Viti 2021 parashikohet të jetë i rëndësishëm në disa aspekte për sektorin e energjisë. Disa nga projektet, që prej vitesh lakohen mes deklaratash e shkruhen mes letrash, pritet të konkretizohen. Së pari, Bursa e Energjisë parashikohet të kryejë transaksionin e parë në këtë vit, ashtu sikurse pritet të shihet vazhdimi i fazës së re të liberalizimit. OSHEE, përtej vitit të vështirë që la pas, pret të vijojë me investimin e matësve inteligjentë te konsumatorët finalë. Prodhuesit privatë, me peshë jo të vogël në treg, presin që disa nga elementet kyçe që do t’i shtohen tregut në këtë vit, të ndikojnë pozitivisht të gjithë hallkat.
Nga Nertila Maho
Pandemia ishte kryefjala e vitit 2020 dhe efekteve të saj duket se nuk do t’u shpëtojmë edhe këtë vit. Pjesa dërrmuese e sektorëve pësuan tkurrje drastike dhe planet e tyre të zhvillimit dhe investimit mbetën pezull. Për sektorin energjetik, një sektor me rëndësi të veçantë, ku pjesa më e madhe e operacioneve janë në dorën e kompanive publike, ecuria nuk ka qenë gjithashtu e lehtë. Përpos pandemisë, ky sektor vuajti në 2020-n një vit tejet problematik nga ana hidrike, ndërkohë që kishte nevojë për investime dhe ndërhyrje në pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Importet, vitin e shkuar, u rritën ndjeshëm dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raportoi se deri në dhjetor, kishin shkuar 123 milionë euro vetëm në këtë zë për të plotësuar konsumin në vend. Ndryshimi i strukturës së konsumit, duke u zhvendosur nga biznesi tek konsumatorët fundorë, sidomos gjatë kohës së karantinës, solli një tjetër faturë jo në favor të financave të kompanisë. Gjatë vitit të shkuar, për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatorin e Transmetimit të Energjisë, organizimi i punës në vetvete ishte sfidues.
Burimet njerëzore ishin të limituara për shkak të nevojës së ruajtjes së distancës ndërsa që pati tek-tuk edhe luhatje të treguesve në performancë, si një aspekt i ndikuar nga pandemia. Më së shumti, këtë e ka ndier OSHEE, e cila marrëdhënien e ka drejtpërdrejt edhe me konsumatorin final. Përtej situatës së lënë pas, viti aktual paraqet një sërë sfidash në sektorin energjetik dhe kjo, jo vetëm për kompanitë publike, por edhe ato private, pjesë e tregut.
ALPEX, operative në tremujorin e tretë të këtij viti, efektet në treg
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX), aksionerë të së cilës janë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, është pak hapa larg konkretizimit. Sokol Dishnica, Drejtor i Përgjithshëm i ALPEX, tha për “Monitor” se elementi më i rëndësishëm i saj është platforma e tregtimit, e cila do të përzgjidhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, në bazë të ligjit të prokurimit publik. Për këtë përzgjedhje janë duke u përgatitur termat e referencës nën asistencën e USAID-it.
“Një plan veprimi për ta bërë funksional tregun e energjisë është rënë dakord me të gjitha palët e interesit dhe konsulentët në një komitet të posaçëm të udhëhequr nga MIE. Në këtë plan veprimi ishte parashikuar fundi i muajit mars 2021, si momenti i fillimit të tregtimit në tregun e ditës në avancë. Por për shkak të disa vonesave të natyrave të ndryshme, do të shtyhet deri në tremujorin e tretë 2021, së pari në tregun shqiptar dhe për pak muaj, edhe atë të Kosovës. Shqipëria dhe Kosova janë duke krijuar tregun e përbashkët të energjisë elektrike, në mënyrë të ngjashme me modelin e vendeve nordike” – tha Dishnica.
Plani për të ngritur një bursë energjie lakohet prej vitesh, që nga ndryshimi tërësor i ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” i vitit 2015, ku për herë të parë u ndryshua edhe modeli, duke futur elemente të reja. Shqipëria kërkoi, në atë kohë, asistencën e një kompanie norvegjeze si Nordpool, për të dhënë konsulencë mbi modelin që do të kishte kjo bursë dhe potencialin për të tërhequr edhe investitorë të huaj, por çështja u zvarrit. Në një pjesë të mirë, kjo lidhej edhe me aktet nënligjore të vonuara mbi këtë hallkë. Gjithsesi, duke qenë se në vitin 2021 parashikohet të nisin transaksionet energjetike, edhe ndikimet që priten në treg janë pozitive.
