Sfidat e investimeve

25/12/2020 10:10 PM 0 komente

Flet Drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka (Angoni)

 

Parësore mbetet reforma në drejtësi dhe konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet e ndershme, si dhe dalja nga pandemia që ende kushtëzohet nga të papritura dhe rimëkëmbja ekonomike në vitin 2021. Sektorët prioritarë…

 

2020-a ka qenë i vështirë për vendin, pas tërmetit dhe pasojave të paprecedenta pas krizës së Covid-19.

Znj. Diana Leka, Drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve pohon se gjatë 2020, qeveria shqiptare dhe biznesi u përballën me rënie të konsiderueshme të ekonomisë, duke nënkuptuar rënie të prodhimit, konsumit, të ardhurave dhe investimeve.

Duke e parë krizën si mundësi, znj. Leka rekomandon që  SME-të duhet të futen në mënyrë masive në rrugën e transformimit dixhital. Kjo nuk është me opsion, por kusht për mbijetesë pasi nëse do të qëndrojnë në vend, do ta kenë shumë të vështirë të përballen me konkurrencën rajonale. Kjo mund të jetë edhe ana pozitive e krizës.

2020-a shënoi dhe 5 vjetorin e krijimit të Këshillit të Investimeve, një platformë konsultative e krijuar në vitin 2015 në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe BERZH, me synim  ndërtimin e një modeli dialogu ndërmjet sektorit privat dhe vendimmarrjes.

Znj. Leka pohon se  platforma ia ka arritur qëllimit, por duhet theksuar se ndërtimi i dialogut sistemik midis palëve dhe adresimi i gjetjeve mbi klimën e investimeve nëpërmjet rekomandimeve konkrete, është një proces dinamik, i vazhdueshëm dhe kërkon angazhim serioz nga palët, si dhe vendosjen në kohë të prioriteteve.

Këshilli i Investimeve rekomandon se rimëkëmbja ekonomike e vendit do të mund të përshpejtohej nëse ndërhyrjet dhe mbështetja do të orientohej në sektorët prioritarë si Bujqësia dhe Agropërpunimi, energjia dhe përpunimit i burimeve minerale, ndërsa fokus i veçantë i duhet kushtuar Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacion me fokus SME-të, ku Shqipëria duhet të investojë seriozisht.

 

Si mund të konsiderohet klima aktuale e biznesit dhe investimeve në Shqipëri?

Në pikëpamje makro, mendoj se që nga fundi i vitit 2019 dhe sidomos gjysma e parë e vitit 2020, situata ka qenë mjaft e vështirë për vendin, duke sjellë pasoja të paprecedenta në ekonomi dhe duke e detyruar qeverinë të ndërmarrë masa unike të njëpasnjëshme, për të ndihmuar biznesin dhe punonjësit në përballimin e situatës së pandemisë COVID-19. Shifrat si ndikimi  i tërmetit vlerësohet të kenë efekte ekuivalente me 6,4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe në 1,1% të PBB-së në humbje.

Ndërkohë, , dhe ku vlerësimet e organizmave ndërkombëtarë konvergojnë për sa i përket (i) impaktit sektorial dhe punësimit, (ii) sfidave unike të ekonomisë shqiptare pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, (iii) recesionit të pritshëm në ekonomi, e cila mbështetet kryesisht në shkëmbimet tregtare dhe investimet nga vendet europiane. Prodhimi dhe sektori i turizmit u prekën më shumë nga përhapja e pandemisë, duke rritur edhe nivelet e papunësisë në vend.

Në një opsion pozitiv, dëshiroj të nënvizoj përfundimin e punimeve të TAP, firmosjen e një kontrate të rëndësishme për një investim madhor në Karavasta me synim diversifikimin e burimeve energjetike në vend përfshirë edhe ridimensionimin e Shqipërisë, si potencial i energjive të rinovueshme në Ballkan, rritjen e eksporteve bujqësore, si edhe jetëzimin e disa ligjeve që lidhen me klimën e biznesit si fiskalizimi, regjistri i llogarive, i kredive, miratimi i strategjisë kombëtare të turizmit dhe të Broadband, si dhe nismat specifike në kuadrin e tregtisë me rajonin e Ballkanit, dhe të mbështetura si politikisht edhe me ndërhyrje konkrete (dogana pa letra, green kanal..)

Parashikimet globale mbeten sfiduese pasi sipas FMN, ekonomia botërore do të tkurret (me rreth 4,4%[1] gjatë vitit 2020), më shumë se gjatë krizës financiare të vitit 2008/2009. Vendet e Eurozonës do të përjetojnë një tkurrje edhe më të madhe me rreth 8,3%. Greqia dhe Italia, dy partnerët kryesorë të Shqipërisë në ekonomi, do të përjetojnë rënie të thellë ekonomike në Eurozonë gjatë vitit 2020, përkatësisht me 9,5% dhe 10,6%.

Ndërkohë, Shqipëria, e goditur fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, e më pas nga pandemia COVID-19, në mënyrë të njëpasnjëshme do të duhet të përballet me pasoja të dyfishta. Parashikimet për rënien ekonomike të saj variojnë nga -8,4% dhe -7,5% respektivisht sipas BB, dhe FMN në -9% sipas BERZH. Qeveria shqiptare, në parashikimet[2] e saj, vlerëson që rënia ekonomike e vendit për vitin 2020 do të jetë në nivelin e 6.1%.

Të gjitha sa më lart, vënë në dukje se gjatë 2020, qeveria shqiptare dhe biznesi u përballën me rënie të konsiderueshme të ekonomisë, duke nënkuptuar rënie të prodhimit, konsumit, të ardhurave dhe investimeve.

 

Cili ka qenë roli i Sekretariatit të KI gjatë këtij viti?

Në përgjigje të situatës së jashtëzakonshme, për të mundësuar një debat sa më realist, gjatë periudhës mars – maj 2020, KI ndërmori një anketim mbi “Vlerësimin e ndikimit të pasojave që rrjedhin nga Pandemia e COVID-19 mbi Aktivitetin e Biznesit në Shqipëri”, me qëllim identifikimin e problematikave më kryesore dhe sugjerimet për përballjen e situatës nga perspektiva e biznesit. Kjo përgjigje u mundësua në kohë, pasi që nga viti 2015, Sekretariati i Këshillit të Investimeve, vazhdimisht ka ndërmarrë anketime me qëllim hartimin e analizave dinamike për vlerësimin e masave fiskale dhe anti-informalitet në klimën e investimeve në vend.

Detyrat e reja iu besuan gjithashtu Sekretariatit nga Kryetarja e KI -së dhe anëtarët e tij për të ndjekur me rigorozitet rekomandimet e mëparshme të IC-së dhe lehtësimin e pesë grupeve të punës (7 takime të ndjekura nga 70 persona).

Në këtë kontekst, që nga fundi i janarit 2020, vëmendje dhe ndjekje e veçantë iu dha nga Sekretariati a) shqetësimeve të biznesit për ngrirjen e llogarive bankare nga bankat lokale tregtare dhe për transparencën e taksave dhe tarifave lokale të biznesit të vendosura nga bashkitë b) fillimit të punës së tre Grupeve të Punës – të themeluara në fushat me përparësi: Agropërpunimi, TIK, Energjia – pas zyrtarizimit të Urdhrave të firmosura nga ministrat përkatës.

 

Disa gjetje nga Anketimi i KI

Referuar anketimit, të gjithë sektorët e ekonomisë pritet të ndikohen negativisht nga pandemia dhe gati gjysma e ekonomisë shqiptare ndali veprimtarinë, duke parashikuar rënie deri më shumë se 20% në të ardhurat e tyre vjetore. Mungesa e klientëve, mungesa e likuiditetit, vështirësitë në likuidimin e pagave dhe respektimi i detyrimeve dhe pagesave tatimore janë problemet më të shpeshta me të cilat po përballet biznesi gjatë kësaj periudhe. Pandemia ndryshoi edhe mënyrën e të punuarit.

Sot, biznesi po përballet me pamundësinë e stafit të vet për t’u paraqitur në vendin e punës dhe kjo e detyroi atë të ndryshojë “mendësinë”. Sot, një pjesë e konsiderueshme e biznesit po aplikon punën online. Nga ana tjetër, të gjendur në kushte izolimi, shumë biznese pranojnë se kanë përdorur shërbimet online dhe madje deklarojnë se do të vazhdojnë t’i përdorin ato edhe në të ardhmen. Të dyja këto vënë në dukje rëndësinë gjithmonë në rritje që teknologjia po merr në aktivitetin e përditshëm të biznesit dhe konsumatorit, duke vënë sektorin privat, por edhe atë publik përballë sfidës së investimeve serioze në teknologji.

Një sfidë tjetër që pandemia e nxori në pah është edhe fakti i varësisë së madhe të ekonomisë sonë nga importi. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kanë varësi të lartë ndaj importeve, ku industria është pothuajse e varur totalisht. Nga anketimi i KI del se vetëm një pjesë shumë e vogël e sipërmarrjes, rreth 2% e kompanive që operojnë në Tregti, Industri e Shërbime mund të mbështeten totalisht në produktet vendase. Theksojmë se sot, si rrjedhojë e pandemisë, ekonomitë europiane po kërkojnë të gjejnë burime alternative për importet e tyre, burime më afër vendndodhjes së tyre dhe kjo mund të jetë një oportunitet për vendin tonë. Më specifikisht, ne e analizuam këtë problematikë së fundmi, në kuadrin e studimit mbi maksimizimin e potencialeve në Agropërpunim, ku edhe u dhanë rekomandime më specifike.

Nëse u referohemi të dhënave të anketimit, kompanitë tona janë seriozisht të papërgatitura në përballimin e situatave emergjente. 86% e kompanive deklaruan se nuk kanë plan emergjence dhe nuk kanë strategji të vlerësimit të riskut, duke i bërë ato mjaft vulnerabël.

Ndërkohë, gjatë vitit 2020, Këshilli i Investimeve konsolidoi fizionominë e krijuar tashmë që prej krijimit të tij në 2015, si platforma më e qëndrueshme e konsultimit dhe dialogut në trekëndëshin biznes-institucione-donatorë. Ky profil i krijuar është rezultat i një pune serioze nga të gjithë anëtarët ndër vite të KI. Në këtë aspekt, vlen të përmendet roli proaktiv i komunitetit të biznesit në paraqitjen në mbledhjet e KI të problematikave konkrete të klimës së investimeve. Nga ana tjetër, qëndrimi konstruktiv i institucioneve kundrejt platformës dhe shqetësimeve të ngritura e ka lehtësuar formatin e dialogut midis palëve dhe monitorimin.

Sigurisht që Sekretariati i mbështetur nga partnerët, si dhe i përbërë nga një trupë ekspertësh të pavarur, ka mundësuar të gjithë punën përgatitore dhe analitike sa i takon përgatitjes së materialeve dhe analizave të problematikave të ngritura nga biznesi, edhe gjatë këtyre muajve të vështirë për të gjithë, si rezultat i COVID-19.

Këto analiza të mbështetura në planin ligjor-rregullator dhe atë ekonomik, mendoj se i kanë dhënë karakter gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të gjitha gjetjeve dhe rekomandimeve të diskutuara në KI, veçanërisht atyre që lidhen me impaktin e COVID-19 në ekonominë shqiptare dhe rimëkëmbjen e saj në vitet në vijim. Këtu, vlen të theksohet edhe mbështetja e madhe e BERZH/SECO dhe MFE për Sekretariatin dhe të gjithë platformën e KI, duke advokuar rolin e kësaj të fundit, si një domosdoshmëri për rritjen e besimit në dialogun mbi klimën e investimeve midis biznesit dhe politikëbërësve.

KI dhe Sekretariati për asnjë çast nuk e ndalën punën gjatë fazës më emergjente të COVID-19, veçanërisht në periudhën mars-qershor, duke qenë afër komunitetit të biznesit dhe profesionistëve. Roli proaktiv i Sekretariatit në prezantimin e të parit anketim kombëtar me bizneset mbi Impaktin e COVID-19 në Ekonomi, përgatitja periodike dhe në një kohë të shkurtër e përmbledhjeve ligjore në një kontekst ku dinamikat, masat dhe ndryshimet ligjore ishin të përditshme, si dhe organizimi i mbledhjeve të jashtëzakonshme të KI me pjesëmarrje absolute të anëtarëve të tij dhe një numri të madh vëzhguesish, mendoj se tashmë janë të njohura nga të gjithë.

Roli i KI dhe i Sekretariatit në vend dhe rajon u njohën pozitivisht edhe gjatë Konferencës Globale të Këshillave të Investimeve të BERZH-it që u mbajt online në datat 2-3 qershor 2020, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga qeveritë e ndryshme, si dhe komuniteti i biznesit.

Sigurisht, që kjo është pjesa më e madhe e punës që evidentohet më lehtësisht, ndërkohë që mbrapa ka një punë përgatitore të përditshme dhe sistemike, që ka mundësuar 4 mbledhje plenare të KI – “Ndërveprimi Biznes-Bashki” – janar, “Anketa mbi Impaktin e COVID-19 në Ekonomi”-prill, “Për Rimëkëmbjen Ekonomike post-COVID-19”, dhe “Mbi stimulimin e Investimeve në Agropërpunim”, si dhe me ngritjen e grupeve të punës me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse përgjegjëse “Për Agropërpunimin” dhe “Dixhitalizimin” dhe zhvillimin e mbledhjeve paraprake; monitorimin rigoroz të rekomandimeve të dhëna; një numër të konsiderueshëm takimesh dhe diskutimesh me partnerët tanë, si dhe e gjithë puna për bërjen transparente dhe publikimin në kohë reale të të gjithë aktivitetit të KI dhe Sekretariatit.

 

Cilat konsideroni si sfida të ekonomisë shqiptare në vitin 2021 dhe a mendoni se burimet e rritjes ekonomike në vitet e ardhshme duhet të marrin në konsideratë mbështetjen për sektorë të veçantë?

Në përgjithësi, parësore mbetet reforma në drejtësi dhe konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet e ndershme, si dhe dalja nga pandemia që ende kushtëzohet nga të papritura dhe rimëkëmbja ekonomike në vitin 2021. Ndërsa në kontekstin edhe të analizave dhe sugjerimeve të KI në këto 5 vite pune, mund të nënvizoj se: (1) Formalizimi i ekonomisë, është një sfidë e rëndësishme për vendin dhe veçanërisht për sektorë si turizmi, bujqësia, shërbimet, etj., në të cilat informaliteti shfaq tipologji specifike dhe është faktor thelbësor që kërcënon konkurrencën e ndershme.

Gjithashtu, krizat e njëpasnjëshme që lidhen me situatat e krijuara në vend pas tërmetit dhe gjatë COVID-19, krijojnë premisa për rritjen e informalitetit, por ndërkohë vështirësojnë edhe mundësinë që ndihma e qeverisë të jepet në kohë tek përfituesit; (2) Sfida tjetër e qenësishme ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve dhe thjeshtëzimin dhe stabilizimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor fiskal, si një premisë për qëndrueshmëri në të bërit biznes.

Nismat më të fundit të qeverisë në heqjen e tatimfitimit për BVM dhe rritja e pragut të TVSH, mund të krijojnë frymëmarrje për biznesin e vogël, sidomos pas vështirësive të krijuara në këtë kohë pandemie; sfida e sasisë dhe rikualifikimit të fuqisë punëtore, veçanërisht në kushtet e revolucionit dixhital, pronës dhe prioritizimit global të klimës dhe mjedisit.

Ndërkohë, në lidhje me prioritizimin e sektorëve – theksoj se bazuar në analizat tona, kryesisht në sugjerimet e biznesit dhe anëtarëve të KI, sugjerohet se rimëkëmbja ekonomike e vendit do të mund të përshpejtohej nëse ndërhyrjet dhe mbështetja do të jetë e fokusuar në disa sektorë prioritarë:

Bujqësia dhe Agropërpunimi siguron një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe mbulon pjesë të konsiderueshme të punësimit. Madje, gjatë periudhës së pandemisë, bujqësia ishte sektori më pak i prekur, i cili vazhdoi punën pavarësisht situatës.

Në këtë kuadër, (1) masat nxitëse mbi de-fragmentizimin e tokës bujqësore dhe nxitja e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas “Made in Albania”, i cili po tregon se ka potenciale si p.sh., domatja; dhe, (2) bërja transparente dhe lehtësimi i aksesit në informacion mbi politikat mbështetëse për sektorin e bujqësisë/agropërpunimit nga donatorët do të ishin premisat e para për optmizimin e potencialeve dhe rritjen cilësore të sektorit. Edhe kombinimi i Turizmit me sektorin e agros po tregon se janë potenciale të qenësishme për Shqipërinë, por mbetet të monitorohet.

Shqipëria ka potenciale në sektorin e energjisë dhe përpunimit të burimeve minerale. Më specifikisht, plotësimi në kohë i kuadrit ligjor mbi sektorin e energjisë së rinovueshme dhe bërja efektive e tregut të liberalizuar të energjisë dhe Bursës së Energjisë, por edhe investimi në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, për të përmirësuar aksesin teknik për prodhuesit vendas të energjisë diellore dhe të erës, janë disa nga rekomandimet që KI mendon se do të zhvillojnë këtë sektor të ekonomisë shqiptare, për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit.

Përveç sektorëve të lartpërmendur, Shqipëria duhet të investojë seriozisht në Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacion me fokus SME-të. COVID-19 evidentoi nevojën për diversifikimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve dhe nxori në pah edhe problematikën e mungesave së planeve të emergjencave nga ana e bizneseve, ndaj në situatën post-COVID-19, janë shumë të rëndësishme investimet në këtë drejtim, pasi TIK dhe Inovacioni ndërlidhen dhe ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme të gjithë sektorët e ekonomisë.

 

Cilat janë çështjet në vijim në axhendën e KI?

Sekretariati në bashkëpunim të ngushtë me partnerët në KI përgatit mbi baza vjetore një axhendë potenciale të çështjeve që analizohen dhe më pas diskutohen në mbledhjet e KI. Axhenda përcaktohet mbi bazën e një votimi nga të gjithë anëtarët, të një numri të konsiderueshëm temash dhe çështjesh të biznesit të filtruara paraprakisht nga Sekretariati. Aktualisht janë në axhendë problematika të lejeve mjedisore, inovacionit të SME-ve dhe aksesit të fondeve, ankimit admnistrativ, etj.

 

Këtë vit, KI shënoi edhe 5-vjetorin e krijimit. A mendoni se keni advokuar sa duhet mbi sugjerimet dhe rekomandimet e biznesit dhe grupeve të interesit në mbledhjet e KI?

Sikurse e theksova edhe më sipër, KI, si një platformë konsultative e krijuar në vitin 2015 në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe BERZH, ka si qëllim parësor ndërtimin e një modeli dialogu të strukturuar, transparent dhe të formalizuar ndërmjet sektorit privat dhe vendimmarrjes dhe gjithmonë i fokusuar në klimën e investimeve në vend.

