Intervistë me Ferid Shijaku, Drejtor i Divizionit të Biznesit dhe Anëtar i Bordit të Menaxhimit, Banka OTP Albania
Kreditë sindikale janë një instrument me përfitim reciprok për bankat dhe bizneset.
Ferid Shijaku, Drejtor i Divizionit të Biznesit dhe Anëtar i Bordit të Menaxhimit në Bankën OTP Albania, thotë se e vetmja vështirësi në këtë instrument është koha e gjatë që nevojitet për të siguruar koordinimin e plotë në të gjitha hallkat mes bankave pjesëmarrëse. Sipas tij, kreditë sindikale janë një mënyrë e mirë për të shpërndarë rrezikun, por edhe për të financuar projekte që asnjëra bankë nuk do të mund t’i merrte përsipër e vetme.
Cila është përvoja e deritanishme me kreditë sindikale në sektorin bankar shqiptar dhe sa kanë funksionuar ato?
Kreditë sindikale janë një përvojë që ka filluar mbi 15 vite të shkuara. Do të doja të sqaroja që jo vetëm në kredi mirëfilli sindikale, legalisht, por dhe forma të tjera bashkëfinancimi të projekteve të ndryshme, bankat janë angazhuar rregullisht. Përveç koordinimit midis bankave, që në fakt konsumon kohë dhe energji, bankat vetëm përfitojnë nga kreditë sindikale apo bashkëfinancimet.
Cilat janë avantazhet për bankat nga angazhimi në projekte të kredive sindikale?
Këto kredi, si dhe bashkëfinancimet, kanë avantazhe të shumta për bankat, por dhe klientët që përfitojnë financimin. Së pari, është diversifikimi i riskut. Në vend që një bankë të bëjë një financim të madh në një projekt të vetëm, merr pjesë disa të tillë me shumë financimi më të vogël. Gjithashtu, në disa raste, banka merr pjesë në një financim të madh, që ndryshe mund të mos kishte mundësi ta financonte vetëm.
Në këto kredi, banka ndan përvojën me bankat e tjera, rasti analizohet nga disa banka, të cilat ofrojnë këndvështrime të ndryshme, që e përmirësojnë njohjen e rastit. Edhe klientët përfitojnë, sepse krijojnë marrëdhënie me disa banka njëherësh, pra, njihen prej tyre dhe ndërtojnë bashkëpunime dhe për të ardhmen.
Cilët sektorë ekonomikë mund të kenë më shumë potenciale për t’u mbështetur me kredi të këtij lloji?
Zakonisht, nuk ka kufizime në aspektin e sektorëve. Financohen me kredi sindikale të njëjtët sektorë që bankat financojnë rregullisht në aktivitetin kredidhënës. Ndryshim bën nevoja për financim e klientit apo shuma. Zakonisht, këto financime përdoren për projekte investimi dhe me kohëzgjatje, duke filluar nga 5 vjet, rrallëherë për kapital punues apo kredi afatshkurtër.
Kredia sindikale i merr energji dhe kohë më të madhe stafit për të gjithë procesin, kryesisht nga koordinimi midis bankave, se sa kreditë normale, prandaj dhe përdoren për raste që ia vlen ky angazhim.
Çfarë vështirësish specifike shtron për bankat përfshirja në skema të financimeve të përbashkëta?
Vështirësia kryesore është koordinimi midis bankave. Duhet rënë dakord për të gjithë hallkat dhe sektorët, atyre të Korporatave, Riskut, Ligjorit, Autoriteteve Vendimmarrëse, vlerësuesve, konsulentëve teknikë e financiarë, etj. Pra, janë shumë hallka ndërvepruese. Përveç këtij aspekti nuk shoh veçse përfitime për bankat dhe klientët.
Si paraqitet aktualisht tregu i kredisë për korporatat? Sa është ndikuar ky segment i tregut nga pandemia?
Tregu i kredisë për korporatat është gjallëruar këtë vit pas frenimit disi në 2020. Banka e Shqipërisë raporton për një trend rritës të aktivitetit kreditues për segmentin biznes dhe në mënyrë të shëndetshme.
Ne e konfirmojmë këtë në aktivitetin tonë të përditshëm. Bizneset kanë rimarrë ritmin e investimeve në projektet e lëna përgjysmë gjatë pandemisë, si dhe shohin në rritje nevojat e tyre për kapital punues, nisur nga kërkesa e shtuar në treg për produkte dhe shërbime.
Në bankën tonë, e shohim me optimizëm rritjen e këtij segmenti dhe për vitin në vazhdim, prandaj strategjia jonë është të vazhdojmë mbështetjen e biznesit me financime, dhe jo vetëm, në rrugëtimin e tij për gjeneruar më shumë ekonomi, mirëqenie, punësim për secilin nga ne, si dhe më shumë të ardhura për sistemin bankar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.