Sfida të Financimit të Arsimit Profesional

28/03/2012 1:35 PM 0 komente
Nga Sidita DIBRA Ph.D. kandidate | Prof. Dr. Fatmir MEMAJ

Arritja e objektivave të qeverisë për rritjen e numrit të të regjistruarve në Arsimin Profesional njëkohësisht duhet shoqëruar dhe me rritjen e konsiderueshme të buxhetit që i dedikohet këtij sistemi,

si dhe bashkëpunimin me sektorin privat, në mënyrë që të ofrohet një shërbim arsimor cilësor që përgatit kuadro të denjë për një forcë punë konkurruese në rajon e më gjerë.

Arsimi profesional është një sektor me rëndësi të madhe në kuadrin e zhvillimit të kapitalit human e rritjes së cilësisë së tregut të punës dhe është një prioritet për qeverinë shqiptare i shprehur

dhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit (2009–2013). Aktualisht, në këtë sistem në vendin tonë, janë të regjistruar rreth 20 mijë nxënës në 41 shkolla që ofrojnë specialitete të ndryshme si IT,

ekonomi-biznes, termohidraulikë, hoteleri-turizëm, mekanikë, shërbime mjete transporti, elektroteknikë etj.
Sot, arsimi profesional, sipas strukturës së re të zbatuar që në vitin akademik 2009–2012, krahas sistemeve të trashëguara, ofrohet në disa nivele dhe mënyra me kohëzgjatje 2+1+1 vite, 2+2 vite dhe 4 vite në bllok.

Natyrshëm, trendi i shkollave profesionale ka ndjekur zhvillimin e sektorëve të ekonomisë, duke kaluar nga profili bujqësor dhe i industrisë në atë të shërbimeve, si dhe zhvillimin rajonal brenda vendit,

pasi shumica e nxënësve që ndjekin arsimin profesional janë në zonat me aktivitet më të zhvilluar ekonomik si Tirana, Durrësi, Elbasan – Librazhd, Korça e Shkodra.

Rreth 20% e nxënësve që përfundojnë arsimin 9-vjeçar, regjistrohen në arsimin profesional, ndërsa objektivi për Ministrinë e Arsimit është të rrisë pjesëmarrjen deri në 40%.

Sipas ligjit të Arsimit dhe Formimit Profesional 10434, datë 23.06.2012,neni 29, si burime financimi për AFP publik njihen: buxheti i shtetit, buxheti i pushtetit vendor,

programet kombëtare dhe ndërkombëtare për arsimin dhe formimin profesional, kontributet e shoqatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve; kontributet e dhuruesve,

sponsorizimet dhe burime të tjera të lejuara nga ligji. Në këtë ligj, neni 30, u lejon dhe shkollave të funksionojnë si institucione që mund të kryejnë edhe veprimtari ekonomike me përfitime financiare në fushat që kanë lidhje me zbatimin e programeve

dhe të praktikave mësimore. Ndryshe nga sistemet e tjera arsimore, Arsimi Profesional ka një faturë më të madhe, pasi shpenzimet për nxënës në këtë sistem janë më të larta se në arsimin e përgjithshëm, por aktualisht në Shqipëri, ky sistem është i nënfinancuar.

 

Tabela 1. Buxheti për arsimin në vite (në milion lekë)

Zërat 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013 2014
Planifikim menaxhim administrim 657 946 1002 907 887 858 880 913
Arsimi bazë 17552 2085 22560 22860 22560 24434 25229 27726
Arsimi i mesëm i përgjithshëm 4676 4504 5102 4967 5092 5285 5446 5972
Arsimi i mesëm profesional 2347 2369 2600 2255 2242 2529 2608 2880
Arsimi i lartë 6520 6982 9690 6253 6149 6580 6822 7492
Kërkimi shkencor 190 367 510 228 544 565 589 650
Buxheti për arsimin 31942 17253 41464 37470 37474 40251 41574 45633

Burimi: PBA 2007-2014, Ministria e Financave

 

Buxheti për AP ka pësuar rënie në vitet 2007, 2008, për t’u rritur përsëri në vitin 2009. Ulja e buxhetit për AP në vitet e fundit (2010 dhe 2011) e çoi buxhetin në nivele më të ulëta se para vitit 2009.

Parashikimi për vitet e ardhshme (sipas PBA 2012-2014) është premtues, pasi buxheti për AP parashikohet të rritet, por sidoqoftë ai përsëri mbetet në nivele të ulëta.

Buxheti i shtetit është burimi kryesor i financimit të arsimit në përgjithësi dhe arsimit profesional në veçanti.

Direkt nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës alokohen fondet për investime infrastrukturore apo për blerje të cilat kapin nivelin e investimeve.

Investimet në infrastrukturën shkollore realizohen nga Njësitë e Pushtetit Vendor, të cilat në kuadër të decentralizimit janë pronare të ndërtesave dhe janë përgjegjëse për kostot e mirëmbajtjes të ndërtesave,

si dhe furnizimin me ujë, energji elektrike dhe telefon. Përmes buxhetit të MASH alokohen gjithashtu fonde dhe tek institucionet në varësi, siç janë Drejtoritë Rajonale Arsimore,

të cilat mbulojnë një pjesë të shpenzimeve të këtij sektori si paga dhe sigurime shoqërore të stafit mësimdhënës, pajisje, transportin e mësuesve dhe të nxënësve me banim përkatësisht mbi 5 dhe 2 kilometra larg shkollës, librat, programi i bursave etj.

