin e kuqezinjve është një italian me nënshtetësi shqiptare, Gianni De Biasi dhe ndër të tjera, mijëra emigrantë shqiptarë jetojnë në Itali që prej viteve ’90.
Kjo është ndeshja e parë zyrtare mes dy vendeve fqinje. Dy kombëtaret janë përballur në një miqësore në nëntorin e vitit 2014, ku italianët fituan 1-0 në “Marassi” të Xhenovës, një ndeshje që mbahet mend pasi publiku shqiptar pushtoi radhët e stadiumit.
Trajneri Gianni De Biasi, deklaroi në konferencën për shtyp: “Të fitonim do të ishte e mrekullueshme. Duhet të zbresim në fushë të motivuar dhe të përqendruar, vetëm në këtë mënyrë mund ta vëmë në vështirësi Italinë. Duke u mbrojtur mirë dhe duke kundërsulmuar mund të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten.
Ndërsa ish-ndihmëstrajneri i kombëtares sonë, Paolo Tramezzani, u shpreh për Sportmediaset.it se axurrët janë më të fortë, por nuk duhet nënvlerësuar Shqipëria që ka motivim të madh dhe lojtarë me përvojë.
Tramezzani ndalet tek lojtarët që luajnë në Serinë A dhe i njohin mjaft mirë kundërshtarët.
Duke filluar nga Elseid Hysaj i cili po shkëlqen te Napoli, portieri Thomas Strakosha i cili po rritet tek Lacio, Basha dhe Memushaj – lojtarë me përvojë disavjeçare në Itali, po ashtu edhe sulmuesit Bekim Balaj dhe Armando Sadiku, të cilët kur luajnë me kombëtaren janë gjithnjë të rrezikshëm.
Për momentin, Kombëtarja jonë është në vend të katërt në Grupin G me 6 pikë. Shqipëria ka humbur dy ndeshje në shtëpi, ndaj Spanjës dhe Izraelit.
Ndërsa Kombëtarja e Italisë, e cila drejtohet nga Giampiero Ventura, renditet e dyta me pikë të barabarta me Spanjën, 10 pikë. Italia ka fituar dy ndeshjet e fundit ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtajnit.
Gjithashtu kjo është edhe një ndeshje e veçantë për Gianluigi Buffon, për të cilin është ndeshja e 1000 në karrierën e tij si futbollist profesionist.
Më poshtë, formacionet e mundshme: