Shqipëria ka një hapësirë dhe mundësi më të madhe për të mos u sjellë më inferiore dhe e vogël, por të ketë peshë në tryezat e politikës së madhe europiane dhe më gjerë, të cilat do të mund ta përkthenin këtë pushtet të rritur në përftime direkte të shtuara për qytetarët e saj. Përfshirja e vendit në projektin e gazsjellësit të madh TAP (Trans Adriatic Pipeline), është një argument i fortë bindës. Për herë të parë në historinë e saj shtetërore, Shqipëria rreshtohet në krah të mëdhenjve si Greqia dhe Italia, më të njëjta pozita dhe konvergjencë të plotë interesash, kur prej shekujsh kjo marrëdhënie, jo për faj të saj, nuk ka qenë kështu. TAP e mundësoi këtë sepse Shqipëria investoi.
Për tu zgjedhur si fitues një projekt i përmasave kaq të mëdha, përveçse një kompleksiteti kriteresh, interesash dhe lobesh, dy ishin më kryesorët. Përfitimi ekonomiko- financiar dhe siguria. Megjithëse me problemet e saj në funksionimin e demokracisë dhe institucioneve të brishta, shteti shqiptar tregoi se arriti t’i vendosë në harmoni të gjitha instrumentet për të krijuar një sinergji pozitive, të cilat shtynë procesin e gazsjellësit drejt suksesit. Gati 10 vjet më parë kjo gjë dukej fare e pamundur, por duke investuar me përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në NATO, duke u përfshirë në proceset e integrimit europian, të faktorizuara në proceset politikës së jashtme me theks paqen, rreshtimi me aleatët e duhur etj, parapërgatitën mjedis për të plotësuar kriterin e sigurisë. Kushti i dytë, ai ekonomiko- financiar ka ekzistuar prej kohësh, pasi Shqipëria zotëron një pozicion të parapëlqyer gjeografik, e cila optimizonte kostot e projektit dhe rriste përftimet, jo vetëm për TAP, por edhe projekte të tjera të mëdha. Por, ky avantazh qëndronte i “vdekur”, sa pa u plotësuar kushti i sigurisë dhe garancisë. Nuk janë numrat, që një vend apo një komb e bëjnë të madh, por vlerat e tij dhe sjelljet e tij. Më TAP-in, Shqipëria dha një dëshmi të madhe, por që ende nuk quhet e plotë.
Pas investimit natyrshëm vjen pyetja, po përftimet. Kjo është pjesa e dytë e sprovës. A do të tregohemi të vegjël apo do të arrijmë të maksimizojmë përftimet nga investimi i kryer. Sikurse tashmë është konfirmuar zyrtarisht negociatat ende nuk janë mbyllur (lexo shkrimin në faqet e brendshme të Monitor). Ka një vlerësim paraprak, se sa fiton Shqipëria vetëm për shkak të ndërtimit të gazsjellësit dhe tranzitimit të produktit, sa rritet punësimi etj. Por ky është vetëm një përftim pjesor. Sfida më e madhe mbetet a do të mundemi që nga ky projekt i madh të përfitojmë për të pasur një burim të madh alternative energjie, i cili është sfidë për çdo vend sot në botë, a do mundet që nga gazi i tranzituar vendi të përdorë sasi të mjaftueshme dhe me kosto të lirë për nevojat e tij. Nëse kjo ndodh, dhe koha do ta vërtetojë, do të ishte një shtysë e madhe për ekonominë duke e “goditur” pozitivisht atë sepse do të provokonte një stimul me efekt të shumëfishtë përfitimi. Në këtë pikë negociatat janë ende të hapura dhe Shqipëria nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim të madh, siç bëri rreth 20 vjet me parë me “bekimin” edhe të institucioneve të njohura ndërkombëtare si Banka Botërore, kur nuk parashikoi ndërtimin e asnjë burimi të ri energjie sepse projektimet e gabuara e konsideruan një vend me një ekonomi të vogël, me konsum të ulët, që s’kishte nevojë për shumë energji, deri sa arritëm në një pikë fundore, ku vendi u zhyt në kriza energjetike të shpeshta e të thella me kosto të mëdha në ekonomi, që ende nuk janë rikuperuar. Kjo ndodhi sepse nevojat e Shqipërisë u rritën ndjeshëm nga ambiciet dhe shpirti sipërmarrës, ndërkohë që sjellja shtetërore nuk eci më të njëjtën shpejtësi. Suksesi i TAP-it do të jetë i plotë dhe i madh vetëm nëse do të dimë të sillemi jo si inferior, por t’i besojmë dhe qëndrojmë konsekuent ambicieve tona, nëse duam të projektojmë më largpamësi të ardhmen. Kjo është sfida e re dhe përfshirja në TAP është vetëm një betejë e fituar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.