Flet Herjola Spahiu, NOA
Tregu i mikrofinancës në vend përballet me një seri sfidash që nisin nga nevoja për një kuadër të ri ligjor te rritja e edukimit financiar. Herjola Spahiu, Drejtore e Përgjithshme e NOA, shprehet se kuadri i ri ndoshta duhet t’ju lërë më shumë mundësi institucioneve financiare jo bankare për të ofruar shërbime shtesë, siç janë pagesat e faturave apo detyrimeve tatimore ashtu sikurse mund të shihet mundësia për të mbledhur depozita të vogla. Sipas Spahiut, kjo do të ulte koston e financimit të këtyre institucioneve duke u përcjellë si një efekt zinxhir në një kredi më të lirë të konsumatori.
Si ka qenë ecuria e mikrofinancës gjatë këtyre viteve, duke ju referuar 2018 dhe 2019?
Mikrofinanca është një treg që çuditërisht kur shihet një stanjacion i gjithë sistemit financiar, ka zhvillim. Këtë e shohim edhe në raportin e fundit të stabilitetit të Bankës së Shqipërisë për 2018, ku vihet re rritja e peshës së institucioneve financiare jobankare kundrejt PBB. Nëse flasim për vitin 2014, kur ka qenë 3%, tani është 3.3%, ndërkohë që edhe për SHKK, që janë po pjesë e mikrofinancës, kemi një stabilitet diku tek 0.6. Në total, po shkojmë tek 4% të PBB si treg. E kemi parë zhvillimin e këtyre viteve, si mjaft të rëndësishëm, pavarësisht se në volume, 4% duket si shumë i ulët, sektori i mikrofinancës i shërben sot 20% të klientëve të gjithë sistemit financiar. Në numër, ndikimi është shumë më i madh. Dhe afërsisht çdo vit, ne financojmë diku te 100 mijë klientë.
Viti 2019 ka qenë një ndër vitet më dinamike për mikrofinancën. Kjo lidhet pak edhe me strategjinë që ato kanë pasur. Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjatë kësaj periudhe është punuar për të rritur informacionin në treg dhe edukimin financiar. Nga 5-mujori i këtij viti, nga informacionet paraprake që kemi, shohim që trendi është pozitiv. Kjo i përgjigjet edhe kërkesës. Vitet e fundit kanë qenë vite shumë të mira. Në 2018, aktivet e institucioneve financiare jo banka kanë përfaqësuar 10% rritje pra është e konsiderueshme, ndërkohë që për këtë 5-mujor, nga informacione të paaudituara, por përmes llogaritjeve menaxheriale që ne bëjmë, duhet të jetë diku tek 4%. Mendojmë që do të jetë një rritje e mirë dhe për 2019-n, sepse duket tendenca, madje edhe pse është një vit elektoral, ne mendojmë që do të jemi mirë. Vitet elektorale, ne si sektor nuk na prekin, sepse tipologjia e klientëve që kemi janë familje apo biznese shumë të vogla ku nuk do të mungojë kurrë nevoja për kapital qarkullues.
Ne si NOA kemi arritur të realizojmë për 2018 një rritje me 14% të portofolit të kredisë dhe sigurisht kemi ruajtur dhe stabilitetin në numër klientësh edhe pse u kemi shërbyer 7 mijë klientëve të rinj. Kemi injektuar diku tek 3.4 miliardë lekë të reja në ekonominë shqiptare në 2018. Ndërkohë që nga dhjetori 2018 e deri tani jemi rritur me 3.7% në portofolin tonë, që llogaritur deri në fund të vitit, me të njëjtin trend, besojmë se do të jemi sërish në të njëjtat ritme 17-18%. Jemi të kënaqur me kërkesën e klientëve. Kjo shpjegohet me faktin që periferitë dhe zonat rurale kanë një lloj informaliteti më të madh sesa vetë qytetet, ndaj e gjejnë veten për t’u shërbyer tek ne para institucioneve bankare.
Çfarë kostosh has sot mikrofinanca sa i përket pjesës së transaksioneve, shpërndarjes gjeografike dhe faktorëve të tjerë?