Në këtë funksion mendoj se platforma ia ka arritur qëllimit, por duhet theksuar se ndërtimi i dialogut sistemik midis palëve dhe adresimi i gjetjeve mbi klimën e investimeve nëpërmjet rekomandimeve konkrete, është një proces dinamik, i vazhdueshëm dhe kërkon angazhim serioz nga palët, si dhe vendosjen në kohë të prioriteteve, gjë e cila jo gjithmonë është e lehtë për t’u bërë veçanërisht në planin institucional, apo në kushtet e krizave kombëtare natyrore apo shëndetësore globale.

Metodologjia e punës së KI është një model “nga poshtë – lart”, pra problemet vijnë nga sipërmarrja dhe drejtohen për dialog dhe rrugëzgjidhje te vendimmarrja nëpërmjet Sekretariatit. Zgjidhja e këtyre problematikave diskutohet me përfaqësues të sipërmarrjes në takime me ekspertë të fushave specifike dhe biznese të veçanta.

Për këtë qëllim, Sekretariati mbështet punën e tij në analiza paraprake ligjore dhe ekonomike, për të cilat ne jemi të balancuar, të paanshëm dhe mundohemi të jemi sa më profesionalë si dhe tek Anketat me bizneset. Bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është një nga pikat e forta të kësaj platforme. Deri më sot janë realizuar 10 anketa, dhe janë përgjigjur mbi 2000 biznese, duke i dhënë zë sipërmarrjes.

Së fundi, adresimi i problematikave të biznesit bëhet nëpërmjet rekomandimeve të paraqitura për votim në KI dhe nëpërmjet monitorimit sistemik të përmbushjes së tyre nga institucionet e linjës. Nisur nga sa më sipër dhe në këndvështrimin tonë, rekomandimet e miratuara në KI nuk janë një pikë mbërritje, por një pikënisje e rëndësishme për zgjidhjen e problematikave të biznesit. Në këtë kuptim, advokimi i rekomandimeve të KI dhe presioni pozitiv për përmbushjen e tyre duhet parë si një rol në vazhdimësi i të gjithë aktorëve të përfshirë në platformën e diskutimit.

Në lidhje me nivelin e përmbushjes së rekomandimeve të KI mund të sjellim në vëmendjen tuaj vetëm disa statistika nga raportet tona të monitorimit, mbi numrin e gjetjeve dhe të rekomandimeve të realizuara sipas fushave specifike:

Ky vit shënoi edhe 5-vjetorin e krijimit të KI, i cili përkoi edhe me periudhën e fazës më emergjente nga COVID-19 në muajin prill. Platforma e KI e ngritur në Shqipëri, shërbeu më pas si model i suksesshëm, edhe për krijimin e platformave të ngjashme me fokus përmirësimin e klimës së biznesit dhe mirëqeverisjes në vende të ndryshme ky BERZH operon.

Mendoj se puna e KI dhe e Sekretariatit në këto 5 vite ka shënuar disa arritje të rëndësishme, ku më kryesoret mund të nënvizohen:

(a) Influencimi në zbatimin e fazës së dytë reformës ndaj informalitetit në vend me një qasje më bashkëpunuese ndaj biznesit;

(b) Influencimi në përmirësimet ligjore dhe thjeshtimin e procedurave në fushën tatimore dhe doganore;

(c) Rritjen e transparencës nga ana e institucioneve përgjegjëse për shërbimet ndaj biznesit;

(d) Konsultimin e gjerë të drafteve dhe iniciativave ligjore si p.sh: Ligji Mbi Falimentimin në 2015, Ligji i Unifikuar i Investimeve, etj.

(e) Bërjen transparente të incentivave të përgjithshme dhe atyre në nivel sektorial;

f) prioritizimin e debatit mbi transparencën dhe incentivat e investimeve si edhe nevojën për përpjekje sistemike, të integruara biznes-qeveri-universitete me fokus cilësinë dhe aftësi të fuqisë punëtore.

