Sfida kryesore është gjetja e biznesit të mirë për të kredituar

09/04/2019 4:44 PM 0 komente

Është e nevojshme të vazhdojmë të investojmë, për t’u ofruar klientëve tanë një shërbim të mirë dixhital, siç ne po bëjmë tashme. Brezat e rinj do të duhet të vijnë më pak në degë, prandaj ne duhet të përshtasim shërbimin tonë sipas nevojës së tyre.

 

Flet z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Albania

 

Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2018?

Performanca e bankave në 2018 ishte e shkëlqyer, me një nivel të lartë likuiditeti dhe të mjaftueshmërisë së kapitalit. Gjithashtu, një tregues shumë i mirë ishte dhe zvogëlimi i kredive me probleme (NPL).
Edhe për Raiffeisen Bank, 2018 ishte një vit i shkëlqyer, patëm një prirje pozitive në kreditë për biznes dhe individë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me performancën e bankës suaj dhe sistemit bankar në vitin 2019?

Për vitin 2019 mendoj se do të ketë tendenca të njëjta me atë të vitit 2018. Fokusi kryesor do të jetë në dhënien e kredive për biznes dhe individë, në mënyrë që t’u shërbejmë sa më mirë klientëve tanë. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për performancën e sistemit bankar, pra në tërësi, të njëjtën tendencë me vitin 2018.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë nisi një plan veprimi për të ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë shqiptare. Si e vlerësoni efikasitetin e këtij plani veprimi deri tani? Si e shpjegoni rritjen e fortë të depozitave të shprehura në euro gjatë vitit 2018?

Ne patëm një rritje të kreditimit në monedhë vendase, në këtë mënyrë plani për uljen e euros ka filluar të ketë efektin e tij. Ndërsa në lidhje me rritjen e depozitave në euro, një ndikim të madh kanë pasur remitancat. Gjithashtu, një faktor tjetër që shpjegon këtë rritje është edhe ecuria pozitive e ekonomisë.

Euro është zhvlerësuar shumë gjatë dy viteve të fundit. Cilët janë faktorët kryesorë, sipas mendimit tuaj, dhe si e prisni trendin e saj?

Në këtë pikë ka shumë shpjegime, në nivel ndërkombëtar, kemi Brexit, disa ekonomi europiane nuk po shkojnë aq mirë, norma e dollarit është më e lartë. Ndërsa në nivel lokal kemi remitancat. Të gjithë këta faktorë së bashku mund të shpjegojnë pjesërisht dobësinë e euros ndaj lekut. Për në vazhdim, presim që euro të jetë e njëjtë me mesataren e vitit të kaluar.

Kohët e fundit, sistemi bankar ka qenë i përfshirë në procesin e blerjes së bankave, të cilat pritet të reduktohen në 13. Çfarë ndikimi do të ketë procesi i konsolidimit në sistemin bankar?

Konkurrenca është ende e pranishme në nivele edhe më të larta, si dhe me lojtarë të rinj në treg.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet sistemi bankar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme?

Si çdo vit, sfida kryesore është gjetja e biznesit të mirë për të kredituar. Një sfidë tjetër po aq e rëndësishme është edhe dixhitalizimi. Tashmë ky proces ka filluar dhe sistemi bankar kryeson. Është e nevojshme të vazhdojmë të investojmë për t’u ofruar klientëve tanë një shërbim të mirë dixhital, siç ne po bëjmë tashmë. Brezat e rinj do të duhet të vijnë më pak në degë, prandaj ne duhet të përshtasim shërbimin tonë sipas nevojës së tyre.

Brezi i ri kërkon që gjithçka të jetë e shpejtë dhe e lehtë, për këtë arsye ne duhet të investojmë në dixhitalizim, për të lehtësuar jetën e tyre. Ne jemi banka e parë që ofruam kredidhënien online. Gjithashtu banka e parë që ofrojmë shërbimin chatbot.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of