Pjesa e kostove të mikrofinancës është edhe një nga sfidat e sektorit. Mikrofinanca është e kundërta e një banke. Nëse në banka, punonjësit janë brenda zyrave, shërbejnë në tavolinën e tyre, ne çdo gjë e bëjmë në terren. Te ne, për shembull, 80% të kohës, stafi e shpenzon në terren dhe 20% për përpunimin e aplikimeve që kemi mbledhur gjatë ditës, në komitetet e kredisë dhe procesimit të të dhënave. Një model i tillë shoqërohet me kosto më të mëdha. Nëse ndajmë parametrin e kësaj rezulton që kostot tona operacionale zënë 60% të të ardhurave që kemi. Dhe praktikisht, një pjesë tjetër e mirë prej 26% zihet nga kostot e fondeve që është edhe sfida jonë e dytë. Ne mundohemi që të jemi sa më të zgjeruar edhe me degë, sepse klientëve duhet t’ju shkojmë sa më afër me logjistikë.
Si është niveli i kredive me probleme te tregu i mikrofinancës?
Mikrofinanca ka portofol më të mirë nga ana cilësore dhe mendoj që nuk lidhet vetëm me punën e vetë mikrofinancës, por edhe me përgjegjshmërinë e segmentit që ne u shërbejmë. Zakonisht ato që janë biznese më të vogla janë më të përgjegjshëm për ripagimin e kredive, sepse vënë në risk gjithë të ardhurat familjare. Sot, NPL (kreditë e këqija) ne i kemi 1.9%, që është shumë më e ulët në raport me 11% të sistemit bankar. Nëse masim 30 ditë plusin është 3.2-3.5%. Ne tregohemi elastikë me klientët edhe kur ata hasin vështirësi.
Mundohemi që kur japim kredinë sidomos kur ka aktivitet sezonal, siç është bujqësia apo turizmi, skeduli i pagesës është i fokusuar vetëm në ato momente që ai ka prodhim dhe arrin të shesë. Është e pamundur t’i bësh një skedul të njëtrajtshëm pagese. Ne kemi kredi që kanë edhe dy pagesa në vit, sipas sezonit të prodhimit që ka fermeri. Kur ndodh përmbytje apo dëmtim, ne i kemi ristrukturuar apo riskeduluar, ndonjëherë dhe kemi dhënë një financim që të mbjellë sërish dhe të ketë mundësi të paguajë. Edhe treguesit që kemi nga kreditë e ristukturuara janë pozitivë.
Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar sot mënyrën sesi funksionon mikrofinanca?
Në fakt, mikrofinanca ka rreth 25 vite që kontribuon në ekonominë shqiptare, por asnjëherë nuk i është dhënë rëndësia e duhur. E them edhe për institucionet shtetërore, edhe për partnerët e tjerë. Mikrofinanca ka një mision, që ata klientë që nuk kanë akses në banka, të kenë mundësi të kenë një mbështetje financiare dhe të aksesojnë një produkt financiar. Këtë mision, ne e mbajmë mbi supe që në fillesat tona si institucione mikrofinanciare. Së pari, sfida që ne hasim sot, është ndërgjegjësimi i institucioneve shtetërore. Mikrofinanca duhet parë si partner. Nuk mund të ekzistojnë projekte për turizmin apo bujqësinë nëse nuk e sheh mikrofinancën si partnere.
Sjell në vëmendje projekte të rëndësishme si “100 fshatrat”. Ti investon në infrastrukturë por, nga ana tjetër, të gjithë ato biznese aty kanë nevojë që të rimëkëmbin pak veten për t’ju përgjigjur nivelit të ri. Një sfidë tjetër është me aksesin në fonde. Mikrofinanca në vetvete, sidomos institucionet financiare jo banka kryesisht ka aktivitet të vetëm kredidhënien. Ndërkohë që ne shkojmë drejt zhvillimit të tregut dhe nevojës konsumatore që ata të punojnë me një “one stop shop”, pra shkojmë në një institucion financiar dhe duam përveçse të marr kredi, të kem mundësi të bëj pagesa utilitare, të paguaj tatime apo të bëj një transfertë diku tjetër sepse në fund i ul kostot klientit. Të paktën për institucionet financiare jo banka, ne jemi duke këmbëngulur që ka nevojë që ata të rregullohen me një ligj, sepse mungon ligj i posaçëm për to.
E dyta, nëpërmjet këtij ligji, të rregullohet që për segmentin e klientëve tanë, të ofrojmë shumëllojshmëri shërbimesh. Kjo do të thotë ndoshta edhe depozita apo sigurime në bashkëpunim me kompani sigurimi dhe pagesa utilitare (ujë, drita, taksa) Sot, ne të gjithë aktivitetin tonë kredidhënës e mbështesim me kapitalin tonë, por edhe me fonde të huaja, qoftë nga BERZH apo Banka e Zhvillimit e Detit të Zi, qeveria spanjolle me FMO, por edhe me fonde të tjera investimesh, që kanë në fokus mbështetjen e mikrofinancës.
Kemi sot diku tek 16 lender (huadhënës) që i quajmë partnerë, nëpërmjet të cilëve merren fondet, por pjesa më e madhe janë ndërkombëtare dhe kjo rrit kostot. Ne i marrim fondet hua për t’i dhënë hua në tregun shqiptar. Rritja e kostove vjen për dy arsye, e para sepse huamarrja ka kostot e saj; e dyta sepse ne kemi zgjedhur që riskun e kursit të këmbimit të mos ta transferojmë te klienti, pra ne financojmë në lekë, ndërkohë që ne i marrim në euro. Në tregun shqiptar për fat të keq instrumentet për ta transformuar euron në lekë janë të limituara ose me kosto shumë të larta.
Po efekti i kursit si ka qenë, duke qenë se kemi pasur një mbiçmim të lekut?
Luhatjet e kursit ndikojnë në vlefshmërinë e fondeve, sepse ndërkohë që ti ke një depozitë fikse në euro, e cila të zhvlerësohet, normalisht që çfarë ke dhënë në lekë, do të marrësh më pak sepse bankat ruajnë imazhin e tyre të sigurisë për mbulimin e kredisë me depozitë. Ne jemi duke lobuar, përmes shoqatës që edhe institucionet tona të kenë mundësi të mbledhin depozita të vogla nga klientët që ne u shërbejmë. Shqipëria është një treg likuid. Sot, vetë raportet e kredisë mbi depozitat janë 50%, pra ka ende 50% likuiditet të pashfrytëzuar. Ne kemi shumë mundësi që këtë likuiditet ta shfrytëzojmë për aktivitetin tonë të kredidhënies me qëllim të dyfishtë. E para, përfitimet nga ky aktivitet u shkojnë familjeve apo bizneseve shqiptare dhe interesi paguhet në tregun shqiptar dhe e sigurt që redukton me 70% koston tonë aktuale të fondeve, çka shkon për një kredi më të lirë.
Sa është totali i kredisë që ka sot NOA te klientët e saj?
Pikërisht këtë muaj, ne kemi arritur 5 miliardë lekë portofol kredie i përbërë nga rreth 11 mijë kredimarrës dhe praktikisht themi që për 3-vjeçarin e ardhshëm, ta dyfishojmë.
Cili është produkti më tipik që merret më shpesh?
Si produkte në vetvete, ato që preferohen më tepër janë ato për kapital qarkullues, ose kredi afatmesme 2-3 vite. Vlera jonë e kredisë mesatare luhatet nga 450-500 mijë lekë. Ne punojmë me një treg pak më vulnerabël, ku në 90% të rasteve nuk kërkojmë kolaterale dhe garantohemi vetëm nga projekti dhe nga ndërgjegjja, ndaj fondet i injektojmë në bizneset e vogla. Në fat, po ta mendosh dhe të paktën nga analiza që ne bëjmë herë pas here në portofolin tonë, ne shohim që për çdo financim, krijojmë 1.2 vende pune shtesë. Nga ana tjetër, është rritur kërkesa nga femrat sipërmarrëse që është shumë interesante dhe kemi arritur të orientojmë 23% të portofolit te femrat sipërmarrëse.
Çfarë mund të bëhet më mirë për mikrofinancën?
E para, ne mendojmë se ndryshimi i ligjor dhe ofrimi i një shumëllojshmërie produkti, do të jetë plus. Sot kemi ngërçin që herë i referohemi ligjit “Për bankat” të vitit 1996, që nuk përmend asnjëherë institucionin financiar jo bankë dhe herë ligjit “Për shoqëritë tregtare”, që është tjetër dhe s’bën sens. Kjo ndihmon shumë dhe mbikëqyrjen e institucioneve. Ndërkohë do të thosha që një nga faktorët e dytë është zhvillimi i bursës, sepse po flasim për alternativa të fondeve dhe Bursa është një element i rëndësishëm.
Ne jemi një institucion që e kemi testuar bondin korporativ si një mënyrë që të tërhiqen fondet dhe sa më shumë të promovohet aq më mirë është që të rritet grupi i investitorëve. Së treti, partneriteti me institucionet shtetërore, qoftë Ministria e Bujqësisë qoftë ajo e Financave për programet që kanë, duhet që të na konsiderojnë që në konceptim. Një tjetër element është edukimi financiar, i cili nuk mund të bëhet vetëm nga ne, sepse kërkon fonde dhe ne nuk është se kemi buxhete të mëdha për këtë pjesë por do të ishte mirë që të bashkëpunohej edhe në këtë aspekt me institucionet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.