Për ta përmbledhur do të thoja se rekomandimet e KI në një emërues të përbashkët kanë synuar të rrisin transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve, si dhe të nxitin qeverisjen e mirë, si të sektorit publik, edhe të sektorit privat. Ne jemi të ndërgjegjshëm për pritshmëritë e partnerëve të KI dhe Sekretariatit, për rolin edhe më aktiv të platformës dhe realizimin e shpejtë të rekomandimeve të dhëna prej saj. Ato tregojnë besimin ndaj saj dhe na motivojnë më shumë për të qenë në krah të palëve të përfshira në këtë platformë.

BURIMI: KËSHILLI I INVESTIMEVE

 

BURIMI: KËSHILLI I INVESTIMEVE

 

Cilët janë sektorët që mund të përfitojnë nga kriza dhe si?

Viti 2021 është unik për sa i takon daljes nga sfidat unike natyrore, shëndetësore dhe zgjedhore. Mendoj që kriza ka ridimensionuar shpejtësinë me të cilën disa nënsektorë janë bërë më të “domosdoshëm” për ekonominë dhe mbi të gjitha funksionimin e shoqërisë në kushtet e emergjencës.

Nga analizat tona gjatë 2020, u evidentua roli unik i reformës dixhitale (shërbimet online) të shërbimeve publike në zbutjen e sfidave të biznesit, si dhe nevoja për hartimin e planeve të emergjencës për të siguruar vazhdimësinë e biznesit. Ndërkohë, bujqësia zbuti efektet e krizës në afatshkurtër dhe kontribuoi pozitivisht në balancën import/eksport.

Në këtë kontekst, do të thoja që sektori i shërbimeve do të vazhdojë të konsolidojë kontributin e tij në ekonominë e vendit, veçanërisht shërbimet (blerjet online, etj.) që lidhen me dixhitalizimin dhe shërbimet e Inteligjencës Artificiale. Nga ana sektoriale, besoj se nënsektorët që lidhen me shëndetin, arsimin dhe “njohurive të sakta mbi mirushqyerjen dhe mirëjetesën ose “well beeing” do të prioritizohen, si nga ana e shërbimit publik, por edhe atij social e privat. Po kështu edhe investimet në dixhitalizimin e shërbimeve në fushën financiare, si pasojë e dy ligjeve të miratuara gjatë 2020, japin premisa për një hov të ri në 2021 të nënsektorit.

Ndërkohë, SME-të duhet të futen në mënyrë masive në rrugën e transformimit dixhital. Kjo nuk është me opsion, por kusht për mbijetesë pasi nëse do të qëndrojnë në vend, do ta kenë shumë të vështirë të përballen me konkurrencën rajonale. Sinqerisht, këtu besoj se kjo mund të jetë edhe ana pozitive e krizës, pasi dihet që Shqipëria është në nivele të ulëta për sa i takon indikatorit të “business sophistication”. Miratimi i strategjisë së broadband në 2020 dhe përfshirja në buxhetin e 2021 është një hap përpara drejt krijimit të infrastrukturës bazë për stimulimin e këtij procesi.

Investimet publike me fokus infrastrukturën (rrugë, hekurudha, energji), besoj se do të stimulojnë ecurinë e investimeve në sektorë që aktualisht presin të përfundojnë kriza shëndetësore, sikurse turizmi apo industria përpunuese ndërkohë që ndërtimi e ka vijuar rritjen edhe gjatë 2020.

Ndërkohë, sektori i energjisë së rinovueshme, përbën një risi dhe që të optimizojë ndikimin në ekonominë e vendit duhet të harmonizohet në kohë me progresin e investimeve publike. Nëse përgatitja e kuadrit ligjor e nënligjor do të jetë në kohë, ky sektor do të duhet të stimulohet për sa kohë që kemi incentiva dhe një sërë instrumentesh financiarë e bankarë që e lehtësojnë këtë progres.

—————————————

[1]FMN, World Economic Outlook, Tetor 2020

[2]Projektbuxheti 2021

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of