Përveç sistemit jopublik, dhe në sistemin publik profesional nxënësit janë shpesh një burim i të ardhurave për bordin e shkollës, fondet e të cilit shkojnë për shpenzime të tilla, si riparime të vogla

apo shpenzime për sigurinë e shkollës (roje). Edhe pse normalisht nuk ka taksa shkolle për sistemin arsimor publik, nxënësve u kushton ndjekja e shkollave teknike,

pasi ata paguajnë pjesërisht për libra dhe nëse qëndrojnë në konvikt ata paguajnë edhe për ushqimin dhe strehimin. Shkollat profesionale lejohet me ligj të zhvillojnë aktivitete fitimprurëse për sa kohë janë në përmbushje të misionit të tyre.

Sidoqoftë, raste të tilla janë fokusuar kryesisht në shkollat kombëtare, të cilat kanë llogari më vete dhe e marrin buxhetin direkt nga MASH e kanë më tepër mundësi të vetëmenaxhojnë këto fonde.

Ndër vite, një burim i rëndësishëm financimi, por dhe asistence teknike, është përfaqësuar nga donatorë të huaj. Ky sektor ka përfituar vetëm për periudhën 2002–2008 me një grant total prej rreth 29 milionë eurosh,

ku kontribuuesi më i madh është KE me rreth 50%, ndjekur nga Zvicra me 22%, Gjermania me 13%, Italia me 10%, Austria me 4% dhe SHBA me 1%

Përveç rasteve të shumta të bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm që fondet i kanalizojnë përmes agjencive të implementimit (rasti i GIZ, SDC etj.),

qeveria shqiptare gjithashtu ka pasur raste të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qeveri të huaja në drejtim të financimit të arsimit profesional.

Një shembull i tillë është shkolla “Peter Maringer” në Shkodër në fushën e Teknologjisë së Informacionit, një financim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe austriake.

Ndihma e huaj vihet re te shkolla të shumta profesionale, për t’u veçuar është shkolla “Beqir Çela”, e cila është asistuar për 12 vite me radhë kryesisht nga qeveria zvicerane,

duke i mundësuar kësaj shkolle një bazë laboratorike të plotë, programe për trajnimin e stafit mësimdhënës, programe të integrimit të të diplomuarve në tregun e punës,

subvencionim të bashkëpunimit me biznesin etj., duke ndikuar në krijimin e atij standardi që e bën shkollën “Beqir Çela” të shpallet shkolla më e mirë profesionale në Shqipëri.

 

 

 

Megjithëse sistemi i financimit të arsimit profesional në Shqipëri vazhdon të jetë i nënfinancuar dhe i varur nga aktorët ndërkombëtarë, si nga pikëpamja e financimit ashtu

dhe nga pikëpamja e orientimit të politikave apo modeleve të zhvillimit, vihen re disa iniciativa pozitive të qeverisë shqiptare, në kuadër të racionalizimit të investimeve në arsim dhe pavarësisë në vendimmarrje.

Një shembull i tillë është ndërtimi i Sistemit të Menaxhimit të Infrastrukturës Shkollore (SIMS) i krijuar në kuadrin e projektit TA-ALB-10 financuar nga fondet e KE,

me qëllim orientimin e MASH drejt një vendimmarrje më eficiente lidhur me investimet në infrastrukturën shkollore.

Gjithashtu interesant është dhe i vetmi institucion pas i mesëm në Shqipëri, Fakulteti i Studimeve Profesionale, i cili funksionon si pjesë integrale e Universitetit të Durrësit, “Aleksandër Moisiu”,

me rreth 2000 studentë dhe që ofron rreth 9 lloje të ndryshme diplomash si: Infermieri e Përgjithshme, Ndihmësdentist, Asistent Ligjor, Asistent Administrativ, Menaxher Ndërtimi, Specialist Rrjetesh Kompjuterike,

Teknologji Automobilash, Menaxher Transporti, Informatikë Praktike. Për këtë institucion nuk ndiqen procedurat tipike të financimit të shkollave profesionale, por vihet re një decentralizim më i theksuar.

Kështu fondet kanalizohen përmes Universitetit, njëlloj si për fakultetet e tjera që ofrojnë diploma bachelor, master apo doktoraturë.

Krahas sistemit publik, arsimi profesional jopublik po zhvillohet gjithnjë e më shumë ndër të tjera dhe si rezultat i pavarësisë financiare dhe shkallës të lartë të fleksibilitetit.

Në këtë sektor fondet bazohen kryesisht në pagesat e studentëve dhe në burime të tjera të financimit të shkollave. Ndër shkollat profesionale jopublike më të suksesshme është dhe “Harry Fultz”,

e cila shënon të regjistruar rreth 70% të nxënësve në arsimin profesional jopublik. Kjo shkollë realizon një proces të përllogaritjes së tarifës së studentëve sipas metodës “cost – centered”, duke siguruar kështu mbulimin e shpenzimeve të nevojshme dhe ofrimin e një shërbimi arsimor sipas standardeve.

Vlen për t’u theksuar edhe një herë fakti që arritja e objektivave të qeverisë për rritjen e numrit të të regjistruarve në Arsimin Profesional njëkohësisht duhet shoqëruar

dhe me rritjen e konsiderueshme të buxhetit që i dedikohet këtij sistemi, si dhe bashkëpunimin me sektorin privat, në mënyrë që të ofrohet një shërbim arsimor cilësor që përgatit kuadro të denjë për një forcë punë konkurruese në rajon e më gjerë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of