“ALPEX do të luajë rolin e palës qendrore, e cila do të lidhë transaksionet e pjesëmarrësve të tregut. Tregtimi i energjisë nëpërmjet ALPEX garanton siguri dhe transparencë, duke shmangur manipulimin dhe çështjet e abuzimit të tregut, eliminon riskun e pagesave, rrit përfitimin socio-ekonomik të së gjithë shoqërisë (social welfare) si për shitësit, blerësit dhe konsumatorët, si dhe ul kostot e prodhimit për gjeneruesit dhe shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare” – pohoi Dishnica.
Rigela Gegpriffti, Drejtore e Përgjithshme e Devoll Hydropower, tha se impulset që parashikohen në treg nga funksionimi janë pozitive. “Sa u përket ndryshimeve të tregut të energjisë, e mirëpresim fillimin e funksionimit të ALPEX, pasi kontribuon në mënyrë të qenësishme në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të energjisë në vend e rajon” – nënvizoi ajo.
Liberalizimi, pritet të dalin në treg bizneset e lidhura në tension 20KV
Më 17 shtator të vitit 2020 ishte afati i fundit i vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt që të dilnin në treg të lirë. Kjo do të thotë se këta të fundit duhet të gjenin të vetëm një furnizues, duke u shkëputur nga ai publik. Situata e pandemisë ndryshoi tërësisht planet dhe në rrjet duhej të bëheshin ende disa investime. Për këtë, viti 2021 duket se do të jetë ai kur do të bëhet shkëputja e këtij grupi dhe për të dalë në tregun e lirë.
Administratori i OSHEE Group SH.A., Adrian Çela, shprehet se në muajt në vijim, me përfundimin e investimit në matje nga OST, edhe bizneset e lidhura në rrjetin 20kV do të kalojnë në treg të lirë, ku vlen të theksohet se ata në asnjë moment nuk e rrezikojnë furnizimin e tyre, sepse Operatori Publik FTL (Furnizuesi i Tregut të Lirë Sh.A.) do të jetë gjithmonë i pranishëm për ta garantuar atë.
“Lidhur me liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike, vlen të përmendet që OSHEE, në bashkëpunim me ERE-n dhe grupet e interesit, kanë finalizuar Rregulloren e Profileve të Standardizuara të Ngarkesës, e cila është miratuar me vendimin e ERE-s. Në vijim, OSHEE-ja e ka prezantuar në një workshop me të gjitha e palët e interesit, modelin e Profileve të Standardizuara të Ngarkesës” – sqaroi Çela. Bizneset e para në këtë treg dolën në vitin 2018, të cilat ishin ato të lidhura në tension 35 kv. Numri i tyre ishte i kufizuar pak më shumë se 90. Bizneset e lidhura në 20 kv janë më të shumta, rreth 1100, dhe procesi i daljes së tyre në tregun e lirë mendohet të jetë më i lehtë sesa faza e parë.
Pjesa më e madhe ndodhen në zonën Tiranë-Durrës, çka mund të çojë drejt grupimeve për të siguruar kontrata të favorshme. Prodhuesit privatë e vlerësojnë procesin e liberalizimit të rëndësishëm dhe për këtë, përfshirja direkte në negociata pritet të jetë një praktikë që do të zërë vend. “Hyrja në treg të lirë e grupit të bizneseve që lidhen me tension 20 kV, ndihmon më tej në liberalizimin dhe maturimin e tregut.
Për ne, ky zhvillim na hap një dritare më shumë për bashkëpunim me partnerë të tjerë në tregun vendas të energjisë elektrike. Aktualisht, po vendosim kontakte me partnerë të mundshëm dhe jemi të angazhuar për të qenë pjesëmarrës aktivë në këtë treg.
Presim që Liberalizimi dhe Bursa të sjellin impulse pozitive në tregun e brendshëm dhe rajonal të energjisë, pasi janë elemente thelbësore në krijimin e një tregu të shëndetshëm. Ky është një hap i domosdoshëm në integrimin në tregun rajonal, e më tej në atë europian të energjisë” – u shpreh Rigela Gegprifti, nga Devoll Hydropower.
Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme, Devoll Hydropower Sh.A
“Presim impulse pozitive në treg nga Bursa dhe liberalizimi”
Liberalizimi i mëtejshëm dhe nisja e funksionimit të Bursës së Energjisë pritet të japë efekte pozitive në tregun e energjisë.
Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme, Devoll Hydropower Sh.A., i cilëson këto dy elemente të rëndësishme edhe për kompanitë private të sektorit. Lidhur me ecurinë e përgjithshme të Devoll Hydropower, 2020-n, ajo e cilëson një vit domethënës, kur hyri në funksion edhe Moglica, HEC-i më i madh privat që nga koha e ndërtimit të HEC-eve mbi Drin.
Nga ana tjetër, pandemia vlerësohet se ka pasur ndikim të përgjithshëm edhe në sektorin e energjisë si në çdo sektor tjetër të ekonomisë.
Si e vlerësoni vitin 2020 në total për ecurinë e kompanisë suaj, sa i takon prodhimit dhe vënies në punë të HEC-it të Moglicës?
Viti 2020 ka qenë shumë i rëndësishëm për ne, pasi pas shumë viteve në zhvillim dhe zbatim, arritëm përfundimin e ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim të HEC Moglicë, hidrocentrali më i madh privat në Shqipëri.
Megjithatë, situata e pandemisë dhe kushtet e pafavorshme hidrologjike, kanë ndikuar negativisht në shfrytëzimin e hidrocentraleve tona. Viti 2020 ka qenë me shumë sfida.
Si ka ndikuar pandemia në operacionet e Devoll Hydropower? Si kanë qenë marrëdhëniet e pagesave me kompanitë publike, konkretisht OSHEE për shitjet në tregun e parregulluar?
Pandemia dha efekte të konsiderueshme në operimet tona, pasi filloi përhapjen kur ishim në pikun e testimeve dhe kolaudimit të Hidrocentralit të Moglicës. Kufizimet që u aplikuan në shumë vende ndikuan edhe te ne, megjithatë, ekspertiza e nevojshme është ndodhur gjatë gjithë kohës në terren për të ndjekur dhe për të siguruar që operimi tregtar nga Hidrocentrali i Moglicës të fillojë në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas planit.
Na është dashur të përshtatemi me luhatjet e tregut të energjisë elektrike, që pati tronditje nga situata e pandemisë. Përshkallëzimi fillestar i pandemisë solli ndikim të menjëhershëm në tregjet rajonale të energjisë elektrike, u shënuan rekordet më të ulëta historike të çmimit të energjisë, gjatë një periudhe rreth dymujore. Pas kësaj periudhe negative, tregjet u rikthyen në trendet e tyre historike dhe luhatjet për gjysmën e dyte të vitit kanë qenë më të reduktuara, por tregu mbetet i luhatshëm.
Sa u përket marrëdhënieve të pagesave, veçanërisht me OSHEE / FTL, ato janë realizuar brenda afateve kontraktuale, dhe kemi një marrëdhënie shumë korrekte. Megjithatë, në gjykimin tonë, FTL mund të aplikojë afate më optimale për realizimin e pagesave, më të shkurtra nga sa janë sot, sipas praktikave europiane.
Në çfarë faze është projekti për impiantin lundrues mbi Banjë?
Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës ka nisur fazën e zbatimit dhe aktualisht jemi duke vijuar përgatitjet për vendosjen e paneleve fotovoltaike në njësinë e parë lundruese, e vendosur tashmë mbi rezervuarin e Banjës.
Planifikojmë brenda vitit 2021 të mbyllim fazën e parë të ndërtimit të këtij impianti, si dhe ndjekjen e fazave pasuese me synim finalizimin e veprës dhe fillimit të prodhimit të energjisë. Veprimtaritë aktuale në terren janë në përputhje me grafikun e punimeve të këtij projekti.
Cilat janë pritshmëritë për vitin 2021 po të kemi parasysh ndryshimet që do të pësojë tregu për shkak të daljes në treg të lirë të një tjetër grupi biznesesh të lidhura në tension 20 kv, si dhe fillimi i funksionimit të Bursës së Energjisë ALPEX. Çfarë efektesh prisni të ketë në treg liberalizimi dhe Bursa?
Në vitin 2021 hyjmë me të dy hidrocentralet e kaskadës së Devollit në shfrytëzim, dhe kemi pritshmëri të larta për prodhimin dhe tregtimin e energjisë në vitin që vjen. Sa u përket ndryshimeve të tregut të energjisë, e mirëpresim fillimin e funksionimit të ALPEX, pasi kontribuon në mënyrë të qenësishme në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të energjisë në vend e rajon.
Hyrja në treg të lirë e grupit të bizneseve, që lidhen me tension 20 kV, ndihmon më tej në liberalizimin dhe maturimin e tregut. Për ne, ky zhvillim na hap një dritare më shumë për bashkëpunim me partnerë të tjerë në tregun vendas të energjisë elektrike. Aktualisht po vendosim kontakte me partnerë të mundshëm dhe jemi të angazhuar për të qenë pjesëmarrës aktivë në këtë treg.
Presim që Liberalizimi dhe Bursa të sjellin impulse pozitive në tregun e brendshëm dhe rajonal të energjisë, pasi janë elemente thelbësore në krijimin e një tregu të shëndetshëm. Ky është një hap i domosdoshëm në integrimin në tregun rajonal, e më tej në atë europian të energjisë.
Ne e konsiderojmë rritjen e konkurrencës dhe transparencës në tregun rajonal të energjisë si faktorë kyç drejt përmirësimit të sigurimit të furnizimit me energji elektrike, si dhe shtimin e mundësive dhe përfitimeve të të gjithë aktorëve të këtij tregu. Me ndërmarrjen e këtyre hapave, Shqipëria po përshpejton harmonizimin me tregjet evropiane